KreuCelebrity

"Ka frikë dhe lumturi njëkohësisht’ Klementina Mema flet pa filtra për shtatzëninë

Klementina Mema na ra në sy gjatë ceremonisë së filmit "Djalli vishet me Prada", ku ajo u shfaq me një outfit të guximshëm, edhe pse ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. E njohur për stilin unik, edhe pse profesioni i saj është marketingu, ajo po e përjeton plot entuziazëm pritjen e saj të ëmbël. Influencuesja Mema tani po lundron një kapitull krejt të ri, atë të shtatzënisë së saj të parë dhe duket se tani po përjeton disa momente në jetë që nuk lidhen vetëm me faktin si duket, por edhe si e percepton botën. Një muaj para se të sjellë në jetë bebin, Klementina na tregon me çiltërsi për stilin, jetën e re dhe emocionet sesi po e përjeton këtë kohë.

Klementina, si po e përjeton emocionalisht këtë fazë të re të jetës?

Shumë ndryshe nga sa e kisha imagjinuar. Kam qenë gjithmonë natyrë shumë impulsive, gjithmonë në lëvizje, por kjo periudhë më ka qetësuar shumë. Më ka bërë ta marr jetën pak më ngadalë, të jem më e lidhur me veten dhe të shijoj më shumë gjërat e vogla. Sigurisht ka ditë me më shumë lodhje apo emocione, por besoj se kjo është pjesa më reale dhe më e bukur e kësaj eksperience. Dhe mbi të gjitha, po e jetoj me shumë mirënjohje çdo moment.

I befasuat të gjithë në ceremoninë e “Djalli vishet me Prada” me stilin tënd shumë të guximshëm…

Më pëlqen të eksperimentoj me stilin edhe në këtë periudhë. Shtatzënia nuk do të thotë të humbasësh identitetin tënd në modë, përkundrazi, mendoj se është një moment ku feminiteti merr një tjetër dimension. Për eventin zgjodha një look shumë playful dhe pa rregulla tipike maternity, pantallona polka dots, stili oversized, një bluzë të zezë transparente që nxirrte bukur në pah pritjen e ëmbël dhe shtresa perlash për pak dramë klasike. Doja që look-u të ishte fashion, por edhe shumë i rehatshëm njëkohësisht… tamam si mënyra si po e jetoj këtë periudhë.

A ka ndryshuar pas shtatzënisë raporti yt me stilin?

Shtatzënia nuk ma ka ndryshuar stilin, thjesht ma ka bërë më të qartë çfarë ka vërtet rëndësi për mua te një veshje. Gjithmonë kam pasur një stil relaxed dhe oversized, ndaj nuk kam ndjerë nevojën të ndryshoj gardërobën rrënjësisht. Thjesht tani e vlerësoj edhe më shumë komoditetin dhe mënyrën si më bën të ndihem një outfit, jo vetëm si duket.

A ka ndonjë trend nga periudha e shtatzënisë që të pëlqen veçanërisht?

Më pëlqen shumë estetika “old money”, veshjet e pastra, elegante dhe minimaliste që nuk kanë nevojë shumë për të rënë në sy. Në këtë periudhë jam ndjerë edhe më afër atij stili, sepse më pëlqejnë veshjet timeless dhe kombinimet që funksionojnë bukur në çdo kohë. Sigurisht që i kam përqafuar edhe trendet e momentit, por gjithmonë duke i përshtatur brenda kësaj estetike që më përfaqëson, ruan atë autenticitet dhe aureolë elegance me të cilën dua të shpalos identitetin tim në publik.

Çfarë këshille stili do t’ua jepje vajzave shtatzëna?

Mos t’i bëjnë presion vetes për të qenë “si më parë”, sepse është normale që trupi dhe stili të ndryshojnë gjatë shtatzënisë. Më e rëndësishmja është të ruash feminitetin dhe të ndihesh mirë me veten në çdo fazë. Kur e pranon këtë periudhë me qetësi dhe vetëbesim, edhe mënyra si e shfaq veten ndryshon natyrshëm.

Kjo është pritja jote e parë e ëmbël, çfarë ka ndryshuar te ndjesitë?

