KreuCelebrity

Nga 24-29 janar; “Dita më e bukur” rikthehet në skenën e Teatrit Eksperimental!

“Dita më e bukur”, komedia aq shumë e pëlqyer, rikthehet në skenën e Teatrit Eksperimental javën që vjen, nga data 24 deri më 29 janar, në orën 19:00. Kasti i talentuar i aktorëve është gati për t’u ringjitur në skenë dhe për të dhuruar emocione të mëdha për të gjithë ata që nuk mundën ta shihnin shfaqjen disa muaj më parë, por edhe për ata që dëshirojnë ta rishohin.

“Dita më e bukur”, një vepër e autorit David Foenkinos me përkthim dhe regji nga Ledio Topallit, sjellë në role aktorët e mirënjohur dhe shumë të talentuar Gentian Zenelaj, Jorida Meta, Klodian Hoxha, Adelina Muça, dhe këngëtaren Sheila Haxhiraj. Kjo shfaqje prek realitetin e shoqërisë së sotme moderne ku njerëzit janë në kërkim të lumturisë, por që e kërkojnë atë në drejtimin e gabuar, duke mos u zhytur thellë brenda vetes së tyre e duke qenë sipërfaqësor.

Ziliqarë ndaj njëri-tjetrit e që nuk arrijnë të kuptojnë për çfarë ata realisht kanë nevojë dhe që kurrë nuk ndjehen të realizuar. Egoistë të pandreqshëm janë personazhet e kësaj vepre dhe kjo i bën ata të duken edhe më komike. Regjisori Ledio Topalli vendosi që me këtë shfaqje t’i rikthehet skenës së magjishme të Teatrit pas 15 vjetësh dhe në një intervistë për “Bordo” ai ka treguar se si erdhi ky projekt kaq i rëndësishëm,

“Gjatë kohës së pandemisë ju përkushtova gjuhës frënge dhe arrita që në një kohë të shkurtër të kisha një nivel shumë të mirë të gjuhës, e në këtë kohë kërkoja të lexoja sa më shumë libra në frengjisht që të përmirësoja nivelin gjuhësor. Ky ishte dhe momenti kur rashë në kontakt me këtë vepër që të them të drejtën edhe në frengjisht e lexova me një frymë. Në fakt as nuk e kisha fare ndër mend që t’i kthehesha skenës, por kjo pjesë më shenjoi dhe përshtypja e menjëhershme ishte që kjo do ngjisë shumë dhe do kishte impakt në publik. Edhe aty më lindi dëshira që t’i jap jetë këtij projekti”.

Ndërkohë për përzgjedhjen e kastit të aktorve ai u shpreh, “Që gjatë leximit të veprës unë e kisha të qartë cilët aktorë do kisha në cast. Dhe kur u kam dhënë aktorëve pjesën për ta lexuar u kam thënë gjithësecilit edhe personazhin përkatës. Por ajo që është më e rëndësishmja për mua është që aktorët të jenë bashkëpunues dhe të krijojmë një ansambël. Atmosfera pozitive në ekip është pika më e rëndësishme, për mua personalisht”.

*Rezervoni në numrin e telefonit 0695717746

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF