Fotografia: Elvis Sula
Veshja për Rean është shumë më shumë sesa një copë e disa aksesorë hedhur trupit për t’u dukur bukur. Ajo e përshkruan veten si natyrë introverte, ku nëpërmjet stilit të veshjes shpesh ka shprehur gjithçka që s’mund ta thotë me fjalë. Rea është e bindur se në periudha tejet të vështira të jetës ka qenë pikërisht pasioni për modën që e ka ‘shpëtuar’, duke e përdorur si urë komunikimi pa patur nevojë të japë shpjegime.
Rea, kur ke bërë shopping për herë të fundit? Çfarë bleve?
Shopping për herë të fundit kam bërë përpara 3 ditësh. Kam blerë një palë rroba banjo dhe një kostum lino të bardhë. Unë kam një fiksim të çuditshëm me rrobat e banjos. E pranoj. Dhe nuk ndihem fajtore për këtë. Ndërsa linoja më shoqëron gjatë gjithë stinës së verës. Nuk e imagjinoj dot të jetë ndryshe.
Bën blerje impulsive dhe më pas pendohesh?
Të them të drejtën ka kohë që nuk bëj më blerje impulsive. Jam në epokën time të krijimit të një gardërobe kapsulë. Intuitën e kam pikën time më të fortë dhe e përdor shumë kur bëj blerje dhe shyqyr Zotit sensi i kombinimit, nuk më mungon. Por dhe në rastet kur jam penduar për ndonjë blerje, për motrën time të vogël le të themi, ka qenë një ditë me fat. Çdo gjë kalon në duart e saj.
Cila është blerja më e shtrenjtë, për të cilën je penduar më pas?
Një palë syze. O Zot, sa të mëdha më rrinë! Nuk e di ku i pata sytë!
Stilin tënd të veshjes, kush dhe çfarë ta ka krijuar?
Kjo është pjesa ime e preferuar e historisë. Përfundimisht është gjenetike. Të paktën në rastin tim. Gjithë familja ime vishet bukur. Ose më saktë fisi im. Duke nisur që nga gjyshja që vazhdon vesh printe leopard edhe në këtë moshë, për të kaluar te mami që është inspirimi im më i madh, por edhe halla, tezja… Në fakt sapo e lexova si pyetje, gjëja e parë që me erdhi në mendje është një kosh i kuq, ku vendosja rrobat kur kam qenë e vogël. E ktheja mbi 20 herë në ditë përmbys dhe ndërroja outfitet (qesh). Isha vetëm 5 vjeçe. Madje mbaj mend që mami me hallën kishin shoqe të ngushtë një stiliste dhe i qepnin rrobat atje. I kemi ende në dollap. O Zot, kaq të bukura! Një ëndërr! Dhe sa herë i përdor ato veshje edhe në ditët e sotme, marr pafund pyetje. Mund të them që gjëja më e mirë që ime më ka bërë, është që i ka ruajtur veshjet e saj më të mira dhe të njëjtën gjë do të bëj edhe unë në të ardhmen, t’ia trashëgoj vajzës, nëse do të kem sigurisht. Gjithmonë e kam ndjerë të vishem ndryshe, të krijoj, të eksperimentoj me trendet e fundit, por t’i përshtas me stilin tim. Kam kuptuar që mund të vesh gjithçka. Mjafton të më pëlqejë dhe të ndihem vetvetja.
Ke blerë ndonjëherë te të përdorurat?
A kam blerë the?! Sa herë që më jepet mundësia. Po të mos isha alergjike, çdo të diel atje do të më kishe.
Çfarë do të vishje nëse do të dilje në një takim të parë romantik?
Tani, le të qëndrojmë pak këtu. Unë mendoj se në një takim të parë, duhet të jesh sa më vetvetja, me një moderim të lehtë, le të themi. Çdo gjë varet nga ku do të zhvillohet takimi. Por, personalisht me siguri do të preferoja diçka të thjeshtë, të tipit një fustan, një të kuq buzësh, ‘a big smile & a lot of confidence’. Kemi kohë për të treguar bishën e vërtetë (qesh).
Je ti mikesha me të cilën shoqet këshillohen në WhatsApp për veshjet?
Absolutisht po! Dhe kam një problem me taktin. Ndonjëherë mërziten me mua, por prapë tek unë kthehen. S’kanë ku shkojnë.
Cili është trendi më shëmtuar sipas teje, që s'do ta vishje kurrë edhe nëse është në modë?
Pyetja më e thjeshtë. I ke parasysh ato jeleket me pelush? Do të doja të mos kishin ekzistuar kurrë.
Cila është veshja më e lirë dhe më me stil që ke në gardërobë, sa ka kushtuar?
Unë kam shumë veshje të lira në gardërobë të blera te të përdorurat, ashtu siç mund të kem edhe disa relativisht të shtrenjta. Për mua nuk ka rëndësi vlera, për sa kohë që nuk ngjan ‘cheap’. Kam blerë një palë sandale 50 lekë. Po, po, pra 500 lekë të vjetra. Dhe ngjaj si zonjë me to.
Cili është stilisti yt i preferuar?
Seç ka ai Tommy Hilfiger që nuk gabon kurrë!
Një brand që do ta vishje gjithë jetën?
Besoj Zara. Sado e pasur të jem, unë gjithmonë do të kaloj njëherë nga Zara.



















