Aktori i njohur britanik Michael Byrne, i cili ndërtoi një karrierë të gjatë në teatër, film dhe televizion, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga The Guardian, ndërsa bëhet e ditur se Byrne u shua më 20 qershor. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik.
Publiku ndërkombëtar e kujton veçanërisht për interpretimin e kolonelit nazist Ernst Vogel në filmin "Indiana Jones and the Last Crusade" (1989), ku u përball me personazhin e Harrison Ford. Interesant është fakti se kjo nuk ishte hera e parë që Byrne dhe Ford luanin përballë njëri-tjetrit, pasi të dy kishin interpretuar edhe në filmin "Force 10 from Navarone" (1978), ku aktori britanik gjithashtu mishëroi një personazh nazist.
Gjatë karrierës së tij, Byrne u bë pjesë e një sërë produksionesh të njohura të kinemasë botërore, mes tyre "Braveheart", "A Bridge Too Far", "The Saint", "Gangs of New York", "Tomorrow Never Dies", "Diana" dhe "Harry Potter and the Deathly Hallows: Part 1". Në filmin e parafundit të sagës "Harry Potter", ai interpretoi versionin e moshuar të Gellert Grindelwald, personazh që më vonë u luajt nga Johnny Depp në serinë "Fantastic Beasts".
I lindur në Londër, Michael Byrne nisi karrierën artistike në fillim të viteve 1960, duke u bashkuar me kompaninë teatrale të Sir Laurence Olivier në Old Vic. Ai interpretoi në disa prej skenave më prestigjioze britanike, përfshirë National Theatre, Royal Court dhe Bristol Old Vic, ku në vitin 2010 luajti rolin kryesor mashkullor në shfaqjen "Juliet and Her Romeo".
Karriera e tij televizive filloi në vitet '60 me role në produksione si "No Hiding Place", "Silent Playground" dhe "ITV Saturday Night Theatre", ndërsa debutimi në kinematografi erdhi në vitin 1963 me filmin "The Scarlet Blade".
Në teatër, Byrne interpretoi në vepra klasike si "Romeo and Juliet", "The Cherry Orchard", "Much Ado About Nothing", "Death and the Maiden", "The Double Dealer" dhe "The Seagull", duke ndarë skenën me emra të njohur si Maggie Smith dhe Robert Stephens.
Gjatë më shumë se shtatë dekadave në aktrim, Michael Byrne grumbulloi mbi 170 role në film, televizion dhe teatër, duke u bërë një nga aktorët më të respektuar të Britanisë së Madhe.
Aktori lë pas ish-bashkëshorten Carole Nimmons, e cila u kujdes për të në fund të jetës, dy vajzat e tij, Tara dhe Bryony, si dhe nipërit e mbesat Tom, Chloe dhe Jasmine.
