KreuCelebrity

Pas më shumë se dy dekadash, ribashkohen Kassandra dhe Ignacio

Pas më shumë se dy dekadash, ribashkohen Kassandra dhe Ignacio
Një nga çiftet më të paharrueshme të telenovelave latine është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Coraima Torres dhe Osvaldo Ríos, protagonistët e serialit legjendar “Kassandra”, janë shfaqur sërish së bashku në publik pas më shumë se 25 vitesh.

Ribashkimi i dy aktorëve ka emocionuar fansat në mbarë botën, pasi është hera e parë pas shumë vitesh që ata marrin pjesë në të njëjtin event. Takimi u zhvillua në Dubai, ku të dy ishin të ftuar në edicionin e tretë të “Top Humanity Leaders Awards”.

“Kassandra”, e transmetuar fillimisht gjatë viteve 1992–1993, u shndërrua në një fenomen ndërkombëtar dhe mbetet një nga telenovelat më të suksesshme të të gjitha kohërave. Edhe në Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit, seriali gëzoi një popullaritet të jashtëzakonshëm gjatë viteve ’90, duke lënë gjurmë te një brez i tërë shikuesish.

Ritakimi i Coraima Torres dhe Osvaldo Ríos vjen rreth 34 vite pas nisjes së xhirimeve të serialit që i bëri të famshëm. Në ceremoninë e zhvilluar në Emiratet e Bashkuara Arabe, të dy artistët u nderuan me çmime për kontributin e tyre në art dhe për angazhimin në kauza humanitare.

Fotografitë e publikuara nga eventi kanë zgjuar nostalgji te fansat, të cilët kanë komentuar se pavarësisht kalimit të viteve, dyshja që interpretoi Kassandra-n dhe Ignacio-n vazhdon të ruajë të njëjtin karizëm që i bëri ikonë të ekranit.