Portieri i Kombëtares shqiptare, Alen Sherri, ishte i ftuar së fundmi në emisionin Rudina, ku së bashku me bashkëshorten e tij, Razena, ndanë me publikun historinë e dashurisë, momentet më të rëndësishme të jetës së tyre dhe planet për të ardhmen.
Historia e çiftit nisi krejt rastësisht në Tiranë, edhe pse të dy jetonin prej kohësh në të njëjtën lagje pa u njohur më parë. Ishte Razena ajo që hodhi hapin e parë në rrjetet sociale, pa e ditur se Aleni ishte futbollist.
“Në jetonim në një lagje në Tiranë dhe nuk e dinim dhe nuk ishim parë kurrë. Një ditë të bukur rastësisht u pamë dhe me anë të njerëzve të njohur, u gjetëm dhe u ndoqëm në rrjete sociale. I kam bërë unë ‘follow’ e para dhe nuk e kam ditur që ishte futbollist. Ma pranoi, por nuk kemi folur që në fillim, më pas kur kemi bërë takimin, aty filluam të komunikonim dhe që nga ajo ditë jemi bashkë sot dhe nuk jemi ndarë kurrë.”
Razena tregoi se ajo që e bëri të dashurohej me Alenin nuk ishte fama apo profesioni i tij, por karakteri dhe mënyra se si ai sillej me njerëzit.
“Është një djalë me zemër shumë të madhe. Është shumë i çiltër, shumë babaxhan dhe mendon shumë për të tjerët.”
Ajo pranoi gjithashtu se në fillim nuk e kishte mirëpritur idenë për të qenë në një lidhje me një futbollist, pasi nuk vinte nga një familje që ndiqte këtë sport.
“Kur e mësova në fillim nuk është se e kisha shumë me qejf se nga familja ime nuk është se e kemi ndjekur shumë futbollin dhe për mua ishte pak e çuditshme. I thoja ‘po me çfarë merresh vërtet përveç futbollit?’, se nuk më dukej si profesion. Po pastaj e kuptova se Aleni ishte profesionist dhe e kishte me shumë pasion dhe dëshirë dhe për mua pastaj u bë pjesë e jetës sime.”
Nga ana e tij, Aleni tregoi se nuk u dorëzua edhe pse në fillim komunikimi mes tyre nuk ishte aq i lehtë.
“Gjatë periudhës që ishim ‘follow’ e deri në periudhën që u takuam, unë i shkruaja herë pas here por nuk është se ishte aq e ngrohtë dhe unë nuk është se kam qenë shumë shumë insistues. Por atë ditë që jemi takuar ishte një moment ku buzëqeshja e saj më mbeti e rrënjosur. Thashë do ta provoj dhe njëherë të fundit, i shkrova dhe njëherë dhe që atëherë kemi folur çdo ditë.”
Çifti kujtoi edhe një nga momentet më emocionuese të marrëdhënies së tyre, propozimin për martesë, i cili ndodhi në stadiumin Air Albania Stadium, menjëherë pas finales së Kupës së Shqipërisë.
“Atë ditë ishte finalja e Kupës së Shqipërisë në stadiumin ‘Air Albania’ dhe ka qenë momenti pasi fituan ndeshjen. Familjarët zbrisnin në fushë për të bërë foto. Ishte radha ime të bëja foto me ekipin dhe nuk kam kuptuar gjë fare. Ishte një moment që ishim ne në mes dhe i thashë Alenit ‘hajde dalim se mos kujtojnë këta se do më propozosh’ se vërtet u mblodhën të gjithë aty. Aleni e kishte bërë gjithë planin dhe mendonte si e kuptoi kjo. Ka qenë një moment shumë fantastik, kam qarë se ishte një çast shumë prekës dhe nuk e prisja. Kishte marrë fotograf, videograf, çdo gjë për organizimin. Është një ndër ditët që nuk kam për ta harruar asnjëherë.”
Në intervistë u fol edhe për ardhjen në jetë të djalit të tyre, Eden, si dhe historinë pas përzgjedhjes së emrit.
“Më pëlqente shumë, tregonte shumë pafajësi, shumë çiltërsi, kopshti i Parajsës, kopshti i Edenit dhe kështu e imagjinoja dhe unë djalin, si një dhuratë nga parajsa për ne, diçka e shenjtë e jona. Kam qenë dhe unë shumë në dilemë sa kam thënë ‘o zot më jep një shenjë çfarë emri t’i vë’ dhe kam qenë diku jashtë dhe kur kam ngritur kokën lart kam parë një vend që quhej ‘Eden Caffe’ dhe aty kam marrë Alenin në telefon dhe i kam thënë që u vendos.”
Alen Sherri tregoi se lindja e djalit i ka ndryshuar plotësisht përditshmërinë dhe mënyrën si e sheh jetën, ndërsa çifti bëri të ditur se ceremonia e dasmës është vetëm shtyrë dhe mbetet në planet e tyre, këtë herë me Edenin si pjesë të festës së familjes.
