
Vis Ukcenaj është një nga aktorët më të njohur të humorit për momentin dhe mjaft i dashur për publikun. Në një intervistë së fundmi për "Andale", ai tregoi disa sekrete për karrierën e tij, ndër to edhe për spektaklin "Portokalli", ku Visjanit ia prenë pjesën nga transmetimi.
“Ndërsa në 'Portokalli' më prenë nga transmetimi. Kam qenë me tim vëlla, e fitova audicionin dhe do bëja një skeç duke hyrë nga publiku sepse nuk ishin të sigurt a bëja a s’bëja. Dola, e bëra materialin, kishte pafund të qeshura. Bëja materialin e gjimnazistit që fliste për zyshën e vet që kishte një gjoks shumë të madh.”
Pjesa e tij nuk u transmetua dhe ai nuk e kuptoi menjëherë pse.
“Arsyeja pse u hoqa nga transmetimi nuk ishte sepse batuta ishte eksplicite, pasi atëherë në Portokalli përdornin edhe batuta më të rënda. Madje këtë batutë e ka përdorur Agroni në një puntatë tjetër. U ndjeva keq sepse ishte një batutë që e kisha bërë unë. Kur mbaroi numri, duartrokiti publiku, erdhi Goni me Amin, prezantohem dhe u thashë: ‘Konkurrova në Akademi, por s’ma dhanë shkollën’. ‘Kush janë këta budallenj që s’të kanë dhënë shkollën?’ më thanë. Tha Goni këtë batutën.”



















