Modelja dhe prezantuesja e njohur, Beniada Nishani, ka ndarë një mesazh të drejtpërdrejtë dhe të ndjeshëm për ndjekësit e saj në Instagram, duke folur për përvojat e pakëndshme që ka hasur si figurë publike, veçanërisht gjatë verës.
Ajo shprehet se gjithnjë e më shpesh has burra me një qasje këmbëngulëse dhe të papërshtatshme, të cilët shpesh herë nuk respektojnë kufijtë personalë. Duke qenë një person i njohur, Beniada ndan shqetësimin e saj për faktin se disa njerëz mendojnë se kanë të drejtë të pushtojnë hapësirën e dikujt vetëm për shkak të famës së tij.
“Privatësia e të gjithëve duhet të respektohet,” – shkruan ajo, duke theksuar se pëlqimi dhe interesi janë të pranueshme vetëm kur shoqërohen me edukatë dhe respekt.
Beniada thekson gjithashtu se një “jo” e thënë me mirësjellje duhet të mjaftojë për ta ndalur tjetrin dhe se insistimi për të folur apo për të pasur kontakt fizik, sidomos nga të huaj që ndihen të lirë ta bëjnë këtë, është i bezdisshëm dhe i papranueshëm.
Ajo shton se askund nuk është shkruar që një person i famshëm duhet të jetë gjithmonë buzëqeshur, i disponueshëm apo të pranojë qasje të papërshtatshme.
“Gjithmonë me zemër të hapur për njerëzit e mirë, por me kufij të qartë për ata që nuk dinë të respektojnë.”
Mesazhi i saj është një thirrje për respekt, ndërgjegjësim dhe vendosjen e kufijve, veçanërisht në një kohë kur shumë figura publike hasin presione të padukshme që shpesh normalizohen nga fama.



















