KreuCelebrity

Cara Delevingne rrëfen momentin kur i shpëtoi vdekjes: “Kur u zgjova, doja të vdisja”

Cara Delevingne rrëfen momentin kur i shpëtoi vdekjes: “Kur u
Modelja dhe aktorja britanike Cara Delevingne ka ndarë një nga rrëfimet më të vështira të jetës së saj, duke folur hapur për periudhën kur varësia nga droga e çoi pranë vdekjes.

E ftuar në podcastin “The Louis Theroux Podcast”, 33-vjeçarja tregoi se përfundoi në spital pas konsumimit të kokainës, e cila dyshohet se ishte e përzier me opioide. Mjekët i administruan nalokson për t’i shpëtuar jetën.

“Më dhanë nalokson dhe u zgjova në spital. Kur hapa sytë, gjithçka ndryshoi,” rrëfeu ajo.

Sipas Delevingne, ishte partnerja e saj ajo që njoftoi menjëherë ambulancën dhe policinë, ndërsa kujton se momenti i zgjimit ishte emocionalisht shkatërrues.

“Doja të vdisja. Të shihja dhimbjen në fytyrat e njerëzve që doja ishte një nga gjërat më të dhimbshme që kam përjetuar,” tha modelja.

Ajo u ndal edhe te fotografitë e realizuara në vitin 2022 pas festivalit Burning Man, të cilat bënë xhiron e mediave. Cara zbuloi se pak çaste përpara se të fotografohej kishte kaluar një krizë epileptike të shkaktuar nga përdorimi i lëndëve narkotike.

Sipas saj, publikimi i atyre imazheve pati ndikim të drejtpërdrejtë në jetën profesionale.

“Humba punë si modele. Të gjithë heshtën dhe u shqetësuan për mua. Ishte një periudhë e tmerrshme,” u shpreh ajo.

Delevingne theksoi se kjo përvojë u bë pika e kthesës që e shtyu të kërkonte ndihmë të specializuar dhe të niste një program rehabilitimi, duke e konsideruar atë si fillimin e rrugës drejt rikuperimit.