Shtëpia e Ricky Martin në Beverly Hills, është e gjitha prej xhami dhe sapo i biem ziles, shohim artistin teksa kërcen nga gëzimi përmes hollit, duke u përgjigjur në citofon. Muret e shtëpisë janë të veshura me kadife blu dhe ngado sheh foto të artistit me fëmijët e tij. Në fakt, ka diçka tipike prej adoleshenti në sjelljen e tij – tejet lozonjar dhe mikpritës, teksa hap derën, na përshëndet dhe na fton brenda, duke kaluar para një fotoje me kornizë në mur, ku shfaqet ai me një buzëqeshje rrezatuese.
Këto janë ditë të ngarkuara për Martinin, i cili, gati 25 vjet pas ditëve të suksesshme të “Livin' la Vida Loca”, e gjen veten në një rikthim tjetër, jo vetëm në skenë, por edhe në ekran. Një turne me Pitbull dhe Enrique Iglesias dhe një serial në Apple TV+ me titull “Palm Royale”, ku flitet për ngjarje të viteve 1960. “Herën e parë që isha para kamerës, thashë: Kjo është ajo që dua të bëj përgjithmonë. Duket se tani ky rikthim në ekran, më bën entuziast më shumë edhe sesa muzika. Muzika për mua është thjesht një valë sërfi, diçka e pakontrollueshme, kurse filmi më bën të impenjohem seriozisht”.
Ylli i muzikës me mbi 70 milionë disqe të shitura, tani duke më i plotësuar se kurrë, por kjo nuk do të thotë aspak se ka harruar të shkuarën e vështirë. Tani, në moshën e mesme, ai ka hyrë në një fazë të re. Sigurisht, ai nuk duket si asnjë 52-vjeçar që mund të keni takuar ndonjëherë, pasi ka një pamje rinore, shumë stil në veshje dhe më besoni nuk i shfaqet asnjë rrudhë në ballë, madje edhe kur buzëqesh.
Seriali i vendos ngjarjet në vitin 1969, ku Maxine Dellacorte përpiqet të zërë një vend në shoqërinë e lartë, përmes klubit më ekskluziv në qytet, Palm Royale, ku Ricky luan rolin e një kamarieri seksi, i rrethuar nga gra të pasura, që e joshin, por ai në fakt është gay. Ishte një kohë kur ishte e paligjshme të ishe homoseksual, ndaj atij i duhet të krijojë marrëdhënie të mira me të gjithë klientët. Ndaj kur e pyet se çfarë e shtyu të luante këtë rol, ai nuk e mohon se ishte një histori e mahnitshme, nga ato që i kishte lexuar vetëm nëpër libra, ndaj të ishte pjesë e kastit, ishte sikur po prekte ëndrrën dhe një epokë që e kishte adhuruar. “Doja të isha pjesë e një projekti, që i bën njerëzit të mendojnë me një sens humori. Ky ishte skenari më i mirë që kisha lexuar, sepse mua më pëlqen aktrimi”.
Siç thonë, "Zoti është në detaje", ndaj veshjet padyshim mbeten një tjetër arsye, pse ai pranoi ofertën. “Kisha veshur një këmishë nga ato që ishin bërë në vitet '60 dhe m’u duk sikur ishte krijuar për mua, pa folur pastaj për Speedo-t e çuditshme”, kujton Martin. Ndihet me fat që ishte pjesë e këtij projekti televiziv, duke e pranuar se personazhi që luante ishte me disa nënshtresa, ku heshtja dhe të qenit fjalëpakë janë shumë të fuqishme. “Ishte diçka që më dha shumë forcë dhe emocion, kuptova se frika e të qenit i refuzuar, nxjerr në pah ato emocione të errëta që nëse dalin në sipërfaqe, na ndihmojnë të krijojmë atë që jemi në të vërtetë”.
Por përtej karrierës, puna më impenjuese mbetet ajo si familjar. Martin ka katër fëmijë nga surrogacia – dy djem binjakë që i pati kur ishte beqar në vitin 2008, dhe dhjetë vjet më pas, u bë baba i një vajze dhe djali, duke ndarë prindërimin me Jwan Yosef. Pas gjashtë vitesh martesë, ata vendosën të divorcoheshin, ndaj nëna e Martinit, u zhvendos nga Puerto Riko, për të ndihmuar Rickyn në detyrat familjare. Martin është një baba shumë aktiv. Ai i ndjek fëmijët në stërvitje dhe kur kthehet gatuan për ta, duke darkuar gjithmonë së bashku. Dy djemtë e mëdhenj janë 15 vjeç - Matteo dhe Valentino, as nuk e ndërpresin videolojën në dhomën e ndenjes, ndërsa ne vizitojmë shtëpinë. Ata janë të ftohtë jo më kot, pasi një gardh i lartë rrethon prej vitesh pronën ku ata jetojnë nga frika e paparacëve, që lëvizin shpesh nëpër lagje.
I lindur dhe rritur në një familje të klasës së mesme në San Juan, atij iu desh të kalonte një det me pengesa për të gjetur audiencën e tij, e të mendosh gjithë ky sukses erdhi në një kohë kur interneti nuk i jepte njerëzve kaq famë e pasuri sa sot. Qysh atëherë ka qenë një zemërthyes, jo vetëm në botën spanjolle, sidomos teksa këndonte dhe dridhte ijet me sensualitet mbi dy këmbë të gdhendura. Karriera nisi me një grup muzikor, derisa ai vendosi të këndonte si solist, duke u kthyer në një personazh jashtëzakonisht të dashur në Amerikën Latine. “Fama, paratë, vajzat që bërtasin – ishte diçka që më pëlqeu shumë fillimisht”, thotë ai. Kalimi i tij në një yll muzike me përmasa pothuajse galaktike, erdhi sidomos kur nisi të pëlqehej nga audienca në gjuhën angleze, duke e renditur ndër artistët më të njohur, aq sa ju besua himni i Kupës së Botës - "La Copa de la Vida" në 1999. Të nesërmen, Martin ishte historia e faqeve të parë në media. Por më pas erdhi goditja që ai nuk do t'i shpëtonte dot kurrë. Të qenit i famshëm e përfshiu në një botë ku jeta e tij, ishte qendra e universit.
Ricky Martin është homoseksual, një fakt të cilin ai e kishte pranuar qysh i ri te prindërit e tij, por tani mendonte nëse mund t'ia tregonte botës. “Miqtë e ngushtë më thanë: Po e pranove, ky do të jetë fundi i karrierës sate. Unë isha njeriu i momentit me 'Livin' la Vida Loca' dhe nga mua pritej të tregohesha i sinqertë”, kujton ai. Çdo homoseksual e di se si është të fshihesh, por Martin po e bënte këtë në një shkallë të pamundur për t'u kuptuar. “Sa herë që shoh sot një adoleshent homoseksual, dua t’i them: je shumë me fat”, thotë ai. Nuk e mohon se ndihet edhe sot e kësaj dite në faj që u kërkoi familjarëve ta ruanin sekretin. “Nuk dua të ndiheni në faj apo t’ju vijë turp nga mua, mjafton të vishni këpucët e mia dhe do ta dini se çfarë po kaloja”, Pas lindjes së fëmijëve të tij të parë, ai e kuptoi se nuk mund të pretendonte më shumë nga jeta. Ai publikoi një letër në faqen e tij të internetit në vitin 2010, ku deklaroi: “Jam krenar që jam homoseksual”. Tani ai është më i lirshëm dhe nuk përpiqet të fshehë jetën e tij private, por nuk të befason kur thotë se do ta mbrojë atë me çdo kusht.