KreuCelebrity

Ermira Çausholli: Jeta ime në një botë vajzash!

Ermira Çausholli: Jeta ime në një botë vajzash!

Portreti i Ermira Çaushollit është gdhendur lehtësisht te shikuesit, si një prej figurave më të dashura televizive, por edhe imazhi i një gruaje që jeton në një botë vajzash. Kjo nuk ka të bëjë aspak me programin e saj “E ardhmja është vajzë”, por me familjen e saj: ajo ka katër vajza dhe së toku, përbëjnë një superskuadër fantastike! Të jetosh nën të njëjtën çati me vajza, shpesh nuk është aq e thjeshtë sa duket, por Ermira ja ka dalë. Ka vrapuar në punë, për të mos lënë asgjë mangët nga karriera, e pastaj, ka vijuar me përkushtim e dashuri detyrën e nënës, por edhe bashkëshortes, sepse siç shprehet ajo, familja e ndihmon gjithmonë për të realizuar, e për t’u realizuar, duke u kthyer në motivin më të bukur dhe mbështetjen e saj më të madhe...

Ermira, me vjen ndërmend ajo thënia: kush ka vajza, botën ka - po ti si do ta perifrazoje?

Sigurisht që me vajzat tona, ne kemi botën në shtëpi, por mendoj se gjithsecili prej nesh që ka fëmijë në shtëpi, qofshin vajza ose djem, të lindur vetë ose të adoptuar patjetër, që kanë botën në shtëpi.

Jam kurioz të di, si është të jesh 5 vajza në shtëpi?

Gjë më të bukur nuk ka. Është një shtëpi plot me vajza të bukura e të mbara.

E di që është vështirë të ndash fëmijët, por cila ka trashëguar nga secili prej jush, çfarë?

Të katërta vajzat, në pamje të parë i ngjajnë babait të tyre. Por, patjetër që trashëgojnë nga secili prej nesh më të mirat tona, përveç alergjisë që kanë marrë prej meje, e para dhe e treta. Korça dhe Shkodra miksohen shumë bukur te të katërta.

Ermira Çausholli: Jeta ime në një botë vajzash!

Cila është këshilla, që ju jep gjithmonë vajzave?

E para dhe më e shpeshta këshillë, që u jap vajzave të mia, është të duan fort njëra-tjetrën, të jenë mendimi i parë për njëra-tjetrën, të ecin përpara me kokën lart, të ndihmojnë, të buzëqeshin e të duan fort.

Kur takova Lunën, por edhe vajzat e tjera, ato reflektojnë edukatë e mirësi, si ja keni dalë të bëni karrierën dhe mamin me sukses?

Të jem një nënë e mirë, kam mësuar nga mamaja ime. Dashuria për fëmijët dhe rritja e tyre me prezencën time, më të shumtën e kohës, për mua u kthye në një pasion jete, që me lindjen e vajzës së parë, që u rrit gjithnjë e më shumë, me ardhjen e vajzave të tjera. Edhe puna që bëj është një nga pasionet e mia të hershme, dhe besoj që kur merresh me pasionet e tua, jo vetëm që nuk lodhesh kurrë, por edhe kohën e gjen gjithmonë. Pa i hyrë në pjesë njërës apo tjetrës.

A keni hequr dorë në ndonjë moment nga puna apo ndonjë projekt, për shkak të familjes?

Asnjëherë, nuk kam hequr dorë. Thjesht ndonjë projekt e kam shtyrë në kohë, por gjithmonë e kam realizuar. Familja më ndihmon gjithmonë për të realizuar, e për t’u realizuar. Është motivi më i bukur dhe mbështetja më e madhe.

Po bashkëshorti, sa ju ka mbështetur në aspektin profesional?

Maksimalisht, përtej çdo pritshmërie apo detyrimi që ka çdo bashkëshort për të mbështetur partneren e tij. I jam mirënjohëse pafund.

Ju dhe Arditi keni një jetë intensive, biznesi e televizioni, sa kohë gjeni për t’ju dedikuar vajzave?

Të parat janë vajzat. Për ato ka gjithmonë kohë. Të tjerat i mirëmenaxhojmë, ja dalim gjithmonë së bashku, të kryejmë detyrat, përgjegjësitë, patjetër edhe kënaqësitë që të jep jeta në familje. Vështirësitë i ndajmë me njëri-tjetrin, për të mos i reflektuar kurrë te fëmijët. Jemi superskuadër.

Ermira Çausholli: Jeta ime në një botë vajzash!

A keni një vend që ju bashkon familjarisht dhe e vizitoni shpesh?

Korçën dhe Shkodrën i duam shumë, por sigurisht edhe pranë detit shkojmë shpesh. Preferojmë Jonin, por dhe Adriatiku është i dashur për ne.

“E ardhmja është vajzë”, një markë e krijuar nga ju, mjaft motivuese, a do të kishit dashur një djalë?

Nuk më mungon askush që nuk është, por do t’i doja po njësoj edhe djemtë.

Cilat janë projektet tuaja aktuale, në ekran dhe jashtë tij?

Projekti më i rëndësishëm dhe i përhershëm për mua është familja. Për atë ka gjithmonë energji, dritë, vigjilencë, kohë dhe dashuri. Ndërsa përsa i përket ekranit, jam duke vijuar “E ardhmja është vajzë” në televizionin MCN, dhe ndërkohë kam dy vjet që mendoj dhe punoj për një projekt muzikor krejtësisht origjinal. Ashtu siç kanë qenë të gjitha projektet e mia televizive, që në krye të herës.

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF