Aktori i njohur i skenës sjell në Teatrin Kombëtar shfaqjen ”Mashtrimi”, një vepër që e ka tunduar për një dekadë, zbuloni për çfarë bëhet fjalë, krah kujt do të luajë dhe diçka për familjen
Nga Olsi Kolami/Fotografia: Fani Aliko
Ka pritur 10 vjet për të sjellë në skenë një vepër kaq të dashur për të, por ndryshe nga ajo që kishte ëndërruar plot një dekadë më parë, rolin e të dashurit, tani vjen jo thjesht në rolin e një burri të tradhëtuar, por edhe si regjisor. Artan Imami, zbulon vetëm majën e ajzbergut të shfaqjes së tij, një mister që duhet ta zbuloni duke shkuar në Teatrin Kombëtar dhe nuk duhet t’ia rrëfeni askujt…!
Projekti i radhës është një pjesë që vihet për herë të parë në skenën shqiptare, pse zgjodhët një thriller psikologjik dhe pse “Sleuth”?
Është një pjesë nga shkrimtari i njohur Anthony Shaffer me titullin origjinal “Sleuth”. U shfaq për herë të parë në Londër në1970, ku pati një sukses të menjëhershëm të kritikës dhe komerciale. Vazhdoi të shfaqet për 8 vjet pa ndërprerje në West Side Theatre në Londër. Kur shfaqja u zhvendos në Music Box në Broadway në 1971, pati të njëjtin sukses duke fituar çmimin Tony Award. “Sleuth” vazhdoi të shfaqet për katër vjet me rradhë. Adaptimi i parë për kinema u realizuar në vitin 1972, me regji të Joseph. L. Mankiewicz, ku në rolet kryesore luanin Laurence Olivier dhe Michael Caine, ndërsa u ekranizua sërish në vitin 2007 nga emra si Harold Pinter, skenarist (fitues i çmimit Nobel për Letërsinë), regjia nga Keneth Branagh dhe në rolet kryesore luhen Michael Caine dhe Jude Law.
Për mua kjo ka qenë një pjesë të cilën kam pasur dëshirë ta vë në skenë që para 10 vitesh, kur mund të luaja rolin e dashnorit, edhe ky protagonist. Me kalimin e këtyre 10 viteve mbusha moshën për të luajtur bashkëshortin e tradhëtuar dhe hakmarrës, në një konflikt jo vetëm seksual, por edhe klasor dhe racor.
Është një pjesë me një ritëm dhe tension shumë të larte, ku përzihet më së miri thrilleri psikologjik me farsën, me komedinë e zezë, bile dhe me tragjedinë. Një dramë në dukje borgjeze, e cila ka intriguar publikun në të gjitha skenat më të rëndësishme botërore, ku emra si: Laurence Oliver, Michael Caine, Jude Law, Keneth Branaght, Harold Pinter, në vite të ndryshme e jetësuan edhe në filma shumë të suksesshëm.
Një vepër ku publiku do të argëtohet ndryshe nga pjesët e tjera, në të tëra ekstremet e situatave. Publiku do të jetë ”dedektivi” i cili do të mundohet në mënyrë aktive të kuptojë çfarë është e vërtetë, lojë apo mashtrim në këtë konflikt për jetë a vdekje.
“Mashtrimi” ose “Sleuth” një vepër e madhe, e luajtur nga artistë dhe në skena të mëdha, si vjen në shqip?
Bazë 95 për qind është teksti i Anthony Shaffer, “i martuar” me një rishkrim që i ka bërë kësaj historie Harold Pinter në filmin me të njëjtin titull. Gjithashtu ka një përshtatje në shqip dhe një redaktim të tekstit, i cili normalisht zgjat 2 orë e 20 minuta, ndërsa qëllimi im është të zgjasë 100 minuta. Kjo “martesë” midis Shaffer dhe Pinter dhe redaktimi e kanë bërë pjesën më të zhdërvjellët, më të drejpërdrejtë. Pa humbur asgjë nga bukuria e penës së Shaffer.
Dy burra dhe një grua “mollë sherri”, histori e vjetër sa bota, si e zgjidhni?
Meqënëse është një thriller kuptohet që nuk mund të tregoj më shumë mbi historinë, bile do t’ju kërkoj spektatorëve që pasi ta shohin shfaqjen të mos ua tregojnë të tjerëve që të mos humbë misteri dhe kënaqësia e të përjetuarit të një thrilleri ku asgjë nuk është ashtu siç duket. Por ajo që mund të them është që burrat bëjnë shumë luftëra të kota në jetën e tyre, ku më shumë se fitimtarë ka viktima.
Luani krah një aktori të ri si Indrit Çobani, pse pikërish zgjodhët atë?
Sepse është një aktor i cili i ka të gjitha të dhënat për ta treguar së bashku këtë histori. Për mua ka qenë shumë i rëndësishëm bashkëpunimi njerëzor, përveç atij profesional.
Mund të të na zbuloni cilët janë kasti tjetër i aktorëve?
Ajo që është e rëndëshme, rolin e protagonistes me siguri do ta luajë një emër shumë i njohur ndërkombëtar, e cila është modele dhe aktore jo shqiptare. Kasti do të plotësohet në ditët në vazhdim.
Kush po e financon këtë projekt?
Një prej financuesve është Ministria e Kulturës. Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj Erion Veliaj dua ta falenderoj që ka një vëmendje të shtuar ndaj pasurimit të jetës artistike në kryeqytet, dhe në rastin tim të gadishmërisë për ta mbështetur financiarisht këtë projekt. Financuesi më i madh do jetë publiku që do paguajë biletën, sa një biletë kinemaje! Ndërkohë Teatri Kombëtar është partneri kryesor me gjithë infrastrukturën teknike, por sidomos njerëzore.
Si po vazhdon shfaqja Lukrecia Borxhia?
Regjisori Eric Vigner ka siguruar dhënien e Lukrecia Borxhia në Rennes të Francës, ku do të jemi me trupën për 6 ditë, dhe në janar do të shfaqet në Théâtre du Palais Royal në Paris, një skenë prestigjioze e njohur botërisht me një sallë me një mijë spektatorë. Kjo është eksperienca e parë e këtij niveli për teatrin shqiptar.
Pse nuk ju kemi parë në projekte të kinemasë?
Tani kam një agjente në Romë, një emër shumë i rëndësishëm në botën ndërkombëtare të filmit, ku edhe kam provuar për disa projekte shumë të rëndësishme. Në ndonjërin kam patur sukses…, pres të realizohet vitin tjetër.
Si është jeta juaj larg skenës: orët që kaloni me vajzën Audrey?
Gjithmonë në jetën timë ka pasur shumë kohë të tepërt, të shpenzuar keq. Tani kam fatin shumë të mirë që të më puthë vajza nja 20 herë në ditë dhe unë si i pangopour i them “dua plapë”. Pastaj kur e puth unë atë, me kthehet ajo e më thotë: “Dua plapë”.