KreuArt

Ilda Lumani prezanton për herë të parë në Kosovë "Shijet tona" në "Prishtina Gastronomy Festival"!

Gazetarja dhe autorja Ilda Lumani prezantoi pasditen e të premtes me 17 korrik, në “Prishtina Gastronomy Festival” në qendër të Prishtinës, librin e saj “Shijet tona”, një botim me 99 receta tradicionale që synon të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë kulinare shqiptare. Aktiviteti u zhvillua në sheshin “Adem Jashari”, përpara një publiku të interesuar për gastronominë, kulturën dhe historitë që përcillen përmes ushqimit.

Në një nga mbrëmjet më të veçanta të festivalit, promovimi i këtij libri tërhoqi vëmendjen e vizitorëve dhe dashamirësve të gastronomisë, duke sjellë në qendër jo vetëm recetat tradicionale, por edhe historitë, kujtimet dhe emocionet që fshihen pas tyre. Në një mbremje plot elegancë që mblodhi bashkë dhe disa biznese dhe ideator të ushqimit të mirë.

Gjatë fjalës së saj, autorja dhe gazetarja Ilda Lumani u shpreh shumë e lumtur dhe e emocionuar për këtë takim të veçantë në Prishtinë, duke theksuar se pritja e publikut ishte një motivim i madh për të. Autorja shprehu gjithashtu shpresën se prezantimi i “Shijet tona” në kryeqytetin e Kosovës do të pasohet nga shumë ndalesa, projekte dhe suksese të tjera në të ardhmen.

Publiku prishtinas pati mundësinë ta takonte nga afër Ilda Lumanin, të bisedonte me të dhe të zbulonte më shumë rreth historive që qëndrojnë pas pjatave të përfshira në libër edhe ti "vidhte" ndonjë autograf bashkë me librin. Interesi i të pranishmëve e ktheu aktivitetin në një bashkëbisedim të ngrohtë për identitetin, kulturën dhe shijen shqiptare. Mbrëmja pasoi me një degustim të ushqimeve nga hoteli dhe restoranti i njohur në Tiranë, The Crown dhe me muzikën e artistit të madh Sinan Vllasaliu.

I botuar në shqip dhe anglisht, “Shijet tona” synon ta prezantojë kuzhinën shqiptare edhe përtej kufijve, duke e kthyer atë në një urë lidhëse mes traditës dhe publikut ndërkombëtar.

“Shijet tona” u botua në dhjetor të vitit të kaluar dhe, pas prezantimeve në Tiranë, u prezantua edhe në Greqi, në një aktivitet të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë për komunitetin shqiptar.

Ndalesa në Prishtinë shënoi një tjetër moment të rëndësishëm për Ilda Lumanin, duke konfirmuar interesin e madh që publiku ka për traditën dhe gastronominë shqiptare. Në mesin e shijeve, muzikës dhe atmosferës së festivalit, prezantimi i librit të saj u dallua si një nga ngjarjet më të bukura dhe më domethënëse.