Fotografia: Anjeza Dyrmishi
Fituesja e medaljeve olimpike në një intervistë të pazakontë për “Bordo”, rrëfen për regjimin e saj ushqimor dhe gjithçka na duhet për ta patur një trup në formë të shkëlqyer
Askush nuk do ta kishte menduar që atletja Klodiana Shala, kampionia jonë e atletikës, është njësoj si ne kur vjen puna te të ngrënit. Madje nuk e mohon se i dashuron ëmbëlsirat dhe sërish linjat e saj janë gdhendur në një mënyrë të tillë, që na bëhet të mos e besojmë njëqind për qind për ato që thotë. Sekreti i Klodianës është regjimi ushqimor, i cili nuk ka lidhje aspak me dietën. Nëse dieta ju privon nga ushqimet, regjimi ushqimor ju lejon të hani gjithçka, por me masë. Nëse doni të keni një trup dhe një regjim spartan si ai i Klodiana Shalës, mësoni se çfarë ha, pi dhe gatuan ajo për të qenë kampionia shqiptare e atletikës.
Klodiana, a mbani ju si sportiste ndonjë nga ato dietat e frikshme?
Unë nuk kam lidhje fare me dietat, gjithmonë them regjim ushqimor.
Atëherë, si e mban atë ekuilibrin, jeni gjithmonë në formë?
E them shpesh çdo gjë me masë, sepse trupi do sheqerin, kripën, por e do dhe yndyrën, pra i do të gjitha. Prandaj kur bëjmë analizat, themi na mungon kjo apo na mungon ajo, apo kur e kemi të tepërt këtë. Pra, duhet të hamë gjithçka, por çdo gjë me masë.
Ka disa njerëz që thonë: edhe uji më shëndosh?
Këtë e dëgjoj shpesh herë edhe te vajzat që trajnoj. Më thonë nuk ha, se dhe uji më jep shëndet! Absolutisht që jo, nëse ne mbajmë një regjim ushqimor dhe nëse bëjmë aktivitet fizik. Shpesh herë them: hiqni ashensorin dhe makinën. Merrni dy bidonë uji në shtëpi dhe bëni 20 minuta stërvitje për muskujt, bëni kardio duke kërcyer me muzikë në shtëpi. Kaq mjafton! Pra, mos rrini në kafe 3 orë, por rrini 1 orë dhe bëni 20 minuta stërvitje në ditë.
Pra, ju thoni, jo dieta, por regjim ushqimor dhe sport?
Unë nuk jam për dietat, jam për regjim ushqimor dhe për t’i provuar të gjitha ushqimet. Edhe në breg të detit kur jemi, mund të bëjmë ushtrime kardio dhe tonifikimin për këmbët, vithet, krahët, për të gjitha. Vë re, se shumica kërkojnë vetëm vithe, por në fakt baza është shtylla kurrizore. Sepse plakja nuk na vjen te vithet, por te shtylla kurrizore. Për shumë njerëz sot është i rëndësishëm formimi i muskulaturës, por ama ne kemi nevojë për rezistencë, ndaj na ndodh shpesh që na merret fryma. Kardio është kryesore, prandaj edhe shahistët bëjnë aktivitet fizik, vetëm vrap. Baza e çdo sporti është atletika, jo sepse unë jam atlete, por jo më kot i thonë mbretëresha e sporteve.
A mund ta na zbulosh, cili është regjimi yt ushqimor sot?
Sot kam një tartar me salmon. Është një pjatë shumë e thjeshtë dhe e lehtë. Sekreti është te produktet e freskëta, ku me shumë rëndësi është përzgjedhja e salmonit.
Në shtëpi, çfarë gatuan më shpesh?
Unë gatuaj çdo gjë, përveç se petat e bakllavasë.
Pra, ju konsumoni dhe ëmbëlsirat?
Të gjitha ëmbëlsirat i konsumoj, madje edhe i gatuaj; bëj sheqerpare, revani dhe qumështor çdo javë.
