Violonçelisti shqiptar Iljard Shaba do të ngjitet mbrëmjen e sotme në skenën e madhe të Sanremos përkrah këngëtares me origjinë shqiptare Anna Oxa. Disa orë para spektaklit të madh, Iljard Shaba ka publikuar në rrjetin e tij social Instagram, instrumentin me të cilin do të performojë sot. “Ky instrument special i modifikuar nga unë do të jetë pjesë e festivalit të muzikës Sanremo sonte”, ka thënë shkruar ai.
Në mbrëmjen kushtuar dueteve, Anna Oxa do të shoqërohet në skenën e Ariston nga violonçelisti dhe DJ, Iljard Shaba, me të cilin do të performojë me këngën “Un’emozione da poco” që fitoi vendin e dytë në Festivalin e Sanremos në vitin 1978.
Pas përfundimit të studimeve muzikore në universitet, Iljard Shaba filloi karrierën e tij si muzikant profesionist dhe udhëtoi në të gjithë botën për të realizuar koncerte ‘live’. Ai filloi të luante violonçel në moshën 16-vjeçare dhe menjëherë u dallua për teknikën e tij të jashtëzakonshme dhe aftësinë e tij për të përzier violonçelin me muzikën elektronike. Ai ka qenë një DJ transformues për 10 vjet dhe aftësia e tij për të kombinuar stile dhe zhanre të ndryshme muzikore në një shfaqje të vetme e bën atë një artist të veçantë i cili tashmë është gati për të shpalosur talentin e tij në arenat ndërkombëtare.
Festivali “Sanremo 2023” ka nisur prej 7 shkurtit rrugëtimin e edicionit të 73 dhe të shtunën pritet të mbahet finalja e madhe, më 11 shkurt. Sonte është mbrëmja e katërt dhe secili nga artistët do të performojë, me një të ftuar special, një cover të një kënge kombëtare ose ndërkombëtare nga vitet 1960 deri në 2009.
Netët 1 dhe 2 (të martën dhe të mërkurën): 14 artistë performuan këngët e tyre çdo natë. Në fund të dy netëve, secila këngë u rendit nga juria e cila përbëhej nga media televizive/e shkruar, media radiofonike dhe media online për të përcaktuar rezultatet. Natën e tretë (të enjten): Të 28 këngët u interpretuan dhe u votuan 50% nga një publik i përbërë nga 1000 persona dhe 50% televotim për të prodhuar rezultatet për natën. Rezultatet e kësaj nate u kombinuan me rezultatet e dy netëve të para.
Ndërkohë të shtunën është nata e pestë dhe e fundit! Të 28 artistët performojnë këngën e tyre për herë të tretë me shpresën për të kaluar në raundin e dytë, superfinal. Superfinalja do të përbëhet nga 5 këngët më të mira dhe do të interpretohet sërish me shpresën për të fituar festivalin. Fituesi përcaktohet nga kushdo që merr më shumë vota në votimin përfundimtar dhe do të vazhdojë të përfaqësojë Italinë në Eurovision më 13 maj në Liverpool.
Të gjitha shfaqjet zhvillohen në teatrin legjendar Ariston dhe artistët priten nga ikonikët Amadeus, Gianni Morandi dhe Chiara Ferragni.