Princi George tërhoqi vëmendjen gjatë një daljeje të rrallë publike me nënën e tij, Kate Middleton, teksa të dy morën pjesë në aktivitetet për nder të Ditës së Forcave të Armatosura në Britaninë e Madhe.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale të Princit dhe Princeshës së Uellsit, Kate dhe George vizituan bazën ajrore RAF Coningsby, ku patën mundësinë të njiheshin nga afër me historinë e avionëve të famshëm të Battle of Britain Memorial Flight. Ata u ulën në kabinat e disa avionëve historikë dhe takuan pilotë e inxhinierë që kujdesen për ruajtjen e tyre.
Megjithatë, ajo që ra më shumë në sy ishte fakti se 12-vjeçari George tashmë është pothuajse në të njëjtën gjatësi me nënën e tij, Kate Middleton. Fotot nga vizita tregojnë se trashëgimtari i dytë i fronit britanik është vetëm pak centimetra më i shkurtër se princesha.
"Një kujtesë e fuqishme për guximin, aftësinë dhe përkushtimin e atyre që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë", shkruhej në përshkrimin e postimit, ku familja mbretërore falënderonte të gjithë ushtarakët për kontributin e tyre.
View this post on Instagram
Dalja publike vjen në një periudhë të rëndësishme për Princin George, i cili pritet të nisë studimet në Kolegjin Eton këtë vjeshtë, të njëjtën shkollë prestigjioze ku ka studiuar edhe babai i tij, Princi William.
Sipas biografes mbretërore Sally Bedell Smith, Eton do t'i ofrojë George-it një arsimim të fortë dhe përgatitjen e nevojshme për rolin që do të ketë në të ardhmen. Ndërkohë, burime pranë familjes mbretërore thonë se George ka shprehur gjithmonë dëshirën për të ndjekur gjurmët e të atit.
