Stilistja e mirënjohur Enada At’Nikolla e ftuar në emisonin “Wake Up” në Top Channel ka folur mbi stilin, atelienë dhe jetën private.
Në një rrëfim të sinqertë stilistja pohoi emrat e grave të politikës dhe jetës shoqërore që ajo vesh prej vitesh në atelienë e saj dhe që janë shumë më të thjeshta dhe aspak të vështira për t’u përshtatur në stil. Dhe këtu përmendi kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi dhe bashkëshorten e vajzën e ish- kryeministrit Sali Berisha , Liri dhe Argita Berisha të cilat ajo i vesh prej vitesh, si edhe bashkëshorten e kryeministrit, Linda Ramën dhe Ajola Xoxen, bashkëshorten e kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj.
“Monika Kryemadhin , Liri Berishën dhe Argita Berishën i vesh prej vitesh, së fundmi edhe Linda Rama, herë pas here dhe Ajola Xoxa”- u shpreh Enada.
Të gjithë këta emra ja përmendën gazetarët, sepse ajo vetë preferon të ruajë privatësinë e secilit klient.
“Respektoj privatesinë e klientëve. Kur i thonë ato për veshjet në rregull, por unë e kam vendosur që në fillim që të mos i them” – theksoi ajo.
E pyetur se si ia del përballë emrave të mëdhenj të modës, ku shumë prej klienteve mund t’i kenë mundësitë të vishen nga stilistë të famshëm Enada e ka një përgjigje: “Kam ruajtur stilin tim dhe kjo me ka bërë të preferuarën e tyre prej vitesh”.
Enada rrëfeu gjithashtu se këtë punë e bën me pasion, dhe kjo është arsyeja që ajo zgjodhi të qëndrojë në atelie dhe jo në industrinë e modës, ku mund t’i kishte mundësitë, por jo dëshirën, pasi siç tha ajo këtu krijon, ndërsa industria është biznes.
“I kisha mundësitë për të hyrë në industrinë e modës, qëndrova një vit jashtë për të parë si funksiononte, por nuk kisha dëshirë, sepse ajo është biznes, kurse unë krijoj. Për biznes jam për në burg” – tha Enada me humor, duke shtuar se po t’i futej kësaj rruge do t’i duhej të kërkonte ndihmë nga bashkëshorti.
Por e pyetur se cila nga këngëtaret ishte e preferuara e saj Enada përmendi menjëherë Venera Lumanin.
“Me Venerën sikur loz, kur stiloj”- theksoi ajo, ndërsa shtoi se shumica e tyre janë shumë të vështirë të përshtaten.
Me humorin dhe pozitivitetin që e karakterizon, Enada tregoi se nuk i imponohet askujt dhe se nuk është shumë e shtrenjtë në çmim.
Gjatë intervistës përveç stilit, ajo foli edhe për familjen, fëmijët dhe muzikën që pëlqen të dëgjojë.



















