Udhëtim drejt kryemalit të shqiptarëve, lartësia e të cilit konsiderohet si një pjesë e rëndësishme e identitetit shpirtëror dhe kombëtar, me një peizazh të rrethuar prej mijëra vitesh ende me mister…
Madhështisë së Tomorrit i kanë shkruar penat e të gjithë poetëve, por edhe vizitorë të zakontë që e kanë shkelur atë ndër shekuj. Ky mal fsheh një misticitet të patreguar, nëse nuk arrin në lartësinë e tij maksimale, plot 2416 metra mbi nivelin e detit. Aty në dimër mund të shijosh panoramën bardhoshe përzier me hapësirat e kanioneve të thepisura, ndërsa në stinën e ngrohtë, ngjyra e klorofilit shfaqet ngado nëpër livadhet e pafundme që zbresin tatëpjetën. Nga kreshtat e thepisura deri në zonën e tëposhtme, ndihet prej së largu gurgullima e ujërave të burimeve që dalin me vrull nga gjiri i malit, për të krijuar më pas Osumin, që ecën qetësisht karshi qytetit të gurtë të Beratit.
Mund të zgjidhni të shkoni drejt majës së Tomorrit nga qyteti i Beratit, ku grupe të ndryshme organizohen me destinacion malin e shenjtë. Një rrugëtim i cili zgjat thuajse 3 orë dhe që përshkrohet nga një rrugë e asfaltuar, e cila takon herë pas here peizazhin e egër, gërshetuar me lumenj dhe kanione të thikta. Arritja në majën e malit Tomorr në këmbë është një ndërmarrje e cila mund të realizohet nga njerëz të stërvitur, një udhëtim që ka akoma më shumë adrenalinë, por që bart po ashtu edhe shumë emocione.
Në Vjeshtë një pjesë e konsiderueshme e hapësirave është e mbushur me ullishta dhe kullota të pafundme, të cilat në dimër thuajse fshihen nga bardhësia e dëborës, e përzier me të gjelbërtën e pishave dhe ahut, të cilat janë më të dukshme në lartësinë 1,200 metra.
Maja më e lartë e Tomorrit ngrihet në lartësinë 2416 metra mbi nivelin e detit, e prej andej mund të shohësh lehtësisht horizontin, pa asnjë rival tjetër përqark, duke e bërë kaq madhështor e mistik në të njëjtën kohë, ndërsa në pjerrësi mund të kqyrësh livadhet malore që përzjehen me majat e thepisura shkëmbore dhe humnerat e thella. Mbërritja në lartësinë 2,400 metra mbi nivelin e detit mund të realizohet me anë të xhipave 4×4, prej nga mund të shijoni një pamje spektakolare.
Në stinën e dimrit mali zbardhet i gjithi nga dëbora, por kjo nuk e ndalon aspak numrin e vizitorëve të cilët sprovojnë ngjitjen në kësulën e Tomorit, duke ndjekur shtigje sfiduese, e më pas për të zbritur i dorëzohen argëtimit dhe adrenalinës së skive, ndërsa një pjesë ndjekin pasionin e gjuetisë dimërore.
Duke ju referuar toponimeve, origjina vjen Tomaros ose Tamari dhe del në shkrimet e vjetra të Strabonit, duke u përmendur si mali pranë Dodonës. Aty mbretëronte Dodona Pellazgjike, ku edhe dikur ngrihej tempulli i saj, një vend që sipas gojëdhënave është i mbushur me krijesa misterioze dhe me një madhështi të patjetërsueshme. Madhështisë së tij i thurin vargje të gjithë poetët: Naim Frashëri, e konsideron si Olimpi i shqiptarëve dhe selia e zanave të maleve, ndërsa udhëtarët që kanë shkelur në majë të Tomorrit e quajnë pa pikë dyshimi si froni i perëndive, një vend që bart mister dhe bukuri. Prej gati 70 vitesh mali bën pjesë në parkun Kombëtar të Tomorrit, ku rritet pyje të pasura me drurë si: ahu evropian, pisha boshnjake, lajthia turke, gentiani i verdhë i madh, dhe veshtulla evropiane, ndërsa përsa i takon gjitarëve, aty rriten ujku, dhelpra, derri i egër, kaprolli, dhia e egra, lepujt, madje edhe shqiponjat e arta.
Pavarësisht sezoneve, mali i Tomorrit ofron mundësinë për të eksploruar sporte të ndryshme si shëtitje, hipur në kalë ose gomar, kanoe dhe ski, e derit tek ngjitjet në kembë përmes shpateve që janë krijuar enkas për këtë disiplinë.
