Në fillim të shtatorit, vemendja e mediave rozë pritet të zhvendoset drejt Romës, ku këngëtarja Kida dhe partneri i saj, Ajbi, thuhet se do të kurorëzojnë lidhjen e tyre me martesë. Çifti raportohet se ka zgjedhur një ceremoni të organizuar deri në detajin më të vogël, në një prej rezidencave më ekskluzive të kryeqytetit italian.
Sipas informacioneve të publikuara në mediat e showbiz-it, ambienti i përzgjedhur është një vilë historike me stil neoklasik, e pozicionuar në një nga zonat më panoramike të qytetit, e njohur për evente luksoze dhe private.
Organizimi i dasmës thuhet se përfshin një buxhet të konsiderueshëm, ku vetëm hapësira e eventit kap vlera dhjetëra mijëra euro, ndërsa shpenzimet totale mund të tejkalojnë 70 mijë euro.
Edhe përvoja gastronomike pritet të jetë e nivelit të lartë, me një menu të kuruar nga kompani që bashkëpunojnë me kuzhina të vlerësuara me yje Michelin, me çmime që mund të shkojnë deri në 300 euro për person.
Atmosfera e mbrëmjes do të shoqërohet edhe me performanca muzikore nga kolegët e saj, ku sipas raportimeve, të ftuarit do të argëtohen nga Ermal Fejzullahu dhe Sinan Vllasaliu, dy emra të njohur të skenës shqiptare.
Pavarësisht zërave që qarkullojnë, detajet e ceremonisë nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht nga çifti.
