Vajza simpatike që ju thotë “Mirëmëngjes” çdo ditë, me një buzëqeshje që nuk i shqitet asnjëherë nga fytyra dhe me humor të këndshëm, vjen në një intervistë për BORDO, me një rrëfim për eksperiencën e saj më të re.
Blerina Shehu, moderatorja e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në TVSH, flet për mëngjeset e saj të vrullshme, devijimin nga televizioni, udhëtimet, librat e preferuar dhe dashurinë…
Si ka qenë jeta jote përpara se të merrje përsipër të drejtoje një emision mëngjesi?
Gjithmonë e vrullshme. Për shumë kohë kam punuar në sektorin e prodhimeve televizive dhe mund të them që është një punë gjithashtu shumë impenjative dhe me shumë përgjejgësi. Është një punë e bukur dhe që të jep shumë kënaqësi, por në një mënyrë tjetër.
Si të erdhi ftesa për të qenë pjesë e këtij formati?
Ishte një ditë e bukur gushti… (Buzëqesh), jo shumë e papritur. Prej kohësh koleget e mia, që janë edhe shoqet e mia të zemrës, më shtynin në këtë drejtim duke vlerësuar eksperiencat e mia të mëparshme. Besimi i tyre më bëri të pranoj një propozim të drejtorit të njësisë së programeve në TVSH, Rezart Aga, i cili gjithashtu kishte bindjen se kombinimi me Arbrin do të ishte ai i duhuri.
Pra ndihesh pjesë e televizionit?
E kam nisur shumë herët, për të mos u ndjerë. Gjatë studimeve të larta, tentova të devijoja e të merrja një drejtim disi më akademik, por thirrja e brendshme e “kutisë magjikë” duket se ishte më e fortë.
Por, si ndihesh që je pjesë e shumë familjeve shqiptare çdo mëngjes?
Është një realitet me të cilin përballem vetëm kur has në dashamirës që më përshëndesin. Atëherë ndihem e përkëdhelur, por nga ana tjetër ndiej edhe peshën e përgjegjësisë së madhe që ka të qëndruarit në ekran çdo ditë për gati tre orë me rradhë.
A është problem për ty zgjimi shumë herët në mëngjes?
Përveç sekondave të para të “rikthimit” në jetë, nuk është traumatik. Më pëlqen ta nis ditën herët dhe t’i marr maksimumin. Problemi fillon pas dreke, që duhet të nis me kafetë nga e para për të mos fjetur ndënjur.
Paraditja në ekran është ndryshe nga paraditet e mëparshme?
Është ndryshe pa dyshim. Më parë nuk shqetësohesha që dikush mund të më shihte me “rrudhat” e jastëkut të stampuara në fytyrë. Nuk duhet të tregoja që mund të mbaja një buzëqeshje të gjatë tre orë mbi taka.
Si vazhdon dita jote pas emisionit?
Pjesa tjetër e ditës është mjaft e ngjashme me jetën përpara emisionit.
Çfarë vendi zë dashuria në jetën tënde?
Qendrën e rrathëve koncentrikë të gjithë ekzistencës. Në të gjitha format e saj (dashuria për jetën, për njerëzit, partnerin) mbetet një kontradiktë e madhe: lumturi dhe vuajtje, pjesëmarrje dhe revoltë, nënshtrim dhe rebelim, dhe kalimi nga një pol në tjetrin nuk bëhet nga urtësia e madhe. (Buzëqesh)
Një moderatore e zonja si ty, është e zonja edhe në kuzhinë?
E vlerësoj komplimentin. Në kuzhinë jam më e zonja të vë nota sesa të gatuaj. Më pëlqen shumë të organizoj dreka ose darka, por më mirë të mos gatuaj unë. Jam ekzekutuese e mirë e recetave të gatshme, por kaq. Siç na shkruanin dikur në dëftesën e shkollës, “ka mundësi për më shumë”. (Qesh)
Libri i preferuar?
Në fakt, të thoja veç një titull do të më ngjante “zvogëluese” karshi gjithë letërsisë. Po them të parin që mendova sapo lexova pyetjen. Hyn ndër librat e mi të preferuar, ndër ata që njëkoësisht të nxisin në reflektim e të formojnë mendimin; “I Huaji”, Albert Camus.
Mendimi yt për moderatorët në Shqipëri?
Në këndvështrimin tim modest dhe përgjithësues, sepse për një vlerësim të saktë do të më duhej një studim i detajuar i tregut shqiptar, mendoj që kemi nga ata moderatorë që njohin shumë mirë shijet dhe mentalitetin e publikut të cilit i drejtohen, të tjërë që njohin mirë ritmin telëviziv, ka moderatorë shumë të përgatitur dhe pa dyshim, ka disa të mbivlerësuar që vazhdojnë të qëndrojnë në ekran për forcë zakoni.
Je tip i aventurave?
Po më pyet a mund të kapërcej tre shkallë përnjëherë?! Po.
Të pëlqen të marrësh apo japësh këshilla?
Më pëlqen të shkëmbej mendime, sidomos me njerëzit që vlerësoj dhe që i kam në rrethin e ngushtë shoqëror. Më pëlqen kur më kërkojnë një mendje dhe e jap me shumë përkushtim një këshillë. Ndërkohë, këshillat që marr i dëgjoj, por nuk të betohem dot që më pas i vë në jetë.
Moto që ndjek…
Nuk kam ndonjë që do të doja ta veçoja…





Elvana Gjata feston ditëlindjen





Era Istrefi nderohet me “Pllaka e Artë”


Adelina Tahiri publikon foto nga spitali



Mami Oli e nxjerr nudo Bleonën

E vërteta e shtatzënisë së Rita Orës



