KreuCelebrity

Ekskluzive/ Të gjithë e duan Egzonën!

Ekskluzive/ Të gjithë e duan Egzonën!

Nga Olsi Kolami 

Fotografia: Elvis Sula

Në një botë virtuale, na ndodh të mbetemi pagojë, kur dëgjojmë një vokal të rrallë dhe të jashtëzakonshëm. Sepse ka shumë pak talente të vërtetë në muzikë, talente nga ata që duan të dalin në sipërfaqen e ujërave komercialë; ambiciozë që me thonj duan të ngjiten drejt majave, për të thithur oksigjen. Por shpesh, kur janë në krye, as talenti nuk i ndihmon dot, nëse nuk ke në krah një mentor. Në këto situata, më shumë sesa gjithçka, talenteve u duhet një Egzona, jo thjesht për arritur majat, por për t’u ngulur fort aty, e për të ecur drejt suksesit. Egzona Ademi është një super vajzë, pastaj një super këngëtare dhe super aktore, ashtu si i ati e ka quajtur dikur: e lindur për të qenë artiste. Vocal Coach-i zyrtar i “X Factor Albania” është nga ato vajza të talentuara, që ka kaluar gjithçka në lëkurën e saj. Fillimisht në “X Factor” si konkurrente, pastaj skenën e këngës e aktrimit, shpesh siç edhe e pranon, e gjendur në kushte pune jo fort të ndershme, ajo ja ka dalë. Ndaj e them me bindje se Egzona është një shkollë e përsosur për të rinjtë që e duan muzikë, aktrimin, artin, pa harruar që mbi të gjitha ka një zemër të madhe, një buzëqeshje fantastike, një shpirt të bukur e të lirë, ndaj unë, por edhe shumë që e njohin, e duan dhe e kanë për zemër...!

Ekskluzive/ Të gjithë e duan Egzonën!

Egzona sot një artiste dhe Vocal Coach i “X Factor”, si e kujton eksperiencën si ish-konkurrente?

Janë dy gjëra krejt të kundërta, edhe pse ndodh në një ambient të përbashkët: si ndjesi sigurisht që është ndryshe, sepse kanë kaluar 12 vite dhe njeriu rritet, zhvillohet, ndryshon pikëpamjet, qasjen ndaj materialeve muzikore. Mua personalisht më ka ndryshuar edhe mënyra e këndimit, kam pastruar disa gjëra të tepërta, kam përmirësuar teknikën dhe kjo vjen me eksperiencë! Për mua si artiste, “X Factor” ka qenë si një vitrinë e bukur muzikore, ku shpalosa talentin tim në disa zhanre muzikore dhe sigurisht më pas më janë hapur shumë dyer. Ja ku jam sot pas 12 viteve në Tiranë, Vocal Coach i grupit Mix në “X Factor”! Ndryshimi i vetëm sot, nga konkurrente dhe në coach është sepse si garuese e kisha përgjegjësi vetë, se si të prezantohen sa më mirë, ndërsa si Vocal Coach kam dyfish emocion dhe përgjegjësia ime ndahet mes katër super talenteve, të cilët nxjerrin në pah edhe punën time, në mënyrë të shkëlqyer!

Si ka qenë ky udhëtim, sepse vulosi jetën tuaj drejt artit?

Ky udhëtim ka qenë shumë i bukur, sepse përveçse mu hapen dyert, kam krijuar edhe shumë kontakte të reja, që më kanë ndihmuar në mënyrë që shtegu im artistik të jetë më i bukur, më frutdhënës dhe më i lehtë! Fillimisht qëllimi im ka qenë të merrja pjesë në “X Factor” dhe të kthehesha në Kosovë, por puna solli punën dhe ja ku po flasim 12 vite pas, më shumë eksperienca të bukura profesionale!

Pse u zhvendosët përfundimisht në Tiranë..., kishte një arsye?

Arsyeja nuk ishte të zhvendosesha! Unë jam një person që përshtatem në çdo ambient, por të jem e sinqertë, nuk e kisha menduar se do ta “braktisja” Prishtinën ndonjëherë. Tirana më ka dhuruar shumë momente të bukura, më pëlqen qyteti, klima dhe pavarësisht kushteve, që nuk janë të mira për ata që punojnë me ndershmëri, prapë e kam gjetur vetë. Kam krijuar këtu rrethin shoqëror, por nuk kam harruar kurrë ata që kam në Kosovë! Nuk jam penduar që i kam dhënë vetes dhe Tiranës një mundësi për t’u njohur dhe për ta dashuruar si qytet, Zoti e kishte shkruar të jem këtu dhe u jam mirënjohëse të gjithëve, që ma kanë bërë këtë rrugëtim kaq të bukur dhe me plot emocione!

Ekskluzive/ Të gjithë e duan Egzonën!

Shteroi dëshira për muzikën, që zgjodhët rrugën e aktrimit?

