Mes ovacioneve të publikut dhe atmosferës elektrizuese në Wiener Stadthalle, ka startuar zyrtarisht edicioni i 70-të i Eurovision Song Contest 2026, spektakli që çdo vit bashkon miliona teleshikues në gjithë Europën. Kryeqyteti austriak është shndërruar në qendrën e muzikës dhe artit, duke mirëpritur delegacione dhe fansa nga dhjetëra vende.
Ky edicion vjen me moton “Të Bashkuar nga Muzika”, ndërsa në garë janë 35 shtete që synojnë trofeun e madh të Eurovizionit. Austria rikthehet si vend organizator pas 11 vitesh, pas suksesit të artistit JJ në vitin 2025.
Në skenën europiane këtë vit ngjitet edhe Alis, i cili përfaqëson Shqipërinë me këngën “Nan”. Kënga sjell një mesazh emocional dhe prekës për figurën e nënës, duke ndërthurur elementë modernë me motive të ndjera shqiptare. Performanca ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe është konsideruar si një nga prezantimet më autentike të këtij edicioni.
Mbështetja e shqiptarëve jashtë vendit pritet të luajë një rol kyç në rrugëtimin e Shqipërisë drejt finales. Publiku në vendet pjesëmarrëse mund të votojë përmes kodit 13, ndërsa votimi online për shtetet jo pjesëmarrëse do të jetë i hapur më 14 maj, menjëherë pas performancës live.
Me emocione të shumta dhe pritshmëri të larta, Shqipëria synon të sigurojë një vend në finalen e madhe të së shtunës, aty ku artistë nga e gjithë Europa do të garojnë në një nga netët më spektakolare të muzikës ndërkombëtare.
