S.Pellegrino ka shpallur zyrtarisht hapjen e aplikimeve për edicionin e shtatë të kompeticionit ndërkombëtar “S.Pellegrino Young Chef Academy Competition 2026–27”, një nga platformat më prestigjioze në botë për zbulimin dhe mbështetjen e kuzhinierëve të rinj nën moshën 30-vjeçare.
Aplikimet do të qëndrojnë të hapura për katër muaj, nga data 16 shkurt 2026 deri më 9 qershor 2026, duke ftuar talente nga e gjithë bota të bëhen pjesë e një eksperience që synon të formësojë të ardhmen e gastronomisë globale.
S.Pellegrino Young Chef Academy nuk është vetëm një kompeticion kulinar, por një platformë ndërkombëtare që promovon talentin, kreativitetin dhe zhvillimin profesional të shefave të rinj. Përmes mentorimit nga emrat më të njohur të gastronomisë botërore, pjesëmarrësit kanë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të fitojnë promovim në arenën ndërkombëtare.
Kandidatët do të përzgjidhen nga ALMA – International School of Italian Culinary Arts dhe do të ndahen në 15 rajone globale. Fillimisht, ata do të garojnë në finalet rajonale, ndërsa fituesit e secilit rajon do të avancojnë në Finalen e Madhe.
Gjatë gjithë kompeticionit, pjesëmarrësit do të vlerësohen mbi tre elementë kryesorë: aftësitë teknike, kreativitetin dhe vetëbesimin në aftësitë personale.
Qëllimi i iniciativës është të identifikojë kuzhinierët më të talentuar në botë, t’i mbështesë ata me edukim, mentorim dhe mundësi profesionale, si dhe të nxisë shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave përmes një rrjeti global kuzhinierësh. Programi promovon gjithashtu vlera të rëndësishme si qëndrueshmëria, përgjegjësia sociale dhe përfshirja në gastronomi.
Pjesëmarrësit do të kenë akses falas në programe ekskluzive trajnimi online, workshop-e dhe evente lokale, si dhe mundësi për të bashkëpunuar me disa nga kuzhinierët më të njohur në botë. Akademia ofron gjithashtu mundësi punësimi përmes një platforme ekskluzive për anëtarët e saj.
Në kompeticion mund të aplikojnë kuzhinierë të rinj nga mosha 18 deri në 30 vjeç, të cilët kanë të paktën një vit eksperiencë pune si Shef Ekzekutiv, Shef Kuzhine, Zëvendës Shef Kuzhine, Shef Seksioni apo Ndihmës Kuzhinier, si dhe janë aktualisht të punësuar.
Kriteret kryesore të vlerësimit përfshijnë aftësitë teknike në përzgjedhjen dhe përpunimin e lëndëve të para, përdorimin e teknikave të gatimit, kreativitetin në krijimin e një identiteti kulinar autentik dhe bashkëkohor, si dhe aftësinë për të shprehur vizionin personal përmes pjatës së prezantuar.
Në finalet rajonale, kandidatët do të vlerësohen nga një juri profesionale me sistem pikëzimi nga 1 deri në 10. Kandidati me rezultatin më të lartë do të shpallet finalist rajonal dhe do të sigurojë pjesëmarrjen në Finalen e Madhe, i mbështetur nga një shef mentor gjatë rrugëtimit të tij profesional.
Në Finalen e Madhe do të ndahen edhe tre çmime speciale:
S.Pellegrino Social Responsibility Award, për qëndrueshmërinë në gastronomi dhe ndikimin pozitiv në mjedis;
Fine Dining Lovers Award, për aftësinë e pjatës për të reflektuar identitetin dhe filozofinë personale të shefit;
Acqua Panna Connection in Gastronomy Award, për ndërthurjen e traditës kulinare me inovacionin modern.
Në përmbyllje të kompeticionit, 15 finalistët rajonalë do të prezantojnë Pjatat e tyre Përfaqësuese përpara një jurie ndërkombëtare prej shtatë shefash të njohur. Finalisti me rezultatin më të lartë do të shpallet fitues i “S.Pellegrino Young Chef Academy Award 2026–27”, çmimi kryesor që vlerëson talentin më të spikatur në gastronominë globale.
Për informacione të detajuara
https://www.sanpellegrinoyoungchefacademy.com/the-competition
https://www.sanpellegrinoyoungchefacademy.com/the-competition/application-form
