KreuBusull

Personazhet që u ‘divorcuan’ nga radio për televizionin

Ata e kanë nisur karrierën e tyre nëpërmjet valëve të radios. Kanë krijuar dashamirësit e tyre, vetëm nëpërmjet zërit, pa e ditur se cili apo cila qëndron pas mikrofonit të radios. Sipas hulumtimeve të zhvilluara nga bordo.al, në intervista të ndryshme i kemi dëgjuar shpesh ta cilësojnë këtë media të zërit, si dashuria e parë që kurrë nuk harrohet. E në fakt për ata që e kanë provuar radion, kjo shprehje është më se e vërtetë. Nëpërmjet radios, ku i vetmi përçues mesazhi është zëri yt, krijohet një marrëdhënie tejet e afërt dhe intime me publikun që të dëgjon në frekuencat radiofonike. Por pas dashurisë së parë, duket se për këto emra shumë të njohur (tashmë të ekranit), erdhi ajo… dashuria pasionante, e vrullshme, me prozhektorë dhe drita, tundimi më i madh i ditëve të sotme siç është televizioni. Me t’u ndezur drita e kuqe e kamerave, duket se për këta personazhë nuk pati më kthim pas, ata do të qëndronin tashmë aty me dashurinë e re, me zë dhe figurë, duke u kthyer në figurat më të dashura për publikun shqiptar, por pa harruar se gjithçka nisi me dashurinë e vjetër, gjithçka nisi në mikrofonin e radios.

Arian Çani: Një ndër figurat më të njohura të ekranit shqipar, i cili e ka kthyer emsionin e tij “Zonë e lirë”, në programin më të veçantë të të gjitha kohërave, fillimet e karrierës së tij i ka patur në gazetë dhe në radio. Radio Klan ka qenë media e zërit, në të cilën Çani moderonte një emision në orët e vona të natës, i quajtur “Klani i natës”, në të cilin nisur edhe nga fasha e orarit të transmetimit, herë pas here përdoreshin edhe terma ‘alla’ Arian Çani, (besoj e merni me mend për çfarë e kemi fjalën).

Saimir Kodra: Me bindje të plotë themi se emisioni i tij Radio Mania në Top Albania Radio, u kthye në programin më të ndjekur radiofonik të viteve ’95-’96. I drejtpërdrejtë, origjinal, shpotitës dhe me plot batuta, Saimiri i Radio Manisë u kthye në personazhin më të përfolur mes të rinjve të asaj kohe. Kjo ekperiencë i shërbeu më tej atij, për t’u kthyer së bashku me kolegun Gent Pjetri, në moderatorët e parë të një emisioni investigativ siç ishte Fiks Fare në Top Channel. Televizioni do të kthehej në dashurinë e re të Saimirit, pasi që prej asaj kohe ai vijon të jetë një personazh mjaft i dashur për publikun shqiptar, tashmë me emisionin “Stop” në Tv Klan.

Arbana Osmani: Duket se Arbana Osmani e ka patur shumë të vështirë të shkëputet nga radio. E nisi karrierën e saj pikërisht në Top Albania Radio 19 vite më pare, si një ndër prezantueset e para të kësaj radio. Por me t’u hapur televizioni Top Channel, oratoria dhe popullariteti që Arbana Osmani krijoi përmes radios, do t’i shërbenin asaj për t’u kthyer në një figurë televizive, madje ndër më të dashurat. Por, Arbana është ndër të vetmet figura televizive, e cila edhe pse rezultoi tejet e suksesshme me programet e saj në televizion, ajo paralelisht ka ushtruar deri vonë edhe pasionin për dashurinë e vjetër, atë të radios.

Gerta Heta: Ajo konsiderohet si zëri i parë radiofonik shqiptar dhe padyshim është një nga personazhet që kujtohet që shkak të emocioneve që transmetonte vetëm përmes zërit! Bëhet fjalë për moderatoren Gerta Heta, e cila fillimet e karrierës së saj i ka patur në “Top Albania Radio”, në drejtimin e emisioneve të ndryshme. Ndonëse prej kohësh nuk punon më në radio sërish Gertën e dëgjojmë herë pas here në spote të ndryshme publicitare me zërin e saj. Nënë e dy vajzave ajo sot është zëri zyrtar i kompanisë Vodafona Albania.

Alketa Vejsiu: Ishte vetëm 14-vjeç Alketa Vejsiu kur nisi rrugëtimin e saj në Top Albania Radio dhe shpejt u kthye në një nga figurat më të rëndësishme të saj. Pas radios karriera e saj vijoi në ekrane të ndryshme televizive, ku edhe sot e kësaj drejton programe dhe patenta të rëndësishmë në Tv Klan.

Aldon Lipe: Përveçse një regjisor i talentuar, firmën e të cilit e mbajnë shumë programe dhe produksione në Tv Klan kujtojmë se një nga dashuritë më të mëdha të Aldon Lipes është radio. Për vite të tyre ai ka drejtuar emisionin e mëngjesit të Top Albania Radio dhe Top Channel dhe gjithashtu vijon të jetë pjesë e mëngjeseve në Klan me “Aldo Morning Show” pa dashur të tregojë kurrë fytyrën në programin e tij.

Drini Zeqo: Edhe për gazetarin simpatik Drini Zeqo radio ka qenë dashuri e parë. Në Radio Plus 2 Drini kishte hapësirën e tij ku moderonte një emision rinor. Por nuk do të vononte shumë dhe Drini do të katapultohej shumë shpejt në botën e televizionit. Prej mëse një dekade Drini është pjesë e televizionit, ku aktualisht ai është pjesë e stafit të emisionit “Opinion”.

Xhoi Bega: Padyshim një nga pionieret e emisioneve të ndryshme radiofonike, edhe moderatorja Xhoi Bega, ose e njohur thjesht me emrin “Xhoi” ka lënë gjurmë në historinë e zërave radiofonik shqiptar. Por karriera e saj ishte sa e suksesshme, aq edhe e shkurtër. Pasi provoi për një kohë të shkurtër edhe televizionin me anë të emisionit rinor Select, Xhoi u largua nga vendi për në Angli, ku ka ndërtuar jetën e saj dhe është nënë e një djali.

 

 

 

 

Tags:

Home Busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF