HOTELET PERSONALE TË YJEVE
Zbuloni hotelet në pronësi të personazheve të famshëm në mbarë botën
Pas disa vitesh pune, të gjitha fitimet shumë VIP-a i kanë investuar në biznese hotelerie. Po ju zbulojmë disa nga destinacionet, të cilat menaxhohen nga regjisorë, aktorë dhe kampionë sportivë
Palazzo Margherita
Francis Ford Coppola
Është një çështje zemre që e lidh regjisorin e madh me Palazzo Margherita di Bernalda, në provincën e Matera, vendlindja e gjyshit të tij. Rezidenca e shekullit të 19-të u shndërrua në një hotel butik në bashkëpunimin me arkitektin francez Jacques Grange dhe skenografin Dean Tavoularis. Palazzo Margherita shquhet për orenditë e tij, që i bëjnë homazh artit dhe historisë. Ka nëntë dhoma dhe shtatë suita. Restoranti "Eat in the Kitchen" ofron gatime tradicionale. Salla e pritjes është një përrallë, e cila mund të shndërrohet në kinema, ku mund të shijoni një koleksion filmash klasikë italianë, të kuruar personalisht nga Coppola.
Hoteli Greenwich
Robert De Niro
Hoteli Greenwich është në pronësi të aktorit Robert De Niro dhe ndodhet në Tribeca, në një nga lagjet e modës të Nju-Jorkut. Nga jashtë hoteli ka një fasadë me tulla të kuqe, ndërsa brenda ka një ambient mikpritës të arreduar me elemente të ricikluar, ku dallohen trarët e lisit dhe materialet prej druri, ndërsa dyshemeja dallon nga terrakota italiane. Hoteli ka 88 dhoma, secila unike. Aty gjendet një oborr me pemë për relaksim, si dhe biblioteka me tituj librash të adhurueshëm. Restoranti “La Locanda Verde” dallon për kuzhinën italiane. Shibui Spa, frymëzuar nga Japonia, është një tjetër pikë e fortë e hotelit.
ZEL Mallorca
Rafael Nadal
Kampioni i tenisit inauguroi ZEL Mallorca, projektin e tij të parë të hotelerisë në bashkëpunim me grupin Melia. I vendosur përgjatë plazhit Palmanova në Majorka, hoteli është i fokusuar në një përvojë aktive dhe të shëndetshme, frymëzuar nga stili i jetesës së Nadal. Ju mund të shkoni në Fitness Studio për seanca trajnimi të personalizuara, ku mund të ndiqni ushtrime që stimulojnë forcën, rezistencën dhe kardion. Përveç aktiviteteve sportive, elementë të tjerë qendrorë në ofertë janë Conceptia Spa dhe oferta e eksperiencave për të bërë në ishull, të përzgjedhura personalisht nga Rafael Nadal.
PESTANA CR7 FUNCHAL
Cristiano Ronaldo
Ylli i futbollit zotëron hotelet Pestana, plot 5 të tillë prej të cilëve 2 gjenden në Portugali. Hotelet janë të personalizuara me objekte dhe aksesorë të markës “Cristiano”, të zgjedhura nga futbollisti. Ashensorët tregojnë momente nga karriera e tij. Hoteli “Pestana CR7 Funchal” ka një çati Off Side Bar & Lounge, me një pishinë spektakolare ngjyrë rozë, prej nga mund të shijoni pamjen e qytetit. Chefi i kuzhinës kombinon tendencat më të fundit me produktet rajonale, duke ofruar një përvojë unike gastronomike. Më sportivët mund të stërviten me programe të krijuara personalisht nga Cristiano Ronaldo.
Gloria Estefan
BREGU LINDOR
Këngëtarja e famshme zotëron 6 restorante dhe 2 hotele: Hotelin Cardozo në Miami dhe Costa d'Este Beach Resort & Spa në Florida. Ky i fundit konsiderohet si një ndër destinacionet më të bukura, ka një pamje spektakolare dhe stil unik, me plazh ekskluziv. Mysafirët mund të shijojnë dy restorante buzë oqeanit: Wave Kitchen & Bar, me prodhime organike vendase dhe Cabana Bar, ku mund të pushoni me një koktej në dorë. Për t’u uruar sa më shumë fat vizitorëve të hotelit, gjithkush mund të vendosë disa guaska në një nga tasat që mbahen nga gjashtë skulpturat e majmunëve të hotelit.








Vituzza, shije unike siçiliane



6 sugjerime librash për muajin!




3 Veprime që nuk duhet t’i bësh pasi ke ngrënë!



A ndikon te mëlçia konsumi pasiv i alkoolit?

