Nga Olsi Kolami
Fotografia: Andis Rado
Nga skena e Tiranës, kur ende fëmijë provoi emocionet e para të duartrokitjeve, Gentian Doda ka udhëtuar kudo nëpër botë përmes baletit, nga Verona në Madrid, Berlin, e të tjera. Gentiani, balerini dhe koreografi i skenave botërore, vendos të na tregojë këtë udhëtim plot emocione, por edhe mënyrën sesi arti që ai krijon ka evoluar, shpesh duke prekur edhe motive nga folklori shqiptar. Ky vit për të do të jetë i veçantë, pasi në bashkëpunim me artistin meksikan Erick Meyenberg, do të përfaqësojë Meksikën në Bienalen e Venecias 2024. “Kjo ka vlerë të veçantë për mua, sepse e fut krijimin tim në një kontekst tjetër. Është një krijim me pikënisje shumë personale”.
Gentian, sot ka shumë prindër që i çojnë fëmijët në kurse baleti, më shumë si një ‘hobby’, por dikur ishte ndryshe, si e ndoqët ju këtë rrugë, a ishte dëshira juaj apo e prindërve?
Për kërcimin ishte një dëshirë personale, më shumë se sa e prindërve. Erdhi në mënyrë spontane, do të thosha aksidentale, kur isha adoleshent. Kam qenë nga të parët që thyen prototipin e balerinit, që fillon baletin në moshë të vogël. Me këtë rast, dua të bëj një falënderim për profesorët që besuan te kjo dëshirë e imja dhe u dedikuan për zhvillimin tim. Në fakt kur u bë e qartë që i tejkalova pritshmëritë, edhe të tjerë kontribuuan në formimin tim. E ndjeja shprehjen si domosdoshmëri, nëpërmjet trupit, që ishte mjeti më i afërt që kisha. Përveç kërcimit, për mua atëherë nuk kishte mënyrë tjetër, për ta realizuar këtë nevojë. Nuk ishte një ‘hobby’, ishte një mënyrë për t’u larguar nga realiteti që më rrethonte, ishte periudha e vështirë e tranzicionit në vend. Kur e mendoj tani, ishte një situatë absurde, jashtë ishte shkatërrim dhe ne brenda në sallën e baletit, kërcenim me Çajkovskin.
Baletmaestri Agron Aliaj ka qenë ai që ju ka bekuar, duke ju ngjitur i pari në skenën e TOB, si e kujtoni atë moment?
Një moment shumë kuptimplotë, ngjitja në skenë bëri që gjithë ai përkushtim intensiv, për vendimin që kisha marrë, të merrte kuptim. Sa i përket Agron Aliajt, e ndjej veten të privilegjuar, që arrita të kisha lidhje edhe përtej sallës së baletit, me një artist 360 gradë si ai. Ai më ngjiti në skenë për herë të parë me baletin “Zhizel”, dhe herën tjetër që më pa në skenë pas shumë vitesh në Spanjë, ishte përsëri me të njëjtën vepër. Që atëherë filluam një marrëdhënie më të ngushtë, kalonim shumë kohë bashkë, duke biseduar për artin, poezinë, pikturën… Nëpërmjet tij njoha dhe të birin, kompozitorin Çezar Aliaj, me të cilin edhe sot e kësaj dite bashkëpunoj ngushtësisht – përmend këtu veprat si “Aksak”, “Actus, for Vjosa”, “Vegime të heshtuna”, e shumë të tjera.
Gjithmonë më ka bërë përshtypje fakti që balerinët e viteve '90, ku bëni pjesë edhe ju, kanë shkëlqyer në botë, por dekadat e fundit jo dhe aq, cili mendon ka qenë çelësi i suksesit?
Besoj se në atë kohë të pasurit vetëm një mundësi, pra mungesa e alternativave, bënte që përkushtimi të ishte total dhe më i thellë nga të gjitha anët. E kam fjalën si për pedagogët, edhe për nxënësit. Profesorët tanë realizoheshin nëpërmjet suksesit tonë, në fakt na bëheshin si prindër. Ne kalonim më shumë kohë bashkë në sallën e baletit, se sa në shtëpi me familjen. Shumë profesorë, si, Luan Shtino, Pëllumb Agalliu, Florian Seqillari, Shpëtim Dajçi e të tjerë, kanë markuar në formimin e brezit tim. Përmend këtu edhe drejtorin e Shkollës së Baletit të asaj kohe Ramazan Këllezin, i cili besoi shumë tek ajo që pa tek unë. Siç thashë edhe më sipër, në atë kohë në sallë ishim si brenda një flluske. Punonim deri në orë të vona, madje edhe kur nuk kishte elektricitet vazhdonim me qirinj.
