Artistja e mirënjohur Manjola Nallbani ka qenë e ftuar këtë të diel në rubrikën “Muzikë kur dëgjoj” në programin “E diell” ku ka përjetuar emocione të forta. Manjola përjetoi emocione si rrallëherë në televizion, teksa krahas miqve të saj artistë u surprizua edhe nga e ëma, vëllai dhe nipi.
Videomesazhi për Manjola Nallbanin u hap përmes zërit të ëmbël fëminor të nipit të saj Glauk, i cili e quajti hallën ‘motla’.
“Motla! O motla të dua shumë!”- u dëgjua zëri i të voglit teksa mbushi studion dhe emocionoi fort halla Manjolën.
Menjëherë pas të voglit Glauk videomesazhi vijoi me një ndër njerëzit më të rëndësishëm në jetën e këngëtares Nallbani dhe ai është i vëllai Eraldi.
“Motra kështu të thërrisja dhe unë kur isha i vogël. O motra ime, o shoqja ime, o mentorja ime. sa dashuri ka vëllai yt për ty që nuk arrij dot kurrë t’i them me fjalë. Më ke ndenjur pranë në çdo moment të jetës që fëmijë. Tani që jam vetë baba me fëmijë, të cilët ti i do njësoj si fëmijët e tu. Edhe pse ishe e vogël ti prap kujdeseshe për mua. Vetë më ke thënë se doje të dilje të luaje me shoqet, por më shumë rrije me mua. Je kujdesur gjithë kohën deri sa unë fillova të rritesha nga pak. Më kujtohet çfarë bënim bashkë kur këndonim në koridor dhe unë mbaja ritmin duke i rënë dreës dhe gjithë komshinjtë dëgjonin, teksa unë bëja zërin e parë e ti të dytin. Edhe lufta për çokollata ka qenë epike. Fitoja unë si gjithmonë. Ti je një grua e jashtëzakonshme motër dhe kush të njeh e di mirë sesa grua e madhe je ti në shpirt, në profesion, në shoqëri, në familje e në gjithçka. Jam vëllai dhe njeriu më i lumtur në botë që të kam pasur pranë në çdo moment të jetës time. Të kam shpirt, të kam zemër. Të puth fort”- e përmbylli mesazhin e gjatë Eraldi, i cili u kujdes fort që të emocionojë jo vetëm Manjolën por gjithë studion e ‘E Diell’ teksa ndau në letrën e tij kujtime fëmijërie motër e vëlla.
Dhe si për ta përmbyllur në mënyrën më emotive të mundshme këtë surprizë, videomesazhit ju bashkua edhe nëna e Manjolës, nga e cila mësuam se ajo e quant të bijën Manji.
“Manji, për ty nuk kanë të mbaruara fjalët, sepse ti nuk krahasohesh me njeri në botë. Dihet dashuria që ka nëna për fëmijët, por unë jam më e lumtura sepse po e njëjta dashuri që kam unë për ty, ma ke kthyer edhe ti mua. Shpirti nënës, jeta ime”; e përmbylli nëna e Manjolës këtë videomesazh të mbushur plot me emocione të bukura.
E përlotur dhe me fjalët e mezidala nga goja, Manjola Nallbani tha se të derdhësh lot për emocione të tilla do të thotë të jesh me fat.