
Taylor Swift ka shënuar një tjetër moment historik në karrierën e saj, duke u bërë gruaja më e re që pranohet ndonjëherë në Songwriters Hall of Fame.
Këngëtarja u nderua gjatë ceremonisë së vitit 2026, e zhvilluar në New York, ku mbajti edhe një fjalim emocionues. Swift falënderoi familjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme, duke kujtuar se prindërit e saj, Scott dhe Andrea Swift, së bashku me vëllain Austin, u zhvendosën nga Pennsylvania në Nashville për ta ndihmuar të ndiqte ëndrrën e saj muzikore.
“Ju jeni arsyeja pse ndodhem këtu sonte”, tha artistja mes emocionesh.
Me këtë arritje, Swift bëhet gjithashtu artistja e parë që kalon nga fituesja e çmimit Hal David Starlight Award në vitin 2010 në anëtare të plotë të Songwriters Hall of Fame në vitin 2026. Nderimi vjen dy dekada pas publikimit të këngës së saj të parë, “Tim McGraw”.
Në mesin e këngëve që kanë ndihmuar në konsolidimin e statusit të saj si një nga kantautoret më të suksesshme të brezit të saj përfshihen “Love Story”, “Blank Space”, “All Too Well (10 Minute Version)”, “Anti-Hero” dhe “The Last Great American Dynasty”.
Swift ka treguar edhe më parë se frymëzimi për shumë prej këngëve të saj vjen në orët e vona të natës.
“Më lind një ide dhe e kuptoj se nuk do të fle më. Shkoj te pianoja dhe nis të shkruaj”, kishte rrëfyer ajo në një intervistë për CBS Sunday Morning.
Në ceremoninë e këtij viti u nderuan gjithashtu emra të njohur të muzikës si Gene Simmons dhe Paul Stanley të grupit KISS, Alanis Morissette, Kenny Loggins, Christopher “Tricky” Stewart, Walter Afanasieff, Terry Britten dhe Graham Lyle.
Prania e Taylor Swift në këtë event vjen vetëm disa javë para martesës së shumëpërfolur me yllin e NFL-së, Travis Kelce. Sipas raportimeve të mediave amerikane, çifti pritet të martohet në New York gjatë fundjavës së 3 korrikut.