Nga sa mësova, karriera juaj ka një zhvillim të hatashëm, nga një balerin me formim klasik, keni kaluar më shumë te lëvizja, plastika dhe ekspresiviteti, si erdhi ky ndryshim?
Ndodhi si proces natyral, prej një nevoje që ta prekja kërcimin në një diapazon sa më të gjerë. Gjithmonë kam qenë person kureshtar, gjithmonë kam dashur të njihja, dhe vazhdoj të kërkoj të njoh sa më shumë. Në kërcim dhe përtej kërcimit, në muzikë, kinema, skulpturë, letërsi, teatër…
Më kanë thënë që një balerin klasik, mund të luajë në çdo disiplinë baleti, ndryshe nga ata modernë, por ju si do ta përkufizonit stilin tuaj?
Nuk do të doja të përkufizohesha, pasi nuk dua të kategorizohem në asnjë stil. Gjuha që përdor në një krijim, varet edhe nga artistët që kam përpara, nga kompanitë me të cilat punoj. Procesi artistik që kam kaluar, më jep mundësinë që të punoj me balerinë nga më klasikët tek ata më bashkëkohorët, e deri edhe me amatorë. Këtë shndërrim, nga klasikja te bashkëkohorja e gjithçka përmban në mes, e konsideroj si pasuri artistike. Sado që sot lëviz në një terren më bashkëkohor, klasiken nuk e kam lënë, përkundrazi. Me kalimin e kohës e vlerësoj më shumë, kur është e bërë mirë, sigurisht.
Baleti që ju bëni më ngjan pak me lëvizjet e folkut shqiptar, a jeni ndikuar në koreografitë tuaja nga ai?
Kultura jonë është një kulturë shumë e lidhur me kërcimin. Ai është element i pandashëm edhe i traditave tona, dhe në shkollë vallja folklorike, ishte një lëndë e rëndësishme. Ndaj është e pashmangshme, që ky burim të jetë prezent. Edhe nëse nuk e kërkoj, ai është aty si diçka që më përket. Atëherë po, shfaqet nëpër krijimet e mia. Por e trajtoj për ta universalizuar, pra që të mos mbetet thjesht si një karakter ekzotik.
Kur lexoj për karrierën tuaj, shoh që shfaqeni nga skenat italiane tek ato vjeneze, pastaj SHBA apo Spanjë, duke udhëtuar nëpër botë, ndiheni më shumë Gentiani shqiptar apo qytetar i botës?
Ndihem qytetar i botës, pa dashur të eliminoj rrënjët. Nuk dua as t’i ngre, as t’i ul vlerat e origjinës sime, sepse ajo është origjina ime. Por e ndjej veten qytetar të botës, për shkak të stilit tim të jetës, përtej faktit që po jetojmë në një epokë globale.
Si koreograf, doja të dija si nis procesi i krijimit të lëvizjeve, hapat e gjithçka, pra ju frymëzoheni nga diçka?
Në vend të frymëzimit, besoj më shumë te kapaciteti i relacionit, pra të përkthimit të ngacmimeve të ndryshme në gjuhën e trupit. Mund të them se nuk inspirohem, por aspiroj…
Baleti flet me gjuhën e trupit, dhuron emocione të rafinuara, po gjendja e një artisti si ju para duartrokitjeve, si do ta përshkruanit?
Është gjendje e vështirë për t’u përshkruar, nga ato që fjalët i mbeten të vogla… Ndonjëherë fjalët nuk janë të mjaftueshme, që është edhe arsyeja pse ne kërcejmë. Por nëse dikush emocionohet me atë çka pa, do të thotë që është krijuar një urë mes artistit dhe spektatorit, artisti në këtë rast nuk mbetet qëllim i vetvetes. Ky besoj se është edhe ideali i artit.
