Data 9 Maj do të hapë siparin e natës së parë të Eurosong-ut. Për të gjashtin vit radhazi, Andri Xhahu do të jetë imazhi i Shqipërisë që do të bëjë komentatorin si dhe prezantimin e pikëve, në ekranin e TVSH. Andri ndan në një intervistë për Bordo, ndjesitë për këtë eksperiencë, si dhe çfarë pritshmërie sipas tij ka kënga përfaqësuese e Shqipërisë, për këtë edicion.
Përshëndetje Andri. Për pak ditë fillon edicioni i 62-të i Festivalit Europian të Këngës. Edhe këtë vit, ashtu si edhe pesë vitet e kaluara, ju do të jeni komentuesi dhe prezantuesi i pikëve për Shqipërinë. Si ndiheni për këtë fakt?
Njerëzit shpesh i shkatërrojnë gjërat që duan, madje edhe pa ndodhur ende, sepse mendojnë shumë për to, fantazojnë, imagjinojnë, krijojnë pritshmëri, shqetësohen, dyshojnë. E vërteta është se çdo gjë duhet lënë të zhvillohet në natyrshmërinë e vet. Flas me zërin e përvojës. Eurovision-i erdhi natyrshëm tek unë, e po aq natyrshëm, me punë e përkushtim erdha në të gjashtin vit të komentimit të tij dhe të prezantimit të pikëve për Shqipërinë. Kjo më bën të ndihem mirë e përtej modestisë të besoj që e kam merituar.
Cilat janë vështirësitë që hasni gjatë komentimit?
Eurovision-i nuk lë vend për vështirësi pasi çdo gjë është e mirëmenduar dhe e kronometruar. Madje aty të llogaritet edhe frymëmarrja. Është një spektakël plot ritëm, ku në 120 minuta kurba e emocioneve është vetëm në ngjitje. Nga ana tjetër bëhen aq shumë prova, sa është në kufijtë e të pamundurës të ndodhi diçka që nuk duhet.
Ka ndodhur të gjendeni përballë një situate të sikletshme, apo komike, duke qenë se jeni gjatë gjithë kohës live?
Pavarësisht asaj që thashë më lart, mua gjithsesi më lipset të jem vigjilent, për të kapur detajet që t’ua përcjell shikuesve. Situata të sikletshme nuk ka patur por komike po. Sa herë ndodh që të ketë lidhje direkte me “green room-in” ku artistët presin në passkenë, ata shpesh pyetjeve u përgjigjen me humor duke u lejuar vetes edhe ndonjë fjalë jo etike që e vështirëson përkthimin në shqip. Por në të tilla raste hyn në punë “plani B” që përgjithësisht është ose një batutë e moderuar ose ndonjë informacion plotësues që nuk mund ta kesh vetëm nga përgatitja e momentit por nga një background që e ka zanafillën më herët se sa edicioni i fundit.
Mesa keni kuptuar nga filozofia e këtij festivali, çfarë tiparesh duhet të ketë një këngë që të fitojë?
Atëherë kur mendon se ke gjetur formulën e duhur, fiton një këngë që rrëzon atë të parën. Kjo është filozofia e këtij festivali: Të jesh origjinal! Pavarësisht modës dhe trendeve diktuar nga muzika botërore apo nga kënga fituese e një viti më parë, çdo herë e më shumë dëshmohet që nuk ka receta të përcaktuara. Shumë këngë kanë hyrë pa bujë në Eurovision, pa pretendime dhe menjëherë pas përfundimit të garës janë shndërruar në hite. Nuk mjaftojnë efektet piroteknike, era që fryn, koreografia apo akrobacia në skenë. Nëse një këngë nuk ka melodinë, tekstin dhe shpirtin, nuk e ka jetën e gjatë. Edhe nëse ndodh të fitojë festivalin, assesi nuk arrin zemrat e publikut.
