KreuArt

Art, muzikë dhe emrat më të njohur italianë: Java e Kulturës Italiane udhëton në gjithë Shqipërinë

Art, muzikë dhe emrat më të njohur italianë: Java e

Për të gjithë adhuruesit e kulturës italiane dhe jo vetëm, Ambasada Italiane në Shqipëri vjen këtë muaj me një listë të gjatë eventesh të ndërthuruara mes koncertit, teatrit dhe filmit në 80-vjetorin e Republikës Italiane.

Në një konferencë për shtyp për mediat, të zhvilluar në Rezidencën e Italisë, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, u shpreh i lumtur dhe i entuziazmuar për këtë javë të veçantë, e cila kremton një mozaik traditash dhe kulturash.

Nën moton "MOZAIK", ky edicion shpreh pikërisht thelbin e Italisë, një ndërthurje traditash që bashkohen për të krijuar një pasuri të jashtëzakonshme.

Me pjesëmarrjen e një sërë emrash të njohur nga fusha të ndryshme të artit, Java e Kulturës Italiane do të shtrihet jo vetëm brenda kryeqytetit, por në të gjithë Shqipërinë si një indicie për të prezantuar më mirë kulturën italiane.

Lista e gjatë e eventeve fillon me datë 31 maj për të vijuar deri në 6 qershor, aktivitete këto që prekin artin pamor, muzikën, teatrin, kinematografinë dhe inovacionin. Sipari i aktiviteteve nis me dy evente paralele: në Tiranë do të jetë Kori i Alpinëve që do të sjellë këngët popullore që rrëfejnë shpirtin autentik italian, ndërsa në Berat dhe më pas në Gjirokastër Duo Jazz Giovanna Magro & Carlo Proto do të dhurojë një mbrëmje me klasikët italianë të sjellë në një stil modern me ndikime mesdhetare.

Në prezantimin e këtyre aktivitetetve në një konferencë për shtyp për mediat të zhvilluar nga ambasadori Marco Alberti, ishin të pranishëm edhe Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, Drejtori i ICE, Matteo Picariello, si dhe Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Alberti theksoi rëndësinë e këtij eventi i cili nënëvizon dhe një herë marrëdhëniet miqësore që vendi yn gëzon me shtetin fqinj, duke shtuar se kjo javë është pjesë e një strategjie shumë më të gjerë dhe ambicioze për të thyer çdo rekord të mëparshëm me plot 120 veprimtari të realizuara brenda një viti kalendarik (afërsisht 10 evente në muaj).

"Këtë Javë të Kulturës kemi një objektiv synojmë të arrijmë të paktën 500,000 shikime në rrjetet sociale brenda një jave," u shpreh Alberti. Ky synim synon ta bëjë sa më të përhapur e të qasshme propozimin kulturor italian, duke zgjeruar kështu rrjetin e institucioneve dhe bashkëpunëtorëve për të ardhmen.

Ambasadori njoftoi ekskluzivisht në konferencë edhe një aktivitet të minutës së fundit: një masterclass me titullin mjaft tërheqës "Creative Empathy" (Empatia Kreative). Ajo do të zhvillohet nga superarkitekti i njohur italian Mario Cucinella, më 4 qershor në orën 12:30 pranë Universitetit Politeknik të Tiranës një mundësi e artë për studentët dhe profesionistët e sektorit.

Një nga pikat kulmore të javës do të jetë padyshim koncerti i artitstit me emër Mario Biondi më 1 qershor në TKOB duke premtuar një mbrëmje magjike.

Programi vijon me ndalesa të rëndësishme në qytetin bregdetar të Vlorës, ku më 3 qershor do të jepet shfaqja kushtuar kantautorit të ndjerë Lucio Dalla, dhe më pas në 5 qershor në Lungomare, ku kantautori i njohur Mario Venuti do të festojë 30 vite karrierë.

Për adhuruesit e dizajnit, do të ketë një ekspozitë kushtuar mjeshtrit të madh Gaetano Pesce në COD  Tiranë si dhe dokumentarin për arkitekturën e Renzo Piano-s në Institutin Italian të Kulturës.

Ndërkohë, kinematografia do të udhëtojë në Gjirokastër e Vlorë me projektimin e 10 filmave me metrazh të shkurtër, dhe tradita më e bukur siçiliane do të vijë përmes Teatrit të Kukullave (Teatri i Kukullave, Tiranë).

I gjithë ky rrugëtim do të përmbyllet në jug të vendit, ku më 6 qershor në Amfiteatrin e Butrintit do të ngjitet shfaqja teatrale "Vizita" nga Davide Iodice, një bashkëprodhim mes Teatrit të Sardegna-s dhe Teatrit "Migjeni" të Shkodrës.

Përveç artit, kjo javë sjell edhe zhvillim ekonomik, më 4 qershor do të përuruhet selia e re e kompanisë Lutech në kompleksin Rezidencial Lakeview në Tiranë, duke dëshmuar rritjen e vazhdueshme të investimeve italiane në vendin tonë.