KreuCelebrity

Revolucioni i fshehtë në Chanel: Si Matthieu Blazy po ndryshon gjithçka që dinim për luksin

Revolucioni i fshehtë në Chanel: Si Matthieu Blazy po ndryshon

Stilisti Matthieu Blazy i ka dhënë jetë shtëpisë 116-vjeçare të modës me një vizion të ri, të ndërtuar mbi idenë radikale se shkëlqimi i bazuar në realitet mund t'ju bëjë të ndiheni të mrekullueshëm.

Për kë është një Chanel? Për një zonjë që drekon e veshur me një xhaketë stofi? Një idhull i K-pop që e pëlqen logon me dy C? Apo për një nënë të pasur që ‘vdes’ për çantat ikonike? Sigurisht, është për ata pak që mund ta përballojnë çmimin dhe ata që duan të përçojnë një lidhje me markën që mishëron nivelin më të lartë të elegancës. Por Matthieu Blazy, drejtori artistik i Chanel-it, i sheh gjërat ndryshe. “Mendoj se estetika e Chanel-it po i errësonte disi idetë e grave. Dikur, ishte një grua, sot unë shoh shumë, shumë gra”, thotë Blazy.

Ai po e thotë këtë nga një cep i sallonit të modës së Chanel-it në 31 Rue Cambon, në krye të shkallëve ikonike me pasqyra ku dikur Gabrielle Chanel organizonte sfilatat e saj, prej nga i shihte ato fshehurazi.

Në mur varet një portret i madh bardhë e zi i zonjës Chanel, me fytyrën e kthyer anash. Ajo më shikon me kujdes, duket pak e frikshme. Ndihem thellësisht i vetëdijshëm se jam në praninë shpirtërore të një prej trashëgimive më të rëndësishme të modës, teksa pres njeriun që tani është ngarkuar ta çojë atë përpara…!

Blazy zbret shkallët me vrap: ka veshur një pulovër me zinxhir dhe pantallona blu të errëta. Ulemi përballë njëri-tjetrit në dy kolltukë ngjyrë fildishi dhe e pyes Blazy-n nëse e ndjen ndonjëherë praninë e zonjës Chanel kur është në këtë dhomë. "Herën e parë që hyra këtu, e pata atë ndjesi. Isha pak si në siklet”, – thotë ai duke ulur papritur zërin sikur po më tregon një sekret.

Zonja Chanel revolucionarizoi modën në vitet 1920 me siluetat e saj të gjata e të gjera, fustanet me bel të ulët dhe kostumet e gjera që i çliruan gratë nga korseja. Karl Lagerfeld i cili erdhi aty në vitin 1983, e shndërroi markën në një gjigant të kulturës pop, duke krijuar një botë akoma më joshëse, ku spikaste C-ja e dyfishtë dhe minifundet prej leshi. Shfaqjet në pasarelën e Grand Palais-it ishin spektakle, rreshtat e parë u mbushën me personazhe të famshëm, skenografia me një glob gjigant, me ajsbergë dhe anije kozmike – e kthyen javën e modës në një ëndërr. Por, edhe Blazy ka ndjekur të njëjtën rrugë, siç ishte prezantimi i koleksionit Métiers d'Art në dhjetor, i cili u zhvendos në një stacion të braktisur metroje në Nju-Jork, ndërsa modele si arketipe të qytetit nxitonin për të kapur trenin. Shkëlqimi është ende aty, por fuqia ka rënë dukshëm.

Blazy zgjodhi metronë e Nju-Jorkut, një vend ku përplasen njerëz të të gjitha prejardhjeve e stileve, duke shprehur qartë vizionin e tij për Chanel. Ai u frymëzua nga njerëzit që shihte në metro, kur jetoi në Nju-Jork një dekadë më parë, ndërsa punonte për Raf Simons në Calvin Klein. Aty kishte zbuluar edhe një histori për vizitën e parë të zonjës Chanel në qytet në vitin 1931, kur teksa ajo ecte nëpër rrugë vuri re se sa shumë gra kishin veshur Chanel të imituar. Ato nuk po imitonin një logo, por një stil. Kjo e fuqizoi atë, duke e shtyrë të kthehej në Paris dhe të vazhdonte të zhvillonte dizajnet e saj. “Në atë kohë, Chanel ishte vetë një personazh i famshëm”, thekson Blazy. “Jam i magjepsur që në vend që të zemërohej për njerëzit që kopjonin modelet e saj, ajo e përqafoi atë. Kur u kthye në Paris, ajo e rishpiku veten plotësisht dhe i shkurtoi fundet. Mendoj se aty u bë moderne”.

