Elda Beqiri
Frymëzuar nga një postim në Instagram, më saktë, një video e një vajze, emrin e të cilës po zgjedh të mos e përmend, vendosa të jap mendimin tim në lidhje me njerëzit që marrin guximin të flasin në lidhje me tema që janë totalisht të painformuar, por që e dinë që do të bëjnë bujë.
Sigurisht që prej vitesh tashmë, njerëzit i trajtojnë rrjetet sociale si burim të ardhurash. Në Shqipëri, s’kishte si të ishte ndryshe, ky trend u uzurpua menjëherë nga blogere, modele, kuzhinierë, fotografë etj…
Por si gjithmonë, ndeshemi me po të njëjtën situatë: njerëzit janë gati t’i shesin shpirtin djallit për pak famë. Video që më frymezoi për të shkruar këtë artikull, është shembull tipik i kësaj që sapo përmenda.
Pa dashur të tregohem ofensive, pasi në fund të fundit të gjithë jemi të lirë të nxjerrim c’të duam në profilin tonë, është e pakuptimtë që çdo gje ta lidhim me seksin për të patur klikime. Për t’u treguar më e qartë: Një video e një vajze me bikini duke vrapuar merr më shumë pëlqime dhe shihet më shumë se një video e një vajze veshur me tuta duke vrapuar.
Kjo është shqetësuese. Meshkujt kanë arritur ta ruajnë disi integritetin e tyre, duke mos u shitur për pëlqime. Çfarë po ndodh me këtë numrin kolosal të femrave shqiptare që ndiejnë nevojën e pashmangshme për të lidhur çdo gjë që nxjerrin me seksualitetin e tyre?
Video që sapo pashë, kishte protagoniste një femër që po fliste për seksin, ose me saktë për masturbimin. Sigurisht që video kishte me mijëra klikime dhe ishte e shoqëruar me komente ofenduese ose seksuale.
Gjendem në një situatë të cilën e kam të vështirë ta gjykoj. A duhet të shaj vajzen, apo njerëzit? Rri dhe mendohem… Në fund të fundit, ajo e arriti qëllimin e saj: klikimet. Arriti që t’i bënte njerëzit të flasin për të, qoftë për mirë, qoftë për keq. Botëkuptimi i saj aty fillon dhe aty sërish mbaron.
Statistikat tregojnë se mbi 60% e rinisë shqiptare janë papunë. Sigurisht që ata do të kenë kohë ta shohin atë video. Unë, ndërkohë, në pushimin e drekës, teksa po haja diçka, po shihja se ç’bëhej nëpër rrjete.
Ajo çfarë ma ngeci ushqimin në fyt ishtë pikërisht ajo video. Si përfunduam në këtë pikë! Femra është e bukur, jo vetëm në trup, por në mendje dhe zemër gjithashtu. Pse shumica kanë ngecur vetëm tek kallupi dhe nuk futen më thellë? Kush do ta bëjë diferencen?
Një gjë është e sigurt: Ajo vajza jo njëherë! As ata komentuesit e këqinj.
Ndoshta do të vijë dita që ajo vajza që del për vrap me tuta, do të ndihet keq dhe nuk do të dalë më veshur ashtu. Ndoshta nuk do të dalë më fare.
Por kush do ta bëjë diferencën?! Kush do të dalë sipër këtij mediokriteti dhe lakuriqësie të shëmtuar? Kush do t’i thotë jo djallit kur t’i fryjë në vesh për pëlqime? Kush do t’i fitojë njerëzit me mendje dhe me zemër, e jo me të pasme e gjoks? E di kush? Ajo që nuk e sheh veten si copë mishi. Nëse ti ke respekt për veten tënde, askush më nuk do të të shohë ty si mish. Kushdo ka shpresë, madje dhe ajo vajza e videos.
Boll më me gjëra të tilla. Kam dëshirë të hap Instagramin dhe mos të shoh më njerëz që s’dinë çfarë flasin. Dua të shoh vajzën me tuta që fiton një maratonë vrapi. Dua të shoh një piktore qe vizaton me kominoshe. E dua dhe lakuriqësinë, sigurisht. Por e dua të bukur, jo banale. Vajza, boll u vetëtrajtuat si lodra seksi, nuk është e drejtë.
Përdorni çdo gjë aty ku duhet. Boll më! Bëje ti diferencen, je e lutur!



















