Beyoncé ka nxitur aludime se mund të jetë duke planifikuar një zhvendosje nga SHBA drejt Mbretërisë së Bashkuar, pasi së fundmi është parë duke vizituar një pronë luksoze në zonën piktoreske të Cotswolds, në shoqërinë e bashkëshortit të saj, reperit të njohur Jay-Z.
Këngëtarja 43-vjeçare, e cila sapo ka përmbyllur me sukses serinë e koncerteve “Cowboy Carter” në Londër, raportohet se ka fluturuar me helikopter drejt një prone prej 58 hektarësh në Oxfordshire, një rajon i njohur për qetësinë, natyrën dhe mënyrën e jetesës larg zhurmës së qytetit. Sipas burimeve për The Oxford Mail, çifti vizitoi pronën gjatë pushimeve mes performancave të saj, duke bërë një ndalesë të shkurtër në aeroportin lokal Enstone Airfield.
Ky interes i veçantë për zonën nuk është i rastësishëm. Prona ndodhet pranë disa prej miqve të ngushtë të çiftit, si Ellen DeGeneres dhe Portia de Rossi, si dhe fqinjëve të mundshëm të njohur, përfshirë Simon Cowell dhe familjen Beckham.
Një tjetër faktor që mund të ketë shtyrë çiftin të kërkojë një bazë të re jashtë Los Angeles është rreziku në rritje nga zjarret masive që kanë përfshirë Kaliforninë vitet e fundit. Ndërkohë, Cotswolds po kthehet gjithnjë e më shumë në një strehë të preferuar për të famshëm që kërkojnë privatësi dhe rehati në zemër të natyrës britanike.



