Besoj që ndjesia më e veçantë është fakti që trupi yt po krijon një jetë dhe sado e bukur të tingëllojë, ndonjëherë është surreale. Në fillim, mes ritmit të përditshëm dhe faktit që barku ende nuk ishte rritur, nuk e përjetoja gjithmonë me vetëdije të plotë. Tani në muajin e 8, gjithçka është bërë më reale dhe e prekshme, edhe ndjesitë ndryshojnë. Bashkë me emocionin dhe lumturinë, vijnë natyrshëm edhe frikërat apo pasiguritë për gjithçka që të pret. Besoj se kjo është pjesa më njerëzore e gjithë eksperiencës. Edhe pse, duhet ta pranoj, pjesa më e bukur është që njerëzit fillojnë të të trajtojnë me shumë delikatesë dhe gjithmonë gjendet dikush që të pyesë: “Ke ngrënë gjë?” apo “Do pak?” dhe sinqerisht, nuk kam aspak ankesa për këtë pjesë.

Po në raport me bashkëshortin, çfarë ndryshimi sheh?

Shtatzënia është një nga ato faza që ta zhvesh marrëdhënien nga çdo sipërfaqe dhe të tregon shumë qartë kush është personi që ke në krah. Femra është ajo që kalon gjithë transformimin fizik dhe emocional, dhe sado pranë të jetë partneri, ai nuk mund ta përjetojë njësoj. Por një partner i vërtetë di ta mbajë këtë peshë emocionalisht bashkë me ty dhe ta bëjë rrugëtimin të ndihet më i lehtë dhe më të butë. Fatmirësisht, kjo periudhë na ka afruar në një dimension krejt tjetër. Ka krijuar më shumë qetësi, mirëkuptim dhe një intimitet emocional që mendoj se vetëm faza të tilla të jetës arrijnë ta sjellin. Dua të bëj një falënderim të veçantë për partnerin tim, që nuk ka munguar asnjëherë. Në çdo vizitë, në çdo moment ankthi apo urgjence, ai ka qenë aty. Ka qenë personi që ma ka bërë këtë rrugëtim më të lehtë, edhe në ditët kur e kam pasur të vështirë ta përballoj. Në fund të ditës, dashuria nuk matet vetëm me fjalë të mëdha.

Nëse do ta përshkruaje me një slogan marketingu këtë periudhë, si do të ishte?

Nëse do ta përshkruaja me një slogan, do të ishte: 'One life growing inside you. A whole universe awakening within you'. Sepse kjo periudhë nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e një jete të re, por me transformimin e thellë që ndodh brenda teje. Çdo ditë zbulon një forcë tjetër, një ndjeshmëri më të madhe dhe një dashuri që të ndryshon mënyrën si e sheh veten dhe jetën. Është e pabesueshme si, ndërsa krijon një jetë, rilind edhe ti bashkë me të.

A lexon shumë për mëmësinë apo po e jeton spontanisht?

Është definitivisht një miks. Kam kuriozitet për të lexuar dhe kuptuar më shumë rreth mëmësisë, por nuk dua ta jetoj këtë periudhë vetëm përmes teorive apo “rregullave perfekte”. Më pëlqen ideja e një balance mes informimit dhe instinktit. Në të njëjtën kohë, besoj shumë edhe te mënyra tradicionale, ato bisedat e gjata mes nënave, këshillat spontane, eksperiencat reale që kalojnë nga një brez te tjetri. Ka diçka autentike aty që asnjë libër nuk e zëvendëson plotësisht. Më pëlqen të eksploroj qasje të ndryshme ndaj prindërimit, pa humbur spontanitetin dhe emocionin e të zbuluarit të gjithçkaje rrugës.

Çfarë do të doje që fëmija yt të trashëgonte nga ty?

Do të doja të trashëgonte këmbënguljen për të mos u dorëzuar shpejt dhe iniciativën për të mos pritur kurrë që gjërat t’i vijnë vetë. Të ketë guximin të provojë, të kërkojë gjithmonë më shumë nga vetja dhe të hyjë në jetë me vetëbesim, por pa humbur thjeshtësinë.