Rikthimi në Tiranë para disa vitesh erdhi me entuziazëm nga ana juaj, por nuk keni në plan të vizitoni TOB-in sërish, çfarë ju zhgënjeu?
Më shumë se sa zhgënjim, ndoshta nuk ishte momenti i duhur. Por dyert e mia janë totalisht të hapura për të bashkëpunuar me Teatrin e Operës. Mundësitë deri më sot vërtetë kanë qenë të limituara, por interesi im nuk është venitur. Ndoshta është ende për t’u gjetur mënyra e duhur…
Sivjet do të vendosni në skenë, një shfaqje për të cilën jeni shprehur së është më e rëndësishmja e karrierës suaj, cila është ajo, a mund të na tregoni diçka për lexuesit?
Sivjet jam në bashkëpunim me artistin meksikan Erick Meyenberg, për të përfaqësuar Meksikën në Bienalen e Venecias 2024. Kjo ka vlerë të veçantë për mua, sepse e fut krijimin tim në një kontekst tjetër. Është e veçantë, edhe për sa i përket veprës në vetvete, një krijim me pikënisje shumë personale, siç do të mund ta shihni në Bienale, e cila hapet në prill!
Cila është një ditë e zakonshme e Gentit përtej baletit, di që jeni i apasionuar pas librit, pikturës?
Një ditë e një personi si gjithë të tjerët, por në kërkim të detajit, të gjërave të vogla që nuk impresionojnë menjëherë, por që kërkojnë pak më shumë vëmendje. Më ngjall interes një përshëndetje, një bisedë, një shikim, një poezi... Jam kureshtar për gjithçka që më rrethon, në radhë të parë për qenien njerëzore, e medoemos për artin dhe intelektin…
A ktheheni shpesh në Tiranë, a keni ende miq me të cilët ruani raporte?
Kthehem shpesh në Tiranë dhe kam miq si të fëmijërisë, ashtu edhe më aktualë. Por shtysa parësore që më bën të vij shpesh, përveç motiveve personale, është ‘was bleibt kollektiv | Gentian Doda’, një iniciativë që kam ndërmarrë prej pothuajse tre vitesh. Është një bashkëpunim i vazhdueshëm që kam me artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, mes tyre Rosella Pellicciotti, Fjorald Doci dhe Elton Cefa. Një aspiratë për ta ngritur skenën e pavarur shqiptare të kërcimit dhe për të prezantuar vepra të krijuara në Shqipëri nëpër botë – dhe jam vazhdimisht në kërkim të talenteve të reja, që të na bashkohen. Përtej kësaj, jam lidhur në bashkëpunime të ngushta, edhe me organizata si Heinrich Böll Stiftung Albania, drejtuar nga Gökhan Tuncer, e me artistë si Bora Baboci për Manifesta 14 Prishtinë, e shumë të tjerë.
Kur ecni në vendin ku keni lindur e rritur, çfarë ju mungon më shumë nga ajo që keni lënë pas?
Nuk e gjej më atë që kam lënë pas, atë që më mungon. Prousti thotë ‘në kërkim të kohës së humbur’… As vetë nuk e di çfarë është ajo që më mungon, por di që kur u ktheva nuk e gjeta. Dhe preferoj të mos e gjej, sepse do të humbja vetë kërkimin.
E di që për një artist është thuajse i paimagjinueshëm fundi i karrierës, për ju si do të donit të ishte?
Fundi besoj se do të vijë kur të mos jem më… sa më shumë i afrohem fundit, aq më shumë e vlerësoj çdo moment. Shpresoj të kem akoma një rrugë të gjatë përpara. Jetën time e shoh të pandarë nga krijimi.



Welcome Bordo Kids!


Romantiku i fundit/ 8 gra për 8 mars!


Dreaming Girls/ Shqipëria 2018 në foto!

Pure LOVE dhe rrëfime ekskluzive!



Spring Romance dhe 8 gra që frymëzojnë!


Sekretet e vjeshtës dhe Tirana by night!


Hot summer Issue




