Modele: Xhesika Berberi
Fotografia: Geljant Kaleci
Në harkun e dy ditëve, takova rastësisht disa njerëz me të cilët kisha kohë pa u parë dhe më bënë thuajse të njëjtën pyetje: Çfarë je duke bërë tani? Po bëj një revistë. Quhet BORDO! Kureshtare për të ditur perceptimet e tyre, i pyeta se me çfarë e lidhnin emrin BORDO. Timo Flloko, një nga personalitetet gjeniale të kinematografisë shqiptare, nuk e pati aspak të vështirë të më shqiptonte në mënyrë të rrufeshme emrin e koleges së tij, yllit të kinemasë europiane, Brigitte Bardot. Një i afërmi im filofrancez më tha menjëherë: Bordeaux, krahina e Francës. Ndërsa, politikania Majlinda Bregu më tha natyrshëm:"ngjyra Bordo"
I kishte rënë pikës, por ndërkohë të tria përgjigjet ishin ato që rrihnin edhe mendjet tona teksa u bindëm se BORDO, ngjyra fismike, thënë në përditshmërinë tonë vishnje, e zgjedhur jo rastësisht ngjyra e vitit 2015, ishte emri i duhur për këtë botim!
BORDO nuk pretendon të shpike, por synon të evidentojë: njerëzit, vlerat, risitë, arritjet, mundimet, ngjarjet e bukura... të hidhura, vështirësitë, të pamundurat, zbulimet, sfidat, jetën reale, të vërtetat dhe gjithçka që ju kuriozon...
Në këtë edicion të parë të BORDO vijnë disa nga emrat e artit, kulturës, modës, mjekësisë, arkitekturës, ndërsa nuk mungon çdo gjë që i takon verës, që nga aksesorët, veshjet, ushqimi e pijet si dhe këshilla mode, estetike e shëndeti.
Një koleksion ekskluziv 'Haute Couture', realizuar nga Enada At’Nikolla vjen në editorialin e modës nga supermodelja shqiptare, Xhesika Berberi, e cila aktualisht e zhvillon karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kontrata të rëndësishme në fushën e modelingut.
Xhesika Berberi është një ndër modelet që në si staf e vlerësojmë shumë për arritjet dhe ambicjen e saj si modele, ndaj edhe syshkruara e pasarelave nuk mund të mos ishte zana jonë e fatit, për BORDO.
Kopertina e parë e Revista Bordo, Qershor-Korrik 2015!