
Selena Gomez ka reaguar pas spekulimeve që pushtuan rrjetet sociale, ku disa ndjekës pretenduan se ajo kishte hedhur “kunja” ndaj Hailey Bieber dhe madje kishte pasur një keqkuptim me mikeshën e saj, Taylor Swift.
Debati nisi pas përballjes së basketbollit mes New York Knicks dhe San Antonio Spurs, të cilën Knicks e fituan me rezultat 107-106. Pas ndeshjes, këngëtarja publikoi një Instastory ku shkruante:
“Respekt i madh për lojën! Urime atyre që na përfaqësojnë! Çfarë rikthimi… Gjithsesi, është shumë qesharake se si disa njerëz papritur bëhen fansa, lol.”
Postimi u interpretua nga shumë përdorues si një mesazh i tërthortë për Hailey Bieber, e cila kishte qenë e pranishme në ndeshje. Aludimet u shtuan edhe më shumë pasi Taylor Swift, e cila po ashtu ndoqi takimin nga afër, u shfaq në një video duke festuar fitoren, ndërsa Selena komentoi me një të thjeshtë “lol”.
Për t’i dhënë fund të gjitha teorive, Gomez publikoi një tjetër mesazh në Instastory, ku sqaroi se postimet e saj nuk kishin të bënin me asnjë konflikt apo ofendim.
“U zgjova dhe pashë një mori mesazhesh. Nuk do t’i ofendoja kurrë miqtë e mi dhe as nuk ishte ky qëllimi. Komenti im lidhej me foton e parë të atij postimi. Gjithashtu, kisha vënë bast për ndeshjen me disa miq dhe, pasi humba, po ngacmoja kundërshtarët e mi, të cilët janë po ashtu miqtë e mi”, shpjegoi ajo.
Artistja shtoi me humor se ka edhe miq të tjerë jashtë grupit të saj të zakonshëm dhe theksoi se njerëzit shpesh nxitojnë të krijojnë histori që nuk ekzistojnë.
“Besojeni ose jo, unë kam edhe miq të tjerë në jetën time. Por njerëzit shpesh supozojnë të kundërtën. Dhe, në fund të fundit, është thjesht një ndeshje basketbolli”, përfundoi Selena.
Me këtë reagim, këngëtarja hodhi poshtë të gjitha spekulimet, duke bërë të qartë se bëhej fjalë vetëm për shaka mes miqsh dhe jo për ndonjë dramë të re në botën e showbiz-it.
