Viti 2026 sjell një tjetër këndvështrim për interior dizajnin. Larg minimalizmit të ftohtë - tani do të ndjeni një stil më të ngrohtë dhe më natyral, me mobilie me forma skulpturore, materiale natyrore dhe tekstura me motive artistike, hapësira multifunksionale, ndriçim modular dhe kuzhina me elemente retro të viteve '90.
Tonalitete natyrale
Ndryshe nga moda e veshjeve, e bardha në interior dizajn zëvendësohet me nuancat natyrale, si: rëra, karamel, terrakotë, blu e butë dhe jeshile natyrore, të cilat dhurojnë një ambient më të ngrohtë.

Guxo me Rebel Pink
Për ata që duan ta kthejnë shtëpinë përmbys, IKEA sugjeron Rebel Pink dhe tonalitete më të ndezura, të cilat janë në trend dhe kanë aftësinë të sjellin përmes dekorit dhe aksesorëve shumë gëzim dhe energji.

Format e harkuara
Sivjet do të shihni më shumë forma të harkuara dhe kurba befasuese, nga karriget tubolare te mobiliet me silueta organike, por pa e humbur komoditetin, duke riformatuar hapësirat dhe ruajtur një prekje elegante.

Materialet
Materiale natyrore si druri apo bambuja do të mbizotërojnë ngado në shtëpitë e vitit 2026. Po ashtu, guri natyral dhe elemente që kanë në fokus 'jo perfeksionin' do të bien në sy ngado.

Teksturat
Po ashtu teksturat e frymëzuara nga punimet e dorës, si tekstilet, detajet e frymëzuara nga artet pamore si piktura apo kinemaja, do të gjallojnë çdo kënd të shtëpisë, duke dhuruar një ndjesi midis artistikes, artizanales dhe autentikes. Muret do të mbushen me piktura, llampadarë me forma skulpturore apo tapete e pllaka me motive organike.

Ndriçimi
Sivjet të gjitha format e ndriçimit nuk do të jenë vetëm funksionale, por edhe skulpturale. Drita të buta, modulare dhe me tonalitete që ndryshojnë sipas nevojës, do të jenë prezente në dhomën e gjumit dhe atë të ndenjes, duke dhuruar një atmosferë e cila përshtatet me çdo moment.

Minimalizëm i ngrohtë
Nuk kishte ndodhur më parë që stili minimalist të ishte kaq i ngrohtë sa sivjet. Teksturat me bazë materialet natyrale duken sikur i japin shpirt minimalizmit, duke gërshetuar funksionet me një ndjesi të fortë estetike, ku hapësirat mund të shndërrohen lehtë nga zyrë në ambient relaksi apo hapësirë kreativiteti.

Kuzhina Retro
Quhet Neo Deco dhe është një përzierje e klasikes me art deco, por në thelb është një 'rishpikje' e stilit të kuzhinave të viteve '90. Motive dhe detaje që sjellin ngrohtësi, por të riinterpretuara me një stil më modern dhe elegant.

-
3 libra që duhet t'i lexoni patjetër këtë fillim viti!
24 Janar, 10:59 -