Aktrimin dhe muzikën i kam pasur gjithmonë në zemër. Dashuria për muzikën nuk shteron asnjëherë, muzika është jetë, ka aq shumë fuqi që të dërgojë në shumë dimensione brenda 3 minutave, aq sa mund të zgjasë një material muzikor. Muzika më shoqëron kudo, në çdo moment, edhe nëse nuk je aktive në skenë, sepse muzika është vetë dashuria. Përsa i përket aktrimit, kam qenë e diplomuar para se të merresha me muzikë profesionalisht, qoftë si këngëtare apo si vocal-coach. Si vocal coach kam punuar për disa vite të “Gjeniu i Vogël” dhe jap mësime kantoje te “Klea Huta Academy”. Jam e lidhur ngushtë me muzikën, ndërsa si aktore jam shfaqur më rrallë në teatër, në televizion kam qenë e angazhuar në disa spektakle humori, si: 2XL, “Portokalli” dhe tani “Fustanella”. Muzikën dhe aktrimin i kam të pandashme, por ndërkohë punoj dhe në radion ClubFM që transmetohet në Kosovë…!

Nga kush e ke trashëguar talentin artistik, cili ka qenë njeriu që të ka nxitur më shumë?

Talentin artistik sigurisht e kam trashëguar nga mami im, e cila ka qenë aktore në Teatrin Kombëtar të Kosovës, një grua e rrallë, me karakter shumë fisnik, të cilës i detyrohem shumë për këtë zgjedhje. Madje, ajo dhe babi duke parë vështirësitë e profesionit, paçka se është më i bukuri në botë, nuk më kanë bërë presion që të zgjidhja profesion tjetër. Më kanë paralajmëruar se çfarë më priste, por nuk janë bërë asnjëherë pengesë, përkundrazi më kanë mbështetur shumë dhe qëndruar afër me këshillat dhe dashurinë e pashteruar që kanë patur për mua. Babai im kishte dëshirë që të bëhesha mjeke, por unë ndoqa zemrën, ndaj ai më thoshte: ti moj vajzë ke lindur për art dhe je artiste.

Si ishte ky rikthim në “X Factor”?

Rikthimi në “X Factor” ishte i papritur. Është një punë që kërkon shumë impenjim, përkushtim dhe përgjegjësi! Ne punojmë me orare të gjata dhe lodhemi sigurisht, por kur konkurrentët këndojnë bukur, zbatojnë këshillat, shkëlqejnë dhe të emocionojnë në skenë, harrohet lodhja dhe të bëhet zemra mal! Unë i dashuroj formatet e tilla, për faktin se të falin shumë emocion. Para 12 viteve kisha për detyrë të falja unë emocion, ndërsa tani kam kënaqësi të përjetoj çdo tingull që ata nxjerrin, kam privilegjin të shijoj ndryshimin dhe rritjen e tyre artistike çdo mbrëmje. Kjo më bën shumë krenare, jam me fat që janë në grupin tim.

Kush i merr vendimet në skuadër, ju apo Zerka?

Zerka është shumë pozitiv, artist në shpirt dhe me këmbë në tokë. Jam shumë e lumtur që e kam në ekipin tim, Zerka vjen në prova, punojmë bashkë me konkurrentët, jep opinionin e tij që e vlerësoj gjithmonë, por Zerka më hap rrugë mua, sepse ka besim maksimal, duke marrë parasysh eksperiencën time si vocal coach. Gjithsesi, ne konsultohemi bashkë për gjithçka dhe vendimet i marrim bashkë!

Ekskluzive/ Të gjithë e duan Egzonën!

Çfarë ka ndryshe grupi Mix dhe pse fituesi duhet të jetë nga skuadra jote?

Grupi MIX është shumë interesant, konkurrentë nga background-e të ndryshme, kanë diversitet në karaktere, formim muzikor, eksperiencë në skenë dhe në pjekuri artistike. Ata kalojnë shumë mirë mes tyre dhe nuk besoj që në një kompeticion të ndodhë që konkurrentët ti thonë njëri-tjetrit me sinqeritet; ti do ta fitosh! Janë si një familje e vogël, ku përveç punës, ata janë plot humor, janë shpirti i festës dhe kjo i bën një grup kompakt dhe të gatshëm për çdo sfidë! Fituesi duhet të jetë nga skuadra ime, sepse i kanë të gjithë komponentët e yjeve skenikë, për të qenë artistë të vërtetë! Ata kanë dëshmuar se janë një nivel tjetër, si nga vokalet dhe nga performancat! Uroj me shpirt të fitojë grupi MIX !

Unë e di që ke me ta një raport special, ndaj më jep një përkufizim për secilin?

Borana, ose siç ne i themi Boralia, ka një zë shumë melodioz, një vajzë shumë e bukur, ambicioze dhe me stil, një showgirl e cila kujdeset për performancat e saj. I do këngët ritmike dhe aty i shkëlqen ylli në ballë!

Alba, një shpirt i brishtë që ka aftësi të transformohet në skenë, në një artiste të madhe jazi. Një zë me ngjirje natyrale dhe në skenë ka atë grintën e pangatërrueshme, me një shtrirje vokale të admirueshme.

Frank, nuk ka lindur në Vlorë, ai ka lindur në skenë. Në dukje me tipare të egra, por i butë në shpirt. Frank i jep shumë hijeshi skenës, me zërin e tij blues. Frank është me të vërtetë një uragan.

Ingrid, një kameleon i vërtetë! Ka një mobilizim të frikshëm në skenë, këndon zhanre e stile të ndryshme dhe shkëlqen te të gjitha. Ajo është e vogla jonë e madhe! Me zë potent dhe koloraturë të bukur vokale.

Jet, një  doktor që të shëron me këngë. Zë fantastik, transmeton emocion, një shtrirje vokale që e përdor me zgjuarsi. Ka qëndrim skenik, vallëzon bukur, si një artist ndërkombëtar, që ka ardhur për të na përshëndetur!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF