Nga Daljana Sejdia
Gjatë gjithë karrierës së tij ai ka pasur si motiv promovimin e talenteve të reja. E dëshmoi këtë që në krijimin e Top Fest, ku edhe dolën një numër artistësh, të rëndësishëm sot për muzikën shqiptare… E vijoi kohë pas kohe, me emisionin “Promozonë”, ku u bë promotor i të talentuarve në shumë fusha të artit… Dhe nuk i thotë asnjëherë ‘jo’ këtij misioni. Bojken Lako e sheh mjaft të rëndësishme përkrahjen e brezit të ri. Së fundmi i është bashkuar iniciativës së Bashkisë së Tiranës, për të zbuluar talentet e gjimnazeve, të cilëve mandej do t’u hapin një dritare krijimtarie dhe promovimi.
Bojken, ju shohim shpesh në shoqëri me të rinj, artistë që kanë nevojë për mbështetje, për orientim. Çfarë është kjo lloj mbështetje që ju i jepni brezit të ri?
Unë gjithmonë kam një dëshirë në vetvete, mendoj se përkrahja e brezit të ri është ajo dashuria që kam për racën, për kombin. Janë nocione shumë të gjera por ndoshta kështu është mënyra se si unë jam rritur. Në këtë vend ku jetojmë me shumë tranzicion, probleme të mbartura nga e kaluara, ka një dëshirë të brendshme të çdo individi për të arritur diku, ose për të bërë gjëra të mëdha. Si pjesë e karakterit tim dhe punës që kam bërë ndër vite, gjithnjë kam pasur mundësi të promovoj, duke filluar psh. që nga Top Fest e në vijim. Duke u bazuar te besimi që kam te shqiptarët, kam qenë në kërkim të arstistëve të rinj. Mendoj se artistikisht ti ngopesh vetë nga talenti i tjetrit, jo kur vjedh, por kur inspirohesh nga diçka pozitive, rinia e një brezi tjetër në mënyrë reciproke. Kjo lloj ndjesie më është kthyer në një motiv, e kjo është arsyeja që shpeshherë e gjej veten, duke qëndruar në një lloj moshe që nuk e klasifikon dot.
Projekti juaj më i fundit vjen si një inkurajim për talentet reja? Mund të na flisni me gjatë rreth kësaj iniciative?
Momentalisht mora pjesë në një projekt të Bashkisë së Tiranës për të realizuar një event që i kishte munguar për disa vite Tiranës, i cili më parë quhej “Rinfest” dhe tani u quajt “Tirana Art Festival”. Ishte një projekt pilot i cili u realizua për dy muaj, gjatë periudhës prill-maj, për të cilin këkruam për talente të reja, në 14 gjimnaze publike të Tiranë. Ishte nje konkurs jo shumë i egër, por më tepër për të zbuluar e promovuar talente, një lloj feste e organizuar, diçka e cila më rezultoi fiks ashtu siç e prisja, me shumë talente brenda në një kohë kaq të shkurtër me çerekun e kapaciteteve që kanë shkollat e Tiranës. Qëllimi ishte që në bashkëpunim me kompaninë 360m records, një partnerin tim prej disa vitesh, si dhe me Bashkinë e Tiranës, të krijojmë një strukturë promovuese, që talentet që vijnë nga shkollat e Tiranës, të kenë mundësinë e një hapësire provash, për të gjithë ata që duan të ushtrojnë një talent, qoftë vokalistik, performues, realizimit të videove apo promocionit. Duke bashkëpunuar sëbashku, të bëjmë të mundur që duke vënë në përdorim studio, këto talente të kenë mundësi të shfaqin talentin e tyre përpara bashkemoshatarëve si dhe me financimin me buxhet të ulët të realizojmë video për këngët e tyre. Pak nga pak më pas të kemi mundësinë të krijojmë disa kanale komunikuese nëpër mediave sociale, Youtube, për të nxjerrë një panoramë tjetër të këtij tregu muzikor. Tregu i sotëm është i përqendruar kryesisht vetëm tek biznesi dhe komercialiteti, por patjetër që duhet të ekzistojnë dhe këto forma apo struktura të tjera të artit emergjent, të artistëve që nuk kanë mundësi ekonomike për të dalë në sipërfaqe e më pas për t’u futur në industrinë e muzikës.
Përcaktimi juaj për muzikën e mire? Si i vlerësoni ju si artist prurjet e reja në treg?