Përfaqësuesja e Shqipërisë, kënga “World” e Lindita Halimit çfarë pozicioni mund të zërë sipas jush?
Nuk jam fort i mirë në parashikime e prognoza për gjërat që i kam afër zemrës, por ndjej dhe di që finalen e meritojmë. Edhe më shume se aq! Shqipëria radhitet në mesin e shteteve që e merr seriozisht Eurovision-in, duke ngjitur në atë skenë të madhe artistë që të trondisin me vokal dhe interpretim, si dhe me këngë tepër ambicioze.
Duket sikur vitet e fundit ka rënë kureshtja e publikut shqiptar, për Eurosong-un.
Nuk do thoja. Përkundrazi. E di si ndodh me këtë festival? Sapo mbaron një edicion, fillon puna për përgatitjen e tjetrit. Rrjedhimisht fansat ndjekin hap pas hapi gjithë çfarë ndodh. Më shkruajnë shpesh fansa të huaj të cilët duan të mësojnë më shumë për pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe çdo ditë e më shumë më shkruajnë fansa shqiptarë të Eurovision-it. Mund të humbasë rrugës një shikues rastësor, por baza e fansave në vendin tonë po rritet çdo herë e më shumë. Ky fakt më gëzon shumë.
Tashmë dihet që në mënyrën e votimit në Eurosong, luajnë një rol kyç pozitat gjeografike dhe marrëdhëniet politike të vendeve, që do të thotë se shpesh votat nuk janë objektive. Ndodh kjo me vendin tonë?
Shpesh më thonë: “Pse i japim më shumë pikë Italisë?” Është shumë e thjeshtë. Sepse ne jemi mësuar duke dëgjuar këngët e shtetit fqinj, jemi mësuar me frymën që sjell muzika e tyre. Rrjedhimisht shqiptarët do votonin më shumë një këngë italiane se sa një këngë të shteteve skandinave, për shembull. Sigurisht që kemi parë edhe votime me bazë fqinjësie, por në fund fiton kënga ose një nga këngët më të mira.
Mund ta shpjegoni për publikun e thjeshtë si caktohen pikët nga Shqipëria?
Votimi në Eurovision bazohet tek televotimi që vlen 50 për qind dhe 50 të tjera i ka juria e profesionistëve. Në provën gjenerale, juria e secilit shtet konkurrues, pra edhe e Shqipërisë, dëgjon këngët dhe voton në mënyrë të fshehtë. Këtij 50 përqindëshi i shtohet edhe vota e publikut që voton gjatë spektaklit të drejtpërdrejt. Pikët përllogariten nga një sistem specifik e më pas del shumatorja e tyre.
I keni ndjekur këngët e vendeve të tjera? Cila prej tyre (përveç Shqipërisë), mund të jetë favorite për çmimin e madh, sipas jush?
Përgjigjen do ta ndaj në dy pjesë: cila këngë dua që të fitojë dhe cila mendoj se do fitojë. Përveç këngës sonë, më pëlqen kënga e Belgjikës, Zvicrës, Francës dhe Finlandës. Por mendoj se Eurovision-i vitin tjetër mund të mbahet në Itali.
Edicionin e para dy viteve u cilësuat si një ndër 10 komentuesit më të guximshëm, sa i përket veshjes. Keni menduar për veshjen e këtij viti? Si do të jetë?
Atë vit mora shumë ftesa nga televizione të ndryshme për të folur mbi këtë argument dhe mendova se sa sipërfaqësore është gazetaria sot. Po humbim thelbin në kërkim të asgjësë. Sa keq kur kupton se sa shumë rëndësi ka dukja ndonëse në një kohë konsumi të imazhit, përballë brendisë. Skocezët kanë të drejtë kur thonë se një zemër bujarë e një mendje e mprehtë shpesh fshihen pas një xhakete apo kapele të vjetër. Duke respektuar pyetjen tuaj mund të them se veshja edhe këtë vit do të jetë brenda njerëzores.