Në prag të Panairit të përvitshëm të Librit, Tirana 2015, lexuesit do të kenë këto ditë një tjetër libër nga krijimtaria e shkrimtarit dhe politikanit të njohur Ben Blushi. Këtë herë, deputeti socialist vjen me romanin “Kandidati” që është e katërta e kësaj gjinie letrare që sjell Ben Blushi. Ky roman vjen pas tre të mëparshmëve, ku i fundit ishte katër vjet më parë. “Kandidati” prezantohet këtë fundjavë dhe të dielën do të nisë shitja e tij në libraritë e vendit, për të vijuar me shitjen në panair. Mësohet se Ben Blushi, e shkroi veprën e tij të fundit, “Kandidati”, për vetëm dhjetë ditë. Te “Kandidati”, Ben Blushi i vendos ngjarjet në një mjedis mediatiko-politik, që ai e njeh shumë mirë. Personazhet e Ben Blushit në këtë roman, kanë ngjashmëri me politikanët dhe gazetarët shqiptarë. Ky roman merr përsipër të tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Blushi përshkruan sesi një nga kandidat për kryetarë bashkie të “Basenit”, vdes papritur, pas hapjes së fushatës zgjedhore dhe megjithatë, fiton. Zgjedhjet në “Basen” marrin një kthesë të papritur për shkak të rihapjes së historisë së një kolaboracionisti të pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila përdoret si justifikim për të shkaktuart rrëmiujë dhe trazira në qytet. Njeriu që ndihmon kandidatin e vdekur të fitojë zgjedhjet ka një lidhje të veçantë me qytetin e Basenit, lidhje për të cilën ai vetën nuk ishte në dijeni. E pra, “Kandidati” është një roman që kërkon të vizatojë me fantazi, me cinizëm dhe stil, Shqipërinë politike dhe mediatike të ditëve tona që Ben Blushi e njeh shumë mirë. “Kandidati” është romani i katërt në shtatë vitet e fundit, që vjen pas “Të jetosh në ishull” më 2008, “Otello, Arapi i Vlorës” më 2009, dhe “Shqipëria” më 2011.
