Johnny Depp ka folur mbi marrëdhënien e tij me ish-gruan Amber Heard dhe betejën ligjore të pasuar, tri vjet pas shpalljes së verdiktit për shpifje ndaj saj.
Në një intervistë për The Sunday Times, aktori 62-vjeçar ka folur për ndikimin që kanë pasur marrëdhëniet e mëparshme në jetën e tij dhe për mënyrën sesi ato e formuan pikëpamjen e tij për dashurinë.
Depp ka treguar se marrëdhënia me Heard, e cila filloi në vitin 2011 dhe përfundoi me divorc në 2016, u ndikua nga një ndjenjë e thellë empatie për partneren e tij.
“Ndonjëherë shikon në sytë e dikujt dhe shikon trishtim ose vetmi, dhe ndihesh se mund t’i ndihmosh,” ka thënë Depp. “Por ndonjëherë, ato ndihma kthehen kundër teje, dhe ti kupton se dhimbja që sheh ka një pasojë të rëndë.”
Aktori paditi Heard për shpifje pas një artikulli të saj në Washington Post në vitin 2018, ku ajo përshkruante përjetimet e saj me dhunën në marrëdhënien e tyre.
Në vitin 2020, ai humbi padinë ndaj tabloidit britanik The Sun, që e quajti “dhunues gruaje”, një vendim që u mbështet nga dëshmia e Heard. Megjithatë, në gjyqin e madh për shpifje që u zhvillua në vitin 2022, gjykata vendosi në favor të Depp, duke e shpallur Heard të fajshme për shpifje.
Ajo u dënua të paguante 10.35 milionë dollarë, ndërsa Depp u urdhërua të paguante 2 milionë dollarë, pasi Heard fitoi një nga akuzat e saj.
Gjatë intervistës, ai shpjegoi se nuk kishte pasur asnjë ndjenjë ankthi para gjyqit, duke thënë: “Nëse thjesht thua të vërtetën, nuk ka nevojë për të mësuar ndonjë rresht. Thjesht hidhu dhe përballu me të.”
Johnny e krahasoi betejën e tij ligjore me një luftë për të mbrojtur nderin e tij, për të siguruar që historia që do të tregonte të ishte e vërteta.
Marrëdhënia e tij me disa nga bashkëpunëtorët dhe agjentët e tij pas gjyqit u dëmtua gjithashtu, ku ai shprehu zhgënjimin ndaj atyre që e kishin tradhtuar.
Në fund të vitit 2022, ish cifti arritën një marrëveshje përfundimtare të cilën Amber e pranoi të paguante 1 milion dollarë, shumën që Depp e dhuroi për bamirësi.



















