Artisja e njohur e muzikës rrëfen në këtë intervistë për “Bordo” jetën e saj artistike, nga bursa që nuk ju dha për të ndjekur ëndrrën e saj për këngën, deri te studimet për aktrim në Akademinë e Arteve, jeta e saj për 16 vite në Gjermani, ku edhe u rikthye në skenë, derisa vendosi të shfaqej në Shqipëri me albumin e saj të parë në vitin 2006. Pas 18 vitesh në tregun muzikor, si një ndër artistet më të mira të folkut, këngëtarja labe ka treguar se ka arritur t’ia dalë, edhe pse sot muzika gjendet siç shprehet ajo, në një “çoroditje” mes skenës dhe botës virtuale. Për herë të parë Maya flet për jetën e saj private, dhuratën që i erdhi në jetë pak vite më parë, djali i saj, i cili tashmë është kthyer në një motiv të rëndësishëm të jetës së saj.
Si është historia e emrit Maja?
Mu kujtua një këngë greke me historinë time. Nga ta filloj, nga fundi apo nga fillimi? Si çdo artist, edhe unë i kam rrënjët shumë thellë në të kaluarën time. Gjithçka nis nga fëmijëria, sepse gjithçka e ka bazën në fëmijëri. Aty ka nisur në të vërtetë historia ime. E mbaj mend veten time, vetëm para fëmijëve të lagjes apo të rriturve, që mblidheshin dhe unë recitoja ose këndoja. Pastaj dalëngadalë në shkollë, kur mbarova 8-vjeçaren, konkurrova në Vlorë. Unë jam nga Dukati dhe shkova në qytet, ku konkurrova për kanto në shkollën e muzikës. Mbaj mend që profesori që na bënte provat, më tha: Shumë mirë, bravo!. Më pas shkova në konkursin kryesor, ku u vendos gjithçka. Atje e ndjeva veten mirë, prita përgjigjen e përzgjedhjes, por ajo nuk erdhi kurrë.
Pse çfarë ndodhi?
Duke qenë se nuk jetoja në qytet, përgjigjet vinin në atë kohë në këshillin e fshatit, ndaj unë nuk mora vesh asgjë. Vetëm pas 1 viti, kur kisha filluar shkollën e mesme, një shoqe e fëmijërisë, e cila ishte në shkollën e muzikës në Vlorë, më thotë; “Po ti Maja, pse nuk erdhe në shkollën e muzikës?”. Sepse nuk fitova, iu përgjigja. Ajo më tha: “Ti fitove, sepse e pashë emrin tënd”. Në ato vite të lije një vit shkollë nuk para ndodhte, ndaj vazhdova gjimnazin. Në fakt, në kohën e shkollës së mesme dhe në 8-vjeçare, unë kam qenë në skenë. Mbaj mend që njihesha edhe me epitetin, këngëtarja. Natyrisht isha dalluar edhe për lojën si aktore, madje kam edhe kujtime shumë të bukura në aktrim.
Si hyre sërish në rrugën e muzikës, për të ndjekur ëndrrën?
Edhe pse unë nuk shkova në shkollën e muzikës, pasi mbarova gjimnazin u diplomova për aktrim. Më pas punova një vit si asistent pedagoge në Akademinë e Arteve në Tiranë, me të madhin regjisorin, aktorin, yllin e kinematografisë shqiptare Rikard Larja. Pas kësaj eksperience, shkova në Gjermani për studime.
Si u zhvendoset në Gjermani?
Në Gjermani shkova për një kohë shumë të shkurtër, por ajo koha e shkurtër u bë 16 vite. Edhe pse mendoja që do të qëndroja 1 muaj ose 2 muaj, ky qëndrim nuk kishte lidhje aspak me të kënduarin, pasi isha aty si studente. Aty fillova të këndoj, krahas shkollës. Këndoja në fundjavë për shqiptarët dhe arrita të krijoj shumë shpejtë repertorin tim, i cili nuk kishte vetëm këngë jugu, por edhe të trevave të tjera, sepse ashtu ishte publiku, nga Kosova, Veriu apo Shqipëria e Mesme. Besoj se aty në të vërtetë u bëra këngëtare, pasi arrita të zotëroja skenën, duke kënduar çdo fundjavë për orë të tëra.
Kur mendove të krijoje këngët e tua?
Në vitin 2006 vendosa që të kem një album timin muzikor. Deri atë moment, kisha goxha sukses, shumë punë dhe kishte ardhur momenti të dilja në ekran, si këngëtare tashmë.
Pra, ju u fokusuat totalisht te kënga dhe e latë teatrin?
Dua të theksoj diçka, që është shumë e rëndësishme, sepse nuk ka qenë aspak e lehtë për mua. Përveç të kënduarit, arrita dhe të luaja role në një prej teatrove në Gjermani, madje edhe një film në televizionin gjerman në RTL. Këto ishin arritje goxha të rëndësishme për mua si artiste, por jeta ime vijoi në përgjithësi te muzika.
Albumi juaj i parë ishte “Lege Lege”, si e kujtoni?
Po, sepse pikërisht me albumin tim të parë, edhe këngët e mia të para nisën të shfaqen për herë të parë në ekran, saktësisht në dhjetor të 2006-s. Natyrisht që dua të falënderoj kompozitorin Adrian Hila, sepse gjithçka u bë në studion e tij, ndërsa në fillimet e mia “Max Producion” u kujdes për klipet e mia. Këngët e para kanë qenë krijimet e mia, qoftë në muzikë edhe në tekste, këngë të popullit të cilat i sollëm fatmirësisht shumë bukur, deri sa arrita të hyja shumë shpejt, në zemrat e artdashësve shqiptarë. Që në fillim, pata një sukses të papritur dhe për këtë i jam shumë mirënjohëse publikut, edhe Zotit.
Suksesi i albumit të parë, ju bindi të qëndronit në Shqipëri?
Nuk kisha plane për të ndenjur në Shqipëri, kisha menduar të bëja albumin dhe të kthehesha sërish në shtëpinë time në Gjermani. Por, një muaj pas daljes së albumit tim nisën kërkesat e para, koncerti im i parë ka qenë në Athinë për Vitin e Ri. Ishte një sukses i jashtëzakonshëm me të thënë të drejtën, ndonëse kisha një muaj në ekran. Kështu vazhdoi rrugëtimi im, klip pas klipi, këngë pas kënge, u zhvendosa në Shqipëri.
Pas 16 vitesh në Gjermani, a ka qenë e vështirë karriera në Shqipëri?
Asgjë nuk është e thjeshtë në rrugën tonë si artistë, por nëse arrin të hysh në një rrugë, duhet të vazhdosh ta mbash vendin tënd që ke arritur. Unë po mundohem ta mbaj, jam duke e mbajtur. Ka pengesa, ka vështirësi, sigurisht që po, sepse kjo punë bëhet me shpirt dhe jo gjithmonë jemi në gjendje të mirë emocionalisht. Sepse jeta ka themi ne tatëpjeta dhe të përpjeta, unë kam hasur momente shumë të rënda, tragjedi në familje apo edhe gëzime, e të gjitha këto natyrisht, nuk e kam gjendjen e duhur emocionale si dikur.
Çfarë mendon se ka ndryshuar?
Fillimet kanë patur më shumë pasion, jo se më ka humbur pasioni, por disa ngjarje lënë disi gjurmët e tyre, por Zoti përsëri të gëzon. Më gëzoi relativisht në kohën më të mirë biologjike të një nëne. Më bëri nënë në një moshë pak më të madhe, se sa ndodh zakonisht. Kjo ishte dhurata më e bukur që mora nga Zoti, por edhe nga vetja ime. Gjithçka që të dhuron ndjesia kur bëhesh nënë, është ndryshimi më i madh në jetën e një gruaje.
Maja tani ka një tjetër motiv të fortë në jetën e saj?
Me të vërtetë biri im tani më jep tjetër motiv. Ndonëse një nga motivet më të mëdha ngelet publiku, sepse është një punë ku jepet shpirti, djali im është një motiv shumë i fortë. Kohët e fundit ka kaluar një periudhë relativisht e gjatë, që nuk kam qenë në tregun e muzikës, por e ndiej ngrohtësinë e publikut gjithmonë. Kjo më bën të ndjehem krenare, e përgjegjshme dhe e detyruar moralisht që duhet të sjell projekte të mira muzikore. Kemi pak probleme me tregun muzikor, sepse është çoroditur mendoj për shkak të rrjeteve sociale dhe kjo më shumë, është një çoroditje shpirtërore...
Si e sheh tregun muzikor tani, krahasuar me atë që ka qenë vite më përpara?
Një pyetje e mirë dhe një përgjigje për të qenë sa më realiste, mendoj se ka qenë më mirë. Mendoj që ka patur më shumë shpirt në krijime, sepse krijimet janë ato që sjellin risinë dhe edukojnë në një farë mënyre publikun. Tani këtë e bëjnë rrjetet sociale: kanë të mirën se e çojnë lajmin menjëherë te publiku, por kanë të keqen se janë shumë manipuluese. Tani secili ka televizionin e vet. Këtu fillon e ngatërrohet bari i njomë me të thatin. Ka shumë artistë që bëjnë muzikë të mirë, kanë zëra shumë të bukur, janë artistë në shpirt, por ka edhe nga ata që imitojnë dhe kjo e çorodit publikun. Por sado artistë apo elementë të ndryshëm të futen në treg, dhe mirë bëjnë se ka vend për të gjithë, ajka ngelet ajkë dhe asnjë lloj rrjeti social, nuk mund të ta heqë atë që të ka dhënë Zoti.



