Blazy nuk skicon gjithmonë. Më shpesh mbështetet drejtpërdrejt në trup, duke i lënë instinktet ta udhëheqin, së bashku me një përzierje të kulturës pop, referencave letrare dhe historike që ai mbledh nga e kaluara dhe e tashmja. Një pjesë e planit të Blazy-t është të rimendojë mënyrën se si funksionojnë butikët Chanel, duke hequr synimin e klientëve specifikë dhe hapur tregtimin për të përzier kategoritë dhe madhësitë. “Unë propozoj histori dhe dizajne në të cilat besoj, gjëra që më bëjnë zemrën të rrahë fort. Askush nuk ka nevojë për një çantë apo një xhaketë të re. Chanel duhet të jetë një ëndërr”, - thotë ai. Ai beson se nëse dikush e do modën e Chanel-it do të shkojë në butik, pavarësisht produktit.

Blazy e ka përsosur aftësinë për të përkthyer produktet në ide që ndryshojnë frymën e kohës gjatë karrierës së tij. Ai u trajnua herët me Raf Simons, i cili e punësoi fill pas diplomimit, pasi pa koleksionin e tij të diplomës në La Cambre në Bruksel, i cili ishte frymëzuar nga astronautja Claudie Haigneré, gruaja e parë franceze në hapësirë. Ish-profesori i tij Tony Delcampe kujton se u mahnit nga njohuritë dhe interesi i tij për artet, një gjë e pazakontë për një djalë në moshën 17 vjeç. Ai shfaqi kuriozitet për botën bashkëkohore ku jetojmë, kulturën dhe historinë, duke i përkthyer të gjitha në gjuhën e veshjeve.

Pasi punoi me Simons, iu bashkua Maison Margiela në vitin 2011 derisa gazetarja e modës Suzy Menkes, e cila e zbuloi emrin e tij në një vlerësim për koleksionin Artisanal në 2014. “E mbaj mend ende emocionin kur pashë përzierjen e detajeve dhe delikatesës që ai po i sjell tani Chanel", thotë ajo për zbulimin e saj. Më vonë, Simons e punësoi Blazy-n për Calvin Klein, së bashku me ish-stilantin e Alaïa-s, Pieter Mulier. Blazy mbeti relativisht i panjohur deri në vitin 2021, kur u emërua drejtor kreativ te Bottega Veneta, ku përdorimi alkimik i materialeve të papritura, si fijet, lëkurat dhe teksturat prej gjethesh bananeje, e bëri të kthente në ar çdo gjë që prekte.

Kur Blazy hyri te Chanel, vendosi të mos niste me këpucët apo çantat, por me Mlle Chanel (Mademoiselle Chanel), duke u thelluar në historinë e saj. Donte të kuptonte psikologjinë e çdo koleksioni që ka krijuar, duke iu referuar historive nga jeta e saj: lidhjen e dashurisë me Boy Capel dhe këmishat e tij, apo një citat epik që ajo dha për ‘Le Figaro’ se ‘gratë kanë nevojë për rroba për t'u kthyer nga vemje në flutura’. “Arsyeja pse është e rëndësishme qasja e saj e hershme lidhet me faktin se ajo ishte humaniste. Ajo ishte prova e vetes; dizenjoi atë që donte të vishte vetë. Lindja e modës moderne erdhi nga një akt çlirimi”, - thekson stilisti.

Matthieu po sjell një evolucion të siluetës, nuk po krijon thjesht një botë rreth Chanel, por krijon rroba për të jetuar në atë botë. Ka ardhur koha që Matthieu Blazy të kthehet në punë. Më shtrëngon dorën dhe falënderon ngrohtësisht, pastaj ngjitet me vrik shkallëve me pasqyra. Ka nisur një rrugëtim i cili padyshim do të jetë i vështirë, por me gjasë do të lërë një gjurmë të dukshme te Chanel dhe historinë e modës së saj 116-vjeçare.