Pranvera sa është e bukur, aq është edhe e parehatshme për njerëzit që vuajnë nga alergjitë, të cilat janë nga më të shumëllojshmet, që nga alergjitë nga lulet, pluhuri, myku, ushqimet, e deri tek alergjia nga druri, uji dhe dielli.
"Tek ne paraqiten që nga fëmijët e çerdheve e deri tek ata të kopshteve dhe shkollave. Madje janë mësuesit që sinjalizojnë prindërit, që fëmija ka kollë pa ndalim. Simptomat janë kollë, rrufë, tështima. Bëjmë deri në 8 vizita në ditë dhe numri i atyre që vuajnë nga alergjitë sa vjen dhe rritet. Alergjia nuk shërohet, por përmirësohet me kura dhe vaksinë”, tha per TCH Valbona Shahinaj, pediatre në QSH nr. 2.
Një studim i botuar disa kohe me pare në revistën amerikane të shoqatës së mjekëve pediatër, tregonte se fëmijët, prindërit e të cilëve preken nga alergjia, mund të jenë në rrezik më të lartë për të zhvilluar simptoma e saj që në moshën 1 vjeç. Shkencëtarët grumbulluan të dhëna mjekësore të rreth 600 foshnjeve që kishin të paktën njërin prej prindërve me alergji. Nga studimi doli se 28 përqind e fëmijëve që treguan shenja alergjie, ishin të prindërve që ndesheshin me të njëjtat simptoma. 18 përqind e fëmijëve ishin alergjikë ndaj më shumë se një agjenti atmosferik, prej të cilëve më kryesorer ishin poleni ii luleve, era e mykut dhe pluhuri.
Aktualisht fëmijëve nuk u bëhen analiza për alergji para moshës 5 vjeçare, por rezultatet e studimit tregojnë se fëmijët mund të preken nga alergjia shumë kohë përpara kësaj moshe. Autorët e studimit thonë se fëmijët, veçanërisht ata që janë në rrezik më të madh për t’u prekur nga alergjia, duhet t’u nënshtrohen analizave para moshës 5 vjeç për të identifikuar llojin e alergjisë dhe për të parandaluar mundësinë e zhvillimit të problemeve më të rënda në sistemin e frymëmarrjes më vonë kur të rriten.