KreuCelebrity

Eambla, 14-vjeçarja që po frymëzon një brez të tërë dhe mesazhi i saj: Mos e nënvlerësoni gjuhën shqipe!

Nga Klesara Beqiri

Fotografia: Andis Rado

Eambla Amataj është nxënëse në klasën e 9-të në shkollën “Edith Durham”, e cila fitoi konkursin e Gjuhës Shqipe këtë vit. Ky ishte shkaku për këtë intervistë në faqet e BORDO KIDS, ku për çdo vit identifikojmë fëmijë të spikatur. Por, teksa lexon këtë intervistë të një vajze 14-vjeçare vë re sa shumë empati dhe dashuri kemi humbur ne të rriturit. Vlera, që Eambla i jep gjuhës shqipe është leksion edhe për ne më të rriturit.

Eambla, 14-vjeçarja që po frymëzon një brez të

Eambla, si u ndjetë në momentin që u shpallët fitues të konkursit kombëtar të gjuhës shqipe, cili ishte mendimi i parë?

Ishte padyshim një moment shumë emocionues. Të them të drejtën, në momentin kur u shpallëm fitues, nuk e besova pasi duartrokitjet dhe gëzimi i publikut, grupi ynë në ekstazë, me zëra brohorues, më lanë paska të habitur. “A fituam vërtet?”, - pyesja veten teksa shihja përreth. Vetëm kur zëri i prezantuesit arriti tek unë me pikët fituese, vetëm atëherë u ndjeva krenare për veten fillimisht, por edhe për grupin patjetër.

Sa kohë iu është dashur për t’u përgatitur? Dhe cila ishte pika më e fortë e skuadrës suaj, që ra në sy gjatë garës?

Nuk mund të përcaktojmë një periudhë fikse pasi përgatitjet tona kanë nisur që në fillim të këtij viti shkollor. Sa për pikën tonë më të fortë, do të thoja padyshim projekti. Ishte një risi që u përgëzua shumë nga juria.

Çfarë do të thotë për ju dhe për shkollën “Edith Durham” kjo fitore?

Mendoj se tregon një hap të rëndësishëm në historikun tonë akademik. Është hera e parë që shkolla jonë ka ardhur kaq larg, ndaj mendoj se është meritë e jona, nxënësve, por edhe mësuesve të shkëlqyer që na kanë shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve.

A kishit emocione apo stres para finales? Si i menaxhuat ato?

Emocionet ishin të pashmangshme. Skena e madhe, madhështia e finales, publiku i zjarrtë ishin disa nga burimet kryesore. Kryesorja do të ishte dëshira për të dalë sa më mirë, me një prezantim dinjitoz të rrugëtimit tonë në këtë konkurs. Ndonjëherë emocionet edhe na pushtuan, por në fund ia dolëm të ndihmonim njëri-tjetrin gjatë atyre momenteve finale.

Kush ju ka mbështetur më shumë gjatë këtij rrugëtimi?

Ndihma dhe suporti i pandalshëm erdhi më së shumti nga mësueset, shoqëria dhe familja. Ishin një konstante në atë stuhi të papriturash, ku çdo gabim të bënte të dyshoje vetveten. Ishin pikërisht ata që të ndihmonin të çoheshim përsëri me besim, kurajë dhe forcë për të luftuar për gjuhën tonë shqipe.

Çfarë do t’u thoni bashkëmoshatarëve për rëndësinë e gjuhës shqipe?

Dua të theksoj se ndonëse mund të marrim drejtime të tjera në jetë, gjuha shqipe do të jetë një shoqëruese e përjetshme. Mund të ikim larg atdheut, të marrim një profesion larg letërsisë, por prapë se prapë, gjuha është pjesë e identitetit tonë, si të jetë gjaku që na rrjedh në vena, që na ka bërë të veçantë për shekuj me radhë.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit nxënësve të tjerë që duan të marrin pjesë në konkurse të tilla?

Provojeni. Është një eksperiencë e paharrueshme, në të cilën mund të provojmë veten, të njohim punën në grup, të vlerësojmë gjuhën shqipe. Gjithashtu është një mënyrë e mirë për t'u mësuar me aktivitete kaq të mëdha, për individët që mund të jenë më të ndrojtur. U jap shumë kurajë që ta provojnë dhe mos ta kufizojnë veten; të shohin përtej limiteve të tyre.

Nëse do ta përshkruanit këtë eksperiencë me një fjalë, cila do të ishte?

Sfidues. Sfidues në kuptimin se ndonjëherë të pushtonte dyshimi dhe emocionet negative, por edhe sfidues në kuptimin se mësova disa anë të reja të vetes sime. Mësova dije të ndryshme, të provoja veten nën presionin e një konkursi të tillë, si dhe vështirësinë që do të na duhet të përballemi në jetë.

Cilat janë planet tuaja pas kësaj fitoreje dhe për vazhdimin e studimeve? Do të vazhdoni fokusin në fushën e gjuhës shqipe apo të pëlqen diçka tjetër?

Është ende herët për të dhënë një përgjigje konkrete, por pavarësisht degës që do të zgjedh, gjuha shqipe do të jetë gjithmonë aty me mua, kudo dhe kurdo. Duke thënë këtë, kam interesa në shkencat si biologjia dhe kimia, ndaj mendoj se këtu do ta zgjedh profesionin tim të ardhshëm.

Përtej shkollës, cilat janë hobet e tua?

Kam shumë hobi, por më kryesoret do të ishin në art, leximi dhe sporti. Më pëlqen shumë të vizatoj në kohën time të lirë, pasi ndonjëherë është mënyra në të cilën mund të shprehem lirshëm. Leximi gjithashtu ka qenë një pasion i imi që prej fëmijërisë së hershme. Mund të lexoja rreth 5 libra çdo javë përtej atyre shkollore. Ndërsa sporti është një aktivitet që e ndjek pas shkollës. Përveç anës së shëndetit fizik, sporti ka ndihmuar në anën mendore duke ardhur si një rrugë për të shfryrë emocionet dhe ndjenja të tjera.

Kush është ëndrra jote më e madhe?

Ëndrra ime më e madhe do të ishte të bëhesha një individ i suksesshëm. Në çdo aspekt të fjalës. Në lumturi, në karrierë, në familje, në shoqëri, në vetvete. Dua të jem një person me të cilin do të isha krenare në çdo çast të jetës. Por nëse do të futeshim më konkretisht, do të thoja të krijoja një shpikje që të jetë risi për njerëzimin. Më pëlqen ta mendoj veten si një person që të ketë impakt aq të madh në historinë humane.