Këngëtari amerikan Chris Brown është shpallur përgjegjës për një sulm të rëndë nga qeni i tij ndaj ish-pastrueses së shtëpisë, Maria Avila, dhe është urdhëruar të paguajë rreth 12.9 milionë dollarë dëmshpërblim.
Vendimi u mor nga një juri në Los Angeles, pas një procesi gjyqësor dyjavor. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2020 në rezidencën e Brown në Tarzana, Kaliforni, ku Avila u sulmua nga një qen i racës Caucasian Shepherd, me peshë rreth 90 kilogramë, ndërsa po nxirrte mbeturinat.
Sipas dëshmisë së saj, qeni, i quajtur Hades, i shkaktoi plagë të rënda duke i shqyer pjesë të mëdha të lëkurës. Si pasojë, ajo pësoi dëmtime të përhershme në fytyrë, humbje të pjesshme të shikimit, dëmtime nervore dhe mbeti me shenja të dukshme në fytyrë dhe krah.
Gjatë gjyqit u tha se, në vend që të telefononte shërbimet e emergjencës ose t’i jepte ndihmë të dëmtuarës, Brown u largua nga shtëpia, ndërsa punonjësit e tij u kujdesën për Avilën deri në mbërritjen e autoriteteve. Këngëtari deklaroi se ishte në gjendje shoku dhe kishte ndjekur këshillën e menaxherit të tij për t’u larguar, nga frika e një vëmendjeje të madhe mediatike.
Brown pranoi një pjesë të përgjegjësisë, por kundërshtoi shkallën e dëmtimeve dhe argumentoi se Avila kishte edhe ajo një pjesë të fajit. Ai pretendoi gjithashtu se qeni përdorej nga stafi i sigurisë për mbrojtjen e pronës dhe nuk ishte kafsha e tij personale.
Nga ana tjetër, Maria Avila dhe motra e saj Patricia mohuan se ishin paralajmëruar ndonjëherë për rrezikun që paraqisnin qentë. Avila dëshmoi se, për shkak të dëmtimeve fizike dhe traumës psikologjike, nuk ka mundur të rikthehet më në punë si pastruese dhe vuan nga stresi post-traumatik që e pengon të afrohet pranë qenve.
Përveç dëmshpërblimit prej 12.9 milionë dollarësh për Maria Avilën, gjykata akordoi edhe 885 mijë dollarë për motrën e saj Patricia, si dhe 50 mijë dollarë për bashkëshortin e Marias, Oscar Olivo.
Ndërkohë, Chris Brown ndodhet në turne në SHBA së bashku me këngëtarin Usher. Ai pritet të dalë gjithashtu në gjyq në Mbretërinë e Bashkuar në muajin tetor për një çështje tjetër, ku akuzohet për sulm ndaj një producenti muzikor në një klub nate në vitin 2023.
