
Angelina Jolie ka folur hapur për një aspekt shumë personal të jetës së saj, duke zbuluar se që nga ndarja me Brad Pitt në vitin 2016 nuk ka krijuar asnjë marrëdhënie të re sentimentale.
Në një intervistë për Yahoo Entertainment, aktorja rrëfeu se për vite me radhë e ka lënë në plan të dytë jetën e saj personale, pasi i gjithë fokusi i saj ka qenë te rritja e gjashtë fëmijëve dhe mirëqenia e familjes.
“Që nga divorci nuk kam dalë me askënd. Kam menduar se ajo pjesë e jetës sime nuk ishte më prioritet, sepse energjinë time e kam përqendruar te fëmijët,” u shpreh fituesja e çmimit Oscar.
Jolie tregoi se përvoja në filmin e saj të ri, “Couture”, e bëri të reflektojë ndryshe. Në këtë projekt ajo luan Maxine Walker, një regjisore që përballet me kancerin e gjirit dhe, mes sfidave personale, gjen sërish hapësirë për dashurinë.
Sipas aktores, interpretimi i këtij personazhi e ndihmoi të kuptonte se një grua mund të jetë plotësisht e përkushtuar ndaj fëmijëve, pa hequr dorë nga nevoja për të dashur dhe për t’u dashur.
“E kuptova se një nënë mund të vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj fëmijës së saj, por njëkohësisht të mos mohojë dëshirën për dashuri. Edhe kjo është pjesë e shërimit,” tha ajo.Aktorja pranoi gjithashtu se vitet e fundit kanë qenë emocionalisht të vështira për të.
“Jeta më ka lënduar. Tani ndiej se duhet ta jetoj sërish jetën dhe të ndihem e lirë,” u shpreh Jolie.
Sipas saj, një rol të rëndësishëm në këtë ndryshim kanë pasur vajzat Zahara, Shiloh dhe Vivienne, të cilat e kanë inkurajuar të mos e shohë veten vetëm si nënë, por edhe si gruan që ishte dikur.
Angelina Jolie dhe Brad Pitt, të cilët kanë gjashtë fëmijë së bashku, vazhdojnë ende përballjen ligjore lidhur me pronën e tyre Château Miraval në Francë. Ndërkohë, Brad Pitt prej vitit 2022 është në një lidhje me Ines de Ramon.
