Pas gati një dekade në skenën muzikore, Tayna ka vendosur të vijë ndryshe për publikun me albumin e saj më të ri, “Genesis”, një projekt që sipas artistes përfaqëson një udhëtim personal, kulturor dhe muzikor.
E ftuar në emisionin “Ndryshe” me Salsano Rrapin dhe Elona Duron, Tayna zbuloi detaje interesante rreth realizimit të albumit, duke treguar se frymëzimi për “Genesis” erdhi në një mënyrë krejt të pazakontë.
“E kam parë në ëndërr dhe e kam ditur që do ta bëj një album. Më doli emri ‘Genesis’. Kam qejf t’i ndjek shenjat dhe më tha subkoshienca që duhet një album”, u shpreh artistja.
Sipas saj, albumi përmbledh kultura dhe zhanre të ndryshme muzikore nga e gjithë bota, duke sjellë ritme të frymëzuara nga Brazili, Afrika dhe vende të tjera, por të interpretuara në gjuhën shqipe.
“Kjo lidhet edhe me gjenezën e njeriut dhe me zhanret e ndryshëm në botë. Të gjitha këto janë një”, tha ajo.
Tayna tregoi gjithashtu se albumi nis me nostalgji dhe mbyllet me një këngë të vjetër shqiptare, që përfaqëson origjinën dhe “gjenezën” e saj personale.
Me “Genesis”, artistja synon të shfaqë një anë më autentike të vetes dhe të eksperimentojë me stile të ndryshme muzikore, duke i sjellë publikut një projekt ndryshe nga çdo gjë që ka realizuar më parë.