Gjatë rrugëtimit për të arritur majën e shenjtë të malit, mund të bëni ndalesa në vende mjaft interesante. Shpella e Kapinovës, ndodhet në afërsi të fshatit Kapinovë, dhe është një shpellë karstike e gjatë 300 metra, e gjerë deri në 25 metra dhe e lartë 15 metra. Po kaq mbresëlënëse është Qafa e Kulmakut, e cila gjendet në 1430 metra mbi nivelin e detit, në juglindje të malit të Tomorrit dhe e ndan atë nga mali i Kulmakut. Në pjesën më perëndimore ndodhet edhe teqeja e Kulmakut, prej nga nis rruga automobilistike e cila përdoret për pelegrinazh fetar drejt varrit të Abaz Aliut.
Kur arrin më pranës majës, padyshim një efekt magjepsës do të ketë përballja me cirqet akullnajore të Tomorrit, të cilat ndodhen në shpatin verilindor në lartësinë 1900 metra mbi nivelin e detit. Ato janë forma të relievit akullnajor, të formuara nga gërryerja e akullnajave me një zgjatim prej 2 kilometrash, duke krijuar një pamje spektakolare.
Faltorja e Bektashinjve
Shumë pranë majës së malit, si një xhevahir i gjelbër gjendet Teqja, një faltore e kultit bektashian, e cila thuajse çdo vit në periudhën e gushtit tërheq drejt saj mijëra pelegrinë. Mendohet se ky objekt fetar, ku gjendet edhe varri i shenjtit Abaz Aliu, nipi i Muhamedit dhe themeluesi i vëllazërisë, është ndërtuar për nder të shenjtit. Mendohet se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllanë e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomorr, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorrit. Gojëdhënat hedhin dritë mbi forcën magjike dhe për shërimin e sëmundjeve që ka pasur ky vend, ndaj ende sot shumë shprehin respekt dhe nderim për këtë vend.
Ujëvara e Bogovës
Në zbritje, një ndalesë mjaft interesante janë ujëvarat e Bogovës, e cila është vendosur në një grykë të lartë 20 metra, e rrethuar me një seri pishinash të gjelbërta akuamarine. Ujëvarat e Bogovës janë një zonë ende e paprekur, e rrethuar me bimësi, ku mund të shijoni natyrën. Origjina e emrit Bogovë vjen nga gjuhët sllave, e cila në shqip përkthehet ekzaktësisht ‘e perëndive’, pra Ujëvara e Perëndive. Pak më sipër ujëvarës së burimit të Bogovës, gjendet edhe vrima e Dragoit, në lartësinë 321 metra mbi nivelin e detit, e cila ka formën e një galerie horizontale me disa degëzime, ndër të cilat më e madhja arrin deri në 100 metra.Gjatë stinës së dimrit, kur sasia e reshjeve rritet, ujërat dalin me trysni në Vrimën e Dragoit, ashtu si në legjendë që Dragoi nxjerr flakë nga goja.
Kulinaria
Pasi keni shijuar aventurën në Berat, por edhe restorantet e agroturizmit, mund të provoni shijen unike të kulinarisë, qoftë brenda qytetit por edhe në rrethinat e tij. Pjatat më tipike janë fërgesa, imam bajalldi, çomlek me mish, djathin e pjekur ose të skuqur që vjen direkt nga stanet, të shoqëruara me verën ose rakinë vendase. Gjellët karakteristike beratase janë mishi me kumbulla të thata, ose zog në saç me rosnica. Byreku me mish ose djathë, biftek i mbushur me arra ose turli me perime, janë artizanale, por ama krejtësisht të zonës. Gjithashtu mund të provoni trigonat ose revani me mjaltë dhe arra. Po kaq e famshme është vera Çobo, një krenari e Beratit, kantinë e cila prodhon verë 100 % produkt shqiptar e përftuar nga të gjitha varietetet e rrushit vendas. Disa nga më të preferuarat e kësaj marke janë: Kashmer, Shesh i Zi dhe Shesh i Bardhë.
Botuar në BORDO,Dhjetor-Janar 2023


Trendi i ri: Vitamina B12 për humbjen e peshës!





“Future Home Real Estate”, 7 vite lider në treg!


Horoskopi ditor, e hënë 26 shtator 2022




Horoskopi ditor, e premte 23 shtator 2022


Klea Huta rrëfen planet për dasmë!



Horoskopi ditor, e mërkurë 21 shtator 2022

