KreuBusull

Gomarët bëhen pjesë e terapisë për shëndetin mendor në Francë

Gomarët bëhen pjesë e terapisë për shëndetin
Një qendër spitalore në periferi të Parisit po përdor një metodë të pazakontë për të mbështetur pacientët që përballen me çrregullime të shëndetit mendor. Në fokus të këtij programi janë gomarët, të cilët po shërbejnë si pjesë e një terapie alternative për persona që vuajnë nga depresioni, ankthi, autizmi dhe skizofrenia.

Nisma, e cila është në zbatim prej vitit 2016, konsiderohet unike në Francë. Gjatë seancave, pacientët krijojnë kontakt të drejtpërdrejtë me kafshët, duke i ushqyer, shëtitur dhe kujdesur për to. Sipas specialistëve, ky ndërveprim ndikon pozitivisht në gjendjen emocionale të pacientëve dhe ndihmon në reduktimin e tensionit dhe izolimit social.

Mjekët raportojnë se shumë pjesëmarrës kanë treguar përmirësim në humor, qetësi më të madhe dhe rritje të vetëvlerësimit pas përfshirjes në program.

Stafi mjekësor sqaron se kjo formë terapie përdoret si mbështetje shtesë dhe jo si zëvendësim i trajtimeve tradicionale, por rezultatet e deritanishme janë vlerësuar si inkurajuese.

Falë suksesit të saj, iniciativa është zgjeruar me përfshirjen e kafshëve të tjera, mes tyre lepuj, dhi, breshka dhe zogj, duke ofruar më shumë mundësi ndërveprimi terapeutik për pacientët.