Nuk di të jap një definicon pasi unë vetë bëj muzikë. Që të bësh muzikë dhe të rezonosh mirë, të jesh i pëlqyeshëm gjithmonë është punë taktike, mode, menaxhimi. Në Shqipëri duket se gjërat nuk kanë ritëm, ecin shumë me shpejtësi. Mendoj që muzika e mirë është e mirë. Ka njerëz që pëlqejnë muzikën e mirë, të vërtetë, pa qenë komerciale, pa qenë pjesë e modës. Trendet duhen ndjekur, por mund të përfshihet dhe profesionalisht në një rrymë e cila nuk është masive. Kudo ka komercialitet. Ka artistë të huaj të cilët punojnë ngushtë me komercialitetin, për t’ju futur industrisë për famë dhe për para, arrijnë të degjenerojnë shijet e tyre muzikore me koshiencë. Ndërsa artistët që nuk janë komercialë, duket sikur nuk prodhojnë më. Kjo ndodh sepse ne dëgjojmë kryesisht radio komercviale, të cilat transmetojnë ajkën e komercialitetit, duke bërë që publiku të mendojë sikur ata artistë po flenë. Këngët e tyre mund t’i dëgjojmë vetëm në radio të specializuara,si: radio rock, alternative, nëpër site të ndryshme. Por, prurjet e tregut nuk mund të përcaktohen vetëm nga ato që dëgjojmë në radio. Unë mendoj se edhe një këngë shumë komerciale dhe e cekët nga artistë shqiptarë, e cila duket që nuk ka asnjë vlerë, është menduar mirë, e nëqoftëse është realizuar mirë nga disa komponentë ka diçka për t’u vlerësuar.
Aktualisht keni risjellë këngën “Të ndjej” në bashkëpunim me Dj Vin Veli. Kjo këngë është ripunuar për t’u prezantuar në tregun e huaj si pjesë e bashkëpunimit tuaj me kompaninë 360m records?
Kënga “Të ndjej”, një këngë e cila mori pjesë para dy vitesh në Festivalin e Këngës në RTSH është pritur mjaft mirë nga publiku. Pati një reagim të mirë nga audienca, duke marë parasyh faktin që këngët pjesëmarrëse aty, nuk publikohen pas përfundimit të eventit, 2-3 ditë janë në qarkullim dhe nuk ka një publicitet të mëtejshëm.Nëqoftëse ti nuk e shoqëron më pas këngën me një video, kënga mbetet thjesht aty. Duke parë reagimin e publikut dhe duke pasur një kënaqësi për atë këngë, sepse ka një thelb jetësor për lagjen ku unë banoj, përcjell një lloj ndjesie të qytetit, asaj pjesës së re të çuditshme të pallateve, lagjes, zbërthej dhe pak karakterin njerëzor dhe dashurinë që kam për njerëzit, vendosa ta publikoj prapë. Ky bashkëpunim vjen me Vin Velin dhe kompaninë 360m records. Kam dhe bashkëpunime të tjera me Vinin, pasi ai më duket një Dj i një rangu të lartë, të cilin unë e vlerësoj shumë si producent. Unë nuk pata mundësi që t’i realizoj një video këngës, por pata mundësi ta shpërndaj në mënyrë dixhitale në Itunes, Amazon, Spotify që të jetë e disponueshme për t’u shkarkuar dhe nga shqiptarë që jetojnë jashtë dhe kanë atë kulturën e doënload-imit dhe asaj pagesës 1 dollarëshe për artistin. Nuk e di nëse njerëzit kanë pasur mundësinë ta dëgjojnë, sepse unë në Youtube kam nxjerrë vetëm një ‘template’, të këtij varianti të personalizuar, pak stili im pak stili i Vinit. Ndërsa, bashkëpunimi me 360m records, është një iniciativë në të cilën jam vetë i përfshirë, për të krijuar sa më shumë kontakte me artistë shqiptarë që kanë dëshirë t’i shpërndajnë këngët në mënyrë dixhitale nëpër portale të ndryshme jashtë. Është ideja për të krijuar një label të mirëfilltë muzikor në bashkëpunim më një mikun tim që jeton në Amerikë. Unë kam një kontratë dy vjeçare me këtë shtëpi diskografike që është në rritje, për t’i dhënë rreth dhjetë këngë të miat, në një hapësirë kohore një vjeçare.
Njiheni për stilin tuaj unik dhe të veçantë? Për ata që nuk kanë pasur mundësi të të njohin nga afër si është Bojkeni në jetën e përditshme?
Unë jetën e kam shumë normale, përtej limiteve të normales. Kam një numër të madh të njerëzve që më njohin që nga femijëria, liceu, puna, njoh njerëz të ndryshëm në nivele dhe hapësira të ndryshme, të cilët nuk e di se çfarë mendojnë, por unë di që kam të njëjtin karakter, që kur kam nisur të kem kontakte reale me njerëzit.