Sharon Stone ka dhënë një intervistë të fundit për “InStyle”, ku në formën e një ankese ka zbuluar se në çdo tavolinë, edhe kur ka 15 veta të ftuar, ajo është personi që paguan. “Dal për darkë, me 15 persona në tavolinë dhe kush e merr faturën? Sigurisht unë. Dhe paguaj mbi 3000 dollarë gjithmonë, sa herë shkoj në një restorant”, u shpreh aktorja.
“Është shumë e shtrenjtë të jesh i famshëm”, shtoi më tej 65-vjeçarja. Stone ka pranuar se shumë nga shpenzimet e saj të shpeshta, përfshijnë blerjet e shtëpive të reja, pagesa për stafin e sigurisë, publicistin, grimierët dhe menaxherët.
Edhe pse pasuria e saj i kalon 40 milionë dollarët dhe vazhdon të rritet, Sharon mendon se jeta e saj është shumë e shtrenjtë. Por kur vjen puna për të ecur para me karrierën, Sharon Stone nuk kursehet aspak. Vetë aktorja ka zbuluar në 2021-shin se ka hequr dorë nga 1/3 e pagesës së saj për filmin e xhiruar në 1995-ën “The Quick and the Dead”, vetëm që Leonardo DiCaprio të bëhej pjesë e atij filmi.
“Unë nuk doja të isha pjesë e një filmi të kotë dhe Leonardo ishte një super yll. Ai mbushi 18 vjeç në setin e filmit dhe unë doja të ishte djali im në film”, ka rrëfyer aktorja.
Sipas detajeve që ka zbuluar, pagesa e saj fillestare për të qenë protagoniste në filmin në fjalë të publikuar në 1995-ën ka qenë 3 milionë dollarë. Ajo hoqi dorë nga shuma prej 1 milion dollarësh vetëm që DiCaprio të luante në film.