Zakonisht konsumon më shumë në drekë apo në darkë?
Në fakt regjimin tim nuk e kam prishur kurrë, kam ndjekur vaktet duke respektuar regjimin, që kam krijuar prej vite. Por, kam edhe disa përbërës, si lëngun e mishit që nuk e kam ndarë asnjëherë, madje edhe tani që kam 11 vite që e kam lënë sportin, vijoj ta konsumoj.
Po përveç lëngut të kockave?
Po ashtu bulmetin, vezët, por gjithmonë me masë.
Shpesh bulmetin e lidhin me kolesterolin?
Jo aspak, unë kosin nuk e ndaj. Po ashtu, supën e drekës apo të darkës, kjo në varësi të stinës. Aty e gjej kolagjenin, si dhe te lëngu i kockave.
A e merrni në mënyrë organike?
Po gjithmonë në mënyrë organike dhe jam nga të vetmet sportiste, që preferoj këtë mënyrë.
Po suplementet ushqimore?
Zero, edhe pse e di që nuk mundemi t’i marrim të gjitha suplementet nëpërmjet ushqimit. Gjithmonë kur shoh analizat e vajzave me të cilat bëj palestër, për mungesat që kanë, pjesën e ushqimit ia lë në dorë nutricionistëve. Njësoj edhe për vitaminat, ia lë ta vlerësojnë profesionistët përkatës. Nëse do të bëjmë gjithsecili punën e vet, çdo gjë do të shkojë perfekt.
Ka një tendencë të përdorimit në masë të vitaminave, ju duket shqetësuese?
Në Shqipëri, në fakt janë bërë të gjithë instruktorë, nutricionistë, doktorë apo inxhinierë. Pavarësisht se unë kam bërë anatomi në shkollë dhe kam 30 vite karrierë sportive, për çdo gjë drejtohem te profesionistët.
Ma thatë që gatuani, a i kushtoni rëndësi pamjes apo shijes?
Të dyja, por pamjen dhe dekorin e kam shumë qejf. Në shtëpinë time, enët e kuzhinës janë kryesore. Shumë ushqime, si veza e peshkut, i kam ngrënë për herë të parë kur kam qenë në Norvegji, në vitin 1994 në Olimpiadë. Në 93-shin kam provuar sushin për herë të parë në Londër, në Lojërat Olimpike, dhe që atëherë unë nuk jam ndarë kurrë nga sushi.
Çfarë konsumon në darkë?
Darkën, si vakt, e kam filluar në fakt tani, sepse është me moshë dhe duhet të përshtatemi. Darkën e ha deri në orën 7:00, më pas nuk konsumoj asgjë. Para kësaj ore konsumoj fruta, kos me fruta pylli apo diçka të lehtë.
A duhet konsumuar ushqim para palestrës?
Të gjitha vaktet duhen zakonisht të jenë të plota, që të merren vitaminat dhe proteinat e duhura. E vetmja gjë e rëndësishme para palestrës, është që duhet të keni ngrënë 2 orë e gjysmë 3 orë para. Pra, çdo gjë është me masë. Nëse i bëjmë të gjitha me masën e duhur: të ngrënën, aktivitetin, të ecurit, të relaksuarit dhe gjumin që është shumë i rëndësishëm absolutisht, ne do të kemi një jetë shumë të shëndetshme. Shumica nuk e kuptojnë kur janë në rini, por plakjen nuk do ta shmangim absolutisht. Gjithmonë kam thënë: Të të ushqyerit mirë dhe të bërit aktivitet fizik, janë motër e vëlla.
A mund të na sugjeroni një program për çdo ditë?
Program që sugjeroj më shpesh është 20 minuta në ditë aktivitet fizik, sport, lëvizje dhe kohën për këtë gjithkush e gjen. Edhe pa shkuar në palestër, këtu duke qëndruar në divan mund të bëjmë ushtrime. Absolutisht që është shumë e rëndësishme dhe pjesa e të të ushqyerit, por të mundohemi që çdo frutë ta hamë në sezonin e tij.