
Këngëtarja Kida dhe partneri i saj, Ajbi, janë drejt një prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tyre, pasi shumë shpejt do të kurorëzojnë dashurinë me martesë.
Sipas informacioneve të publikuara nga Prive by Liberta Spahiu, ceremonia është planifikuar të zhvillohet më 1 shtator në Romë, në një rezidencë historike me arkitekturë neoklasike, e ndërtuar në fund të shekullit të XIX. Ambienti, i vendosur në një nga kodrat më të larta të kryeqytetit italian, njihet për pamjen panoramike dhe për organizimin e eventeve ekskluzive.
Përzgjedhja e këtij lokacioni pritet të ketë një kosto të konsiderueshme. Vetëm rezervimi i hapësirës llogaritet mes 20 dhe 25 mijë euro, ndërsa shpenzimet totale për organizimin e ceremonisë mund të tejkalojnë 70 mijë euro. Mësohet gjithashtu se menuja do të përgatitet nga kompani partnere me restorante të vlerësuara me yje Michelin, ku çmimi për person mund të arrijë deri në 300 euro.
Edhe aspekti teknik i eventit pritet të jetë në nivel të lartë, me ndriçim dhe sistem audio profesional, që sipas raportimeve mund të kushtojnë deri në 18,500 euro.
Mbrëmja do të shoqërohet edhe me performanca muzikore. Sipas të njëjtit burim, në dasmën e Kidës dhe Ajbit do të këndojnë Ermal Fejzullahu dhe Sinan Vllasaliu, dy artistë të afërt me këngëtaren, të cilët pritet të kujdesen për atmosferën festive.
