Aktorja legjendare turke Türkan Şoray përjetoi një nga momentet më të dhimbshme të jetës së saj pikërisht në ditëlindjen e saj, teksa i dha lamtumirën për herë të fundit mikut dhe partnerit të saj në ekran, Kadir İnanır.
Pas lajmit të trishtë për ndarjen nga jeta të aktorit, të cilin e mori të premten, Şoray shihej në një gjendje të rënduar emocionale dhe sipas mediave turke, madje shpërtheu në lot. Për shkak të kësaj ngjarje të trishtë, ajo nuk pranoi të festonte ditëlindjen.
Ditën e djeshme, e shoqëruar nga producentët veteranë Şükrü Avşar dhe Mahmut Cevher, aktorja mori pjesë në ceremoninë mortore të zhvilluar në Xhaminë Barbaros Hayrettin Paşa. Pavarësisht turmës së madhe, ajo arriti t'i afrohej arkivolit, të prekte fotografinë e aktorit dhe t'i jepte lamtumirën e fundit me lot në sy.

Pas ceremonisë, Şoray u largua pas një qëndrimi të shkurtër në xhami. Ndërkohë, është bërë e ditur se ajo do të marrë pjesë në aktivitetin "Mbrëmje Verore me Türkan Şoray", të organizuar nga Bashkia e Sultangazit, ku pritet të kujtojë publikisht edhe Kadir İnanır.
Largimi i Kadir İnanır ka prekur thellë botën e kinemasë turke dhe të gjithë ata që ishin fansa të aktorit.
