
Në një botë ku perfeksioni të imponohet dhunshëm, filtrat janë më të dukshëm se realiteti, e ku bëhet gjithçka për vetëm pak sekonda vëmendje, Mirela Doda ka zgjedhur të mos e humbasë kurrë identitetin. Një rrugëtim që nisi nga ëndrrat e një vajze të vogël që krijonte fustane për kukullat, deri te një emër shumë i dashur i influencimit në Shqipëri, që nuk e kërkon me domosdo vëmendjen, por e merr fare lehtësisht. Në këtë intervistë, ajo na lejon të zbulojmë më shumë rreth Mirelës që fshihet pas syrit të një aparati fotografik; gruan, nënën, mikeshën dhe pasionin për të qenë një influencere autentike.
Si nisi rrugëtimi yt në botën e blogimit? Çfarë apo kush të ka frymëzuar?
Gjithçka nis kur manifeston ëndrrat e tua. Kur isha e vogël mezi prisja festivalet e asaj kohe, që të shihja veshjet e pjesëmarrësve. Kërkoja revista mode nga jashtë dhe nuk ngopesha duke i parë. Dhe ja ku jam sot, po jap një intervistë për një ndër revistat më të njohura në vend.
Shpesh hoby-t apo pasionet kuptohen që në vegjëli, kur ende nuk je e ndërgjegjshme se çfarë rrjedhe do të marrë karriera jote. Ti kujton detaje nga Mirela e vogël ku duken të dhënat se e ardhmja do të të lidhte ngushtë me modën?
Po, mbaj mend që kur të gjithë fëmijët luanin lojërat e moshës, unë vizatoja fustane për kukullat e mia dhe krijoja veshje për to, me copat e fustaneve që mamit nuk i duheshin më.
A ka diçka që të vjen keq për Mirelën adoleshente?
Kur lexova këtë pyetje, ndala një çast. Kam patur adoleshencë të bukur, çdo fazë të jetës e kam patur të bukur. Jam rritur në një familje me shumë dashuri, edhe pse disa pasione të miat ata nuk kishin dëshirë t’i ndiqja, sot që jam prind vetë i kuptoj plotësisht dhe i falënderoj që më shtynë në rrugën e dijes dhe shkollimit. Ja që për pasionet nuk është asnjëherë vonë.
Bota e influencerve së jashtmi duket e bukur, me ngjyra, me stil. Por a ka anën e saj të errët edhe kjo industri?
Për mua influencimi është pasion. S’kam dalë kurrë nga kornizat e mia për një bashkëpunim më tepër. Ndjekësit e mi janë miqtë e mi, jam e vërtetë me to. Unë nuk bazohem te sasia e bizneseve që bashkëpunoj, por te sukseset që kam arritur në çdo bashkëpunim. Mendoj që është koncept i gabuar perfeksioni që na përkufizojnë si influencer. Mendoj se në këto vite kam treguar Mirelën e mërzitur, të lodhur, të zhgënjyer, po aq sa kam treguar Mirelën e fortë, luftarake, që arrin gjërat që do, që e do profesionin e saj, që është nënë, vajzë dhe bashkëshorte e përkushtuar. Kjo jam unë!
Në një botë që të shtyn të tregosh versionin më perfekt të vetes, është e vështirë të ruhet autenticiteti?
Fjalën perfeksion nuk e përdor thuajse kurrë, as në pamje, as në marrëdhënie, as në karrierë. Të japësh më të mirën e vetes në çdo gjë, po. Të përmirësosh veten çdo ditë është shumë e rëndësishme. Autenticiteti është në modë, mos ta harrojmë.
Si i sfidon standardet toksike të bukurisë që shpesh promovohen në rrjete? Apo nuk i quan toksike?
Është pak e vështirë të jesh vetvetja në një botë plot me mundësi për të ndryshuar pamjen e jashtme si të duash ti. Më shumë më vjen keq për brezin e ri, që po fillojnë shumë herët ndërhyrjet estetike, duke u frymëtuar nga standardet e bukurisë që vendosin rrjetet sociale. Por do të kujtoja atë që ka thënë Sophia Loren, “Nëse do të bëja hundën, s’do isha më Sophia Loren”. S’duhet të harrojmë kurrë atë që na identifikon.
Me komentet negative si reagon, i përjeton apo..?
Jam me fat që komentet negative gjatë gjithë këtyre viteve mund t’i numëroj me gishtat e dorës. Unë s’kam ndjekës, kam miq.
Si e përballon Mirela Doda balancën mes jetës private dhe asaj ‘online’?
Duke qenë se jam e vërtetë në çdo gjë që përcjell në ‘kanalin’ tim, ato ecin bashkë. Unë postoj në rrjetet sociale atë që vërtetë bëj dhe përjetoj, kështu që s’më duhet t’i ndaj. Nuk ndodh që të shfaq në rrjete sociale diçka ndryshe nga ajo që bëj në të vërtetë. Për mua është një dritare komunikimi ku prezantoj Mirelën me gjithë ngjyrat e saj.
Cili është rituali yt i bukurisë apo stili i veshjes që nuk e anashkalon kurrë, pavarësisht ditës?
Nuk është një ritual i veçantë. Të jesh e kuruar do të thotë që ti të mos dalësh kurrë nga shtëpia me flokë të shkatërruara, me veshje të pahekurosur…Për mua, të dukesh bukur është më e rëndësishme të shkëlqesh nga estetika dhe pastërtia, sesa të ndjekësh trendet.
Çfarë të jep ndjesinë më të madhe të fuqisë në ditët kur nuk ndihesh mirë me veten?
Familja! Kam një lidhje shumë të fortë me familjen. Përveç fëmijëve dhe bashkëshortit, jam e lidhur shumë me prindërit, motrat, vëllain dhe të afërmit. Gjithashtu shoqja ime ngushtë, prej 7 vitesh është bërë familje për mua